[email protected]
Pretendohet rrejshëm se Ukraina po rekruton persona të moshës 17 vjeçare në luftë kundër Rusisë
shape
shape
shape

“Investiguesi Shkrimor”, një llogari me përmbajtje propaganduese në gjuhën shqipe në Facebook, ka publikuar sot (7 dhjetor) një imazh të disa personave të veshur me uniforma ushtarake, me pretendimin se ata janë 17 vjeçarë të cilët presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy po i dërgon në luftë kundër Rusisë.

Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë një artikull të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve të Ukrainës “Ukrinform.ua”, e cila ka demantuar këtë pretendim, duke e cilësuar atë si propagandë dezinformuese ruse. (shih këtu)


Vegëza e postimit të publikuar në Facebook nga llogaria “Investiguesi Shkrimor”:

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=pfbid02vpVS9cJmg2bQkCbFfoJzMWHBePNrdt5w7J8vMb7ojUKmR5rqUJ8vmzXoNNkdis2xl&id=100092945134138


Agjencia Kombëtare e Lajmeve të Ukrainës “Ukrinform.ua” ka sqaruar se kjo propagandë dezinformuese e Rusisë është shpërndarë nga mediumet ruse, si dhe në median sociale Telegram. (shih këtu dhe këtu)

Pra, siç duket llogaria me përmbajtje në gjuhën shqipe “Investiguesi Shkrimor” ka publikuar propagandën dezinformuese ruse në lidhje me rekrutimin e 17 vjeçarëve ukrainas në luftën kundër Rusisë.

Në artikullin e publikuar nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve të Ukrainës “Ukrinform.ua”, sqarohet se në ushtrinë e Ukrainës nuk ka pjesëtarë më të rinj se 21 vjeç.

“Kurrë nuk kemi pasur kampistë me shenjën e thirrjes ‘Yung’. Disa nga nxënësit tanë sot me të vërtetë po e mbrojnë vendin tonë me armë në dorë. Por më i vogli prej tyre është 21 vjeç. Vlen të theksohet se të gjithë shërbejnë në reparte elitare ushtarake”, është shprehur kreu i qendrës arsimore “Haidamatska sich”, Vadym Arnaut, i cili shërben në brigadën 103 të Forcave të Armatosura të Ukrainës.


Pas kërkimit përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info ka arritur të gjejë imazhin e njëjtë që është postuar nga “Investiguesi Shkrimor”. Kjo fotografi është publikuar në ueb-faqen e shkollës ushtarake të Kievit që mban emrin “Ivan Bohun”. (shih këtu)

Përshkrimi i imazhit, i përkthyer në shqip:

Stimulime për nxënësit e liceut që fituan çmime në bazë të rezultateve të olimpiadave dhe për mësuesit që trajnuan pjesëmarrësit e olimpiadave


Analiza:

Një llogari në Facebook me përmbajtje propaganduese, ka publikuar sot një propagandë dezinformuese ruse me pretendimin se ushtria ukrainase po rekruton persona të moshës 17 vjeçare për të marr pjesë në luftën kundër Rusisë.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve të Ukrainës ka sqaruar se kjo është një propagandë dezinformuese ruse, dhe se imazhi paraqet nxënësit e një shkolle ushtarake në Kiev, të cilët kanë fituar çmime në bazë të rezultateve të olimpiadave.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë postim të llogarisë “Investiguesi Shkrimor” si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others