Shkroi: Festim Rizanaj
Të dielën, më 12 tetor 2025, profili në Facebook “Murat Maci” ka publikuar tri të ashtuquajtura sondazhe për garat lokale në Prizren, Gjakovë dhe Mitrovicë.
Postimet paraqiten në formë grafike dhe me analiza të shkruara, por nuk përmbajnë asnjë të dhënë mbi metodologjinë e përdorur, periudhën e realizimit apo numrin e të anketuarve – elemente thelbësore për ta bërë një sondazh të besueshëm.
Kërkimi në internet nuk ka sjellë asnjë rezultat nga ndonjë media apo institucion hulumtues që i mbështet këto të dhëna, duke ngritur dyshime serioze për vërtetësinë e tyre.
Prizren
Sipas “sondazhit”, gara në Prizren paraqitet e ngushtë midis Shaqir Totajt nga PDK (35%) dhe Artan Abrashit nga VV (34%), ndërsa LDK me Driton Selmanajn renditet me 12% dhe AAK me Besnik Krasniqin me 8%. Publikimi e përshkruan garën si “duel politik kokë më kokë” dhe e interpreton Prizrenin si qytet që po “teston balancën mes traditës dhe ndryshimit”. (këtu)

Gjakovë
Në komunën e Gjakovës, postimi pretendon se Ardian Gjini nga AAK prin me 37%, ndjekur nga Ardian Gola i VV-së me 30%. LDK renditet me 13% dhe PDK me 8%. Sipas analizës së publikuar, Gjakova shihet si një nga komunat me rivalitet më të fortë politik, ndërsa votuesit e pavendosur përmenden si faktor përcaktues. (këtu)

Mitrovicë
Në Mitrovicë, “sondazhi” e vendos në krye kandidatin e VV-së, Faton Peci, me 39%, përpara Arian Tahirit të PDK-së me 29%. Kandidatët e LDK-së dhe AAK-së renditen me përqindje të ulëta, përkatësisht 11% dhe 4%. Postimi e përshkruan këtë garë si një “epërsi të qartë” të Vetëvendosjes, por as në këtë rast nuk paraqiten të dhënat bazë që do ta bënin sondazhin kredibil. (këtu)

Megjithatë, një kërkim në Google me fjalët kyçe të përdorura në këto publikime nuk sjell asnjë rezultat nga ndonjë media e besueshme apo institucion hulumtues që mbështet këto të dhëna. Kjo nënkupton se “sondazhet” e shpërndara nga profili “Murat Maci” nuk kanë burim të verifikuar dhe mbeten të pabazuara në fakte.
As këto tri publikime nuk përmbajnë metodologji, burime të referuara apo transparencë mbi mënyrën e mbledhjes së të dhënave, prandaj rezultatet që ato paraqesin nuk mund të konsiderohen të besueshme.
Analiza:
Të tri rastet përbëjnë shembuj të qartë të përhapjes së dezinformatave zgjedhore, përmes publikimeve që paraqiten si sondazhe, por pa asnjë bazë faktike. Këto pretendime duket se synojnë të ndikojnë perceptimin e votuesve gjatë ditës së zgjedhjeve, duke krijuar përshtypje të rreme për epërsinë e subjekteve të caktuara.
Mungesa e burimeve të verifikueshme dhe përdorimi i emrave të kompanive të njohura pa dëshmi konkrete janë tregues të qartë të manipulimit të informacionit.
Në përputhje me metodologjinë e saj të verifikimit, hibrid.info e kategorizon këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.