[email protected]
Publikohet teori konspirative se “shqiptarët janë të rrezikuar nga një çip që do të lidhet me satelitët Albania 1 dhe 2”
shape
shape
shape

Mediumi informativ “Euronews Albania” ka publikuar një artikull në të cilin pretendohet se shqiptarët janë të rrezikuar nga një çip që do të lidhet me dy satelitët Albania 1 dhe 2, të cilët u lëshuan në hapësirë, në fillim të këtij viti në Shqipëri.

Pretendimi është ndërtuar bazuar në deklaratat dhënë në një intervistë, në “Goodmorning Albanians”, emision i mëngjesit në televizionin “Euronews Albania” (06 korrik) nga Arianit Sllamnikut, konspiracionist.

Por që hibrid.info ka vërtetuar se pretendimet e Sllamnikut nuk kanë asnjë bazë dhe se emisioni në fjalë ka krijuar hapësirën për promovimin e pretendimeve të tilla.


Vegëza e artikullit të publikuar në artikullin e EuronewsAlbania:

https://euronews.al/konspiracionisti-shqiptaret-rrezikohen-nga-nje-cip-i-lidhur-me-2-satelitet/


Pjesë nga intervista e konspiracionistit Arianit Sllamniku në artikullin e Euronews Albania:

Konspiracionisti Arianit Sllamniku tha në një intervistë për “Goodmorning Albanians” në Euronews Albania se shqiptarët rrezikohen nga një çip i lidhur me 2 satelitë.

Ai komentoi këtu satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” për të cilët vendi ynë paguan qira.

Sipas Sllamnikut në fund të vitit do të futet në qarkullim paraja digjitale dhe të gjithë do të mikroçipohen për të bërë pagesa dhe për të qarkulluar financiarisht.

“Këto mikroçipime nënkuptojnë dhe survejim ose mbikëqyrje nga lart. Ato mikroçipa punojnë me 8 bit elektricitet i cili prodhohet nga trupi dhe japin sinjale,” – u shpreh konspiracionisti.


Hibrid.info ka gjetur emisionin e plotë, të datës 06 korrik, të këtij program televiziv, në kanalin zyrtar në Youtube, të Euronews Albania (shih këtu).

Nga minuta e 31:48, fillon të shfaqet kronika që i kushtohet lajmit për 8 satelitët e rinj për Shqipërinë, temë kjo e cila është diskutuar në emisionin e kësaj date.

Në video shihet se teksa moderatorja e prezanton Arianit Sllamnikun, i referohet si konspiracionist, vlerësim të cilin Sllamniku nuk e mohon.

Definicioni i fjalës konspiracionist sipas Cambridge Dictionary (shih këtu).


Duke parë se për të diskutuar rëndësinë e lajmit, në emision janë ftuar Azmer Duleviç, ekspert i energjisë dhe Arianit Sllamniku, konspiracionist si dhe në mungesë të përfaqësuesve të institucioneve zyrtare, hibrid.info ka vërtetuar se në emision janë krijuar kushtet për dhënien e deklaratave të tilla, të pabazuara në fakte, prej të cilave edhe është ndërtuar artikulli me pretendimin e publikuar.


Analiza:

Konspiracionisti, Arianit Sllamniku ka deklaruar se shqiptarët janë të rrezikuar nga një çip i lidhur me dy satelitët e vendosur në hapësirë në Shqipëri, e madje duke folur për rrezikun e përcjelljes së çdo aktiviteti të shqiptarëve nga hapësira, por që deklaratat e tij nuk i ka mbështetur në asnjë fakt.

Hibrid.info ka vërtetuar se Euronews Albania me anë të këtij emisioni ka krijuar hapësirë për promovimin e qëndrimeve të tilla të pabazuara në fakte.

Sipas analizës së bërë nga hibrid.info, informacionet e dhëna në këtë emision kategorizohen si “përmbajtje e pa verifikuar”, “teori konspirative” dhe “pseudoshkencë”.


Arsyetimi:

Përmbajtje e pa verifikuar

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Teoritë konspirative

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Pseudoshkencë

Vlerësim si “Pseudoshkencë” merr ai raportim mediatik që përpiqet të paraqesë disa mendime, qëndrime, vlera ose gjetje të marra nga një metodë jo-shkencore dhe ti paraqesë ato si zbulime shkencore ose fakte. Raporte të tilla shpesh keqinterpretojnë ose manipulojnë kërkimet shkencore ekzistuese, ose i referohen hulumtimeve që janë në kundërshtim me verifikimin shkencor dhe gjetjen e fakteve.

Share With Others