Të fundit | Haziri nuk ka folur për koalicion LDK-VV Të fundit | Ker-Lindsay nuk ka deklaruar se Serbia ka departament që ndikon diasporën s… Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026
[ ARTIKULLI ]

Rikthehen narrativat mohuese: mediat serbe ringjallin propagandën për masakrën e Reçakut në 27-vjetorin e saj

HIBRID

Shkroi: Festim Rizanaj

Ndërsa Kosova përkujton sot 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, një nga krimet e forcave serbe që tronditi ndërgjegjen botërore, mediat kryesore në Serbi vazhdojnë fushatë të për të deformuar të vërtetën historike.

Përmes teorive konspirative, mediat serbe po tentojnë ta paraqesin këtë masakër si një “skenar të montuar” për të justifikuar ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.

“Skenari i montuar” dhe sulmet ndaj William Walker

Gazetat dhe portalet serbe kanë rinisur përdorimin e termave si “terroristë” për viktimat civile dhe “falsifikim” për raportet ndërkombëtare, duke tentuar të rishkruajnë historinë e 15 janarit 1999.

Informer, ka sulmuar ashpër ish-ambasadorin e OEBS-it, duke e titulluar artikullin: “Për shkak të gënjeshtrave të këtij krimineli, Serbia u bombardua – 27 vjet nga Reçaku”. Sipas tyre, William Walker udhëhoqi një “plan të përgjakshëm” kundër Serbisë duke ndaluar hyrjen e hetuesve serbë në fshat.

Blic.rs ndjek një linjë të ngjashme, duke theksuar se rasti “Reçak” ishte vetëm një pretekst i sajuar nga një diplomat amerikan për të nisur bombardimet e NATO-s.

Pravda.rs e ka cilësuar ngjarjen si një “operacion i gënjeshtrave”, duke pretenduar se vdekja e 45 shqiptarëve ishte rezultat i një konflikti të armatosur dhe jo masakër mbi civilët.

Edhe transmetuesi publik, RTS, i është bashkuar kësaj vale revizionizmi. Në artikullin e tyre “Reçaku 27 vite më vonë”, ata i referohen ngjarjes si një “konflikt me UÇK-në” dhe paralajmërojnë dokumentarin “Dosje Kosova – Reçak”, i cili synon të legjitimojë versionin e shtetit serb.

Teoritë e rreme mbi “vetë-masakrimin” në media sociale

Përveç mediave, në rrjetet sociale Facebook dhe Telegram po qarkullojnë postime në gjuhën serbe lidhur me ngjarjen e Reçakut.

Këto narrativa përfshijnë pretendimin se personat e vrarë ishin pjesëtarë të brigadës 161 të UÇK-së dhe jo civilë.

Një tjetër pretendim i shpërndarë në këto platforma është se trupat e të vrarëve janë gjymtuar pas vdekjes nga shqiptarët, duke shtuar se uniformat e luftëtarëve janë ndërruar me rroba civile dhe janë kryer veprime post-mortem për t’i paraqitur ata si viktima para mediave si Reuters dhe AP.

Cila është e vërteta mbi Masakrën e Reçakut?

Më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, ka ndodhur një ndër krimet më të rënda serbe në Kosovë.

Për Masakrën e Reçakut, ku u vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë, kanë raportuar shumë media ndërkombëtare, bazuar në raporte po ashtu ndërkombëtare, duke e konsideruar këtë ngjarje si masakër ndaj civilëve të pambrojturWilliam Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ishte zyrtari i parë ndërkombëtar dëshmitar i kësaj masakre, dhe i pari që alarmoi botën për mizoritë serbe në Kosovë. (më shumë për Masakrën e Reçakut mund të lexoni KËTU)

Argumentimin e kryerjes së masakrës së Reçakut nga forcat serbe e kanë bërë shumë organizata botërore për të drejtat e njeriut, në mesin e tyre edhe më kredibilija “Human Rights Watch” (HRW), e cila po ashtu kishte akuzuar forcat policore e ushtarake serbe për këtë krim.

Human Rights Watch hodhi poshtë kategorikisht pretendimet e qeverisë jugosllave se viktimat e sulmit të 15 janarit në Reçak ishin ose ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të vrarë në luftime, ose civilë të zënë në të shtëna mes palëve.

Pas një hetimi të detajuar, organizata akuzoi forcat e policisë speciale serbe dhe ushtrinë jugosllave për sulme pa dallim ndaj civilëve, torturim të të burgosurve dhe kryerje të ekzekutimeve në distanca të shkurtra. Provat sugjerojnë se forcat qeveritare kishin urdhër të drejtpërdrejtë për të vrarë banorët e fshatit mbi moshën pesëmbëdhjetë vjeç. (KËTU)

Raporti tjetër i HRW:

Gazetarët në vendin e ngjarjes në fillim të 16 janarit i thanë Human Rights Watch se shumë nga këta njëzet e tre burra kishin gjithashtu shenja torture, si për shembull mungesën e thonjve të gishtave. Rrobat e tyre ishin të përgjakura, me prerje dhe vrima në të njëjtat pika me plagët e tyre të hyrjes dhe daljes nga plumbat, gjë që argumenton kundër pretendimeve të qeverisë (serbe, shën.red.) se viktimat ishin ushtarë të UÇK-së që ishin veshur me rroba civile pasi ishin vrarë. (shih këtu)

Hibrid.info, çështjen e Masakrës së Reçakut dhe narrativit serb dhe atij rus mbi të, e ka trajtuar edhe në të kaluarën – KËTUKËTU).

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere