[email protected]
Rishikimi i javës: Përmbajtje e paverifikuar se Vuçiq e ka përmendur bashkëshortin e presidentes Osmani, dezinformatë se ISIS kërcënon Kosovën dhe Shqipërinë, përmbajtje mashtruese se 72% e qytetarëve i besojnë Qeverisë në Kosovë
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Si rezultat i gjetjeve dhe trajtimeve të keqinformatave të publikuara gjatë javës që shkoi dezinformatat janë ato që e dominuan ekosferën keqinformuese.

Dezinformatat u publikuan në media sociale dhe portale informative. Në media sociale u publikuan dezinformata se në një stadium të Evropës u lëshua në fluturim një shqiponjë në nderim të futbollistit Granit Xhaka; se ushtria serbe është dukur në kufi me Kosovën. Ndërsa në portale informative u publikuan dezinformata me pretendimin se BE-ja do ta humb Kosovën nëse nuk e merr pranë vetes;  nëpërmjet një lajmi të vjetër u pretendua se grupi terrorist i njohur si Shteti Islamik (ISIS) ka kërcënuar Kosovën dhe Shqipërinë; po ashtu u publikua dezinformata se James O’Brien ka kërkuar publikisht nga Kosova që të ndërmarrë hapa për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe para 10 majit.

Përmbajtjet mashtruese u publikuan në media sociale me pretendimet e rreme se të moshuarit në Kosovë mund të aplikojnë për sigurim shëndetësor falas, duke filluar nga prilli i këtij viti; si dhe se 72% e qytetarëve i besojnë Qeverisë në Kosovë.

Përmbajtjet e paverifikuara u publikuan në portale informative dhe media sociale. Në portale informative u publikua pretendimi i paverifikuar se është përmendur bashkëshorti i Presidentes Osmani, në fjalimin e Presidentit serb, Vuçiq lidhur me plagosjen e dy të rinjve serbë në Kosovë. Ndërsa në media sociale u publikua një imazh i gjeneruar me inteligjencë artificiale me pretendimin se paraqet fëmijët e Gazas.

Lajmi i rremë u publikua në media sociale ku nëpërmjet një Imazhi të një personi të moshuar u pretendua se paraqet ish-presidentin tashmë të vdekur amerikan John Kennedy në 100 vjetorin e lindjes së tij.

Manipulim i fakteve u publikua në mediat sociale lidhur me pretendimin se është arrestuar profesori i Universitetit të Prishtinës i akuzuar për ngacmim seksual, Xhevat Krasniqi.

Artikujt clickbait janë publikuar në portale informative media sociale ku nëpërmjet titujve është pretenduar se futbollisti shqiptar, Eros Grezda i ka dhënë fund karrierës futbollistike, si dhe informacione për të cilat nuk bëhet e ditur vendndodhja e ngjarjes në titull; apo edhe lajmi i vjetër për vdekjen e një 16-vjeçari shqiptar në Itali, i ri-publikuar si aktual.

Clickbait/Dezinformatë është vlerësuar pretendimi në mediat në gjuhën serbe, ku përmes titujve mbi një deklaratë të ish-kryeministrit grek, Antonis Samaras, për raportin e Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, u paraqit si qëndrim i shtetit të Greqisë.

Teori konpsirative nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë përmes një komunikate të lëshuar me datë 23 prill, ku pretendohet se një grup, siç i quan kjo zyrë “ekstremistë shqiptarë” kanë grabitur dhe rrahur 20-vjeçarin Petar Kostiq në Mitrovicë.

Dezinformatë

Të shtunën, më 20 prill, mediumi në Shqipëri “ntv.al” ka publikuar një artikull me titull “Do ta HUMBASIM Kosovën, nëse nuk e marrim me vete, Lajçak paralajmëron BE-në”. Pas leximit të deklaratave të cituara në artikull, por edhe në incizimet e publikuara nga fjalimi i Lajçakut, del se ai nuk ka dhënë qëndrim të tillë. (këtu)

Përmes një video-materiali u pretendua se në një stadium të Evropës u lëshua në fluturim një shqiponjë në nderim të futbollistit Granit Xhaka. Ky pretendim u bë nga një faqe në Facebook me emrin “Deçani” me datë 21 prill, e cila arriti të grumbullojë mbi 700 mijë shikime. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se kjo video u realizua në stadiumin e skuadrës amerikane të ragbit në Philadelphia, “Philadelphia Eagles”, dhe se e njëjta nuk ndërlidhet në asnjë rast me futbollistin Xhaka, siç pretendohet nga faqja e lartcekur. (këtu)

Një artikull i publikuar rishtazi po pretendon se grupi terrorist i njohur si Shteti Islamik (ISIS) ka kërcënuar Kosovën dhe Shqipërinë. Ky artikull u publikua të hënën (22 prill) nga portali “lecanton27.ch”, i cili veten e quan si gazeta e parë shqipe në Zvicër. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky lajm është i vitit 2015, atëkohë kur ISIS kishte publikuar një video duke kërcënuar disa shtete, duke i quajtur “koalicioni i djajve”, e që në mesin e tyre figuronin edhe flamuri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë. (këtu)

Pretendimi i bërë nga llogaria me emrin “mtrks25” në TikTok më 20 prill 2024, me përshkrimin “Ekskluzive: Ushtria serbe ne kufi me Kosoven”, duke mos treguar se videoja është e vjetër, nuk qëndron. Video-materiali i publikuar rishtazi është gjetur i publikuar edhe në qershor 2023 në platformën X. (këtu)

Është pretenduar se James O’Brien ka kërkuar publikisht nga Kosova që të ndërmarrë hapa për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe para 10 majit. Pretendimi u dha nga mediumi informativ në Shqipëri, “ntv.al” nëpërmjet një fotografie të postuar në Facebook më 25 prill. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, vërtetohet se kjo deklaratë nuk është dhënë nga ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë. Ai nuk ka përmendur datë për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por ka thënë së duhet “përparim urgjent” në këtë aspekt. (këtu)

Mashtrim

Nëpërmjet një vegëze të publikuar në formë imazhi është pretenduar se të moshuarit në Kosovë mund të aplikojnë për sigurim shëndetësor falas, duke filluar nga prilli i këtij viti. Vegëzës së publikuar (11 prill) nga një faqe me emrin “Qwe” në Facebook, i është vendosur mbishkrimi “Qeveria e Kosovës ofron sigurim shëndetësor falas. Klikoni për të aplikuar për sigurimin tuaj ekskluziv mjekësor.” Por, hibrid.info ka vërtetuar se, një mundësi e tillë aplikimi nuk paraqitet nga ueb-faqja e hapur pas klikimit të këtij imazhi e madje nuk është gjetur asnjë vendim zyrtar nga Qeveria e Kosovës rreth kësaj çështjeje. (këtu)

Me anë të një imazhi është pretenduar se 72% e qytetarëve i besojnë Qeverisë në Kosovë. Ky imazh është publikuar më 23 prill në TikTok nga llogaria “albinkurti_kryeminister”. Por, ajo çka është gjetur nga hulumtimi i hibrid.info, është se në imazh është ndërhyrë duke manipuluar shifrën që tregon për përqinn e shprehur në fotografi. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

U pretendua se është përmendur bashkëshorti i Presidentes Osmani, në fjalimin e Presidentit serb, Vuçiq lidhur me plagosjen e dy të rinjve serbë në Kosovë. Pas verifikimit të fjalimit, u gjet se huqja ka ndodhur gjatë përkthimit simultan të drejtpërdrejtë ku është keqinterpretuar pjesa në të cilën pretendohet se përmendet bashkëshorti i Presidentes Osmani. Në fakt, Vuçiqi nuk e ka përmendur bashkëshortin e Presidentes. (këtu)

Nëpërmjet një imazhi të publikuar ku shihen disa fëmijë dukë ngrënë shalqi u pretendua se paraqet fëmijët palestinezë në Gaza, si viktimë e rendit të ri botëror. Ky imazh u publikua nga faqja në Facebook me emrin “The Reis” që mban mbishkrimin, “Gazianet jane Kurban i Rendit te Ri boteror. Ndoshta do te bllokohemi pas ketij postimi…”. Pas ri-kërkimit të imazhit të publikuar është gjetur se ai është gjeneruar me inteligjencë artificiale. (këtu)

Lajm i rremë

Imazhi i një personi të moshuar po pretendohet se paraqet ish-presidentin tashmë të vdekur amerikan John Kennedy në 100 vjetorin e lindjes së tij. Kjo video-përmbajtje u publikua me datë 19 prill nga faqja në Facebook në gjuhën shqipe, “Patriotet e Botes Re”. Hibrid.info ka hulumtuar dhe vërtetuar se imazhi i shfaqur në video-material i përket Russell LeeRoy Pickett, veteran amerikan i Luftës së Dytë Botërore, e jo John Kennedy, siç pretendohet nga faqja “Patriotet e Botes Re”. (këtu)

Manipulim i fakteve

Një video-material i publikuar në rrjete sociale ka pretenduar se është arrestuar profesori i Universitetit të Prishtinës i akuzuar për ngacmim seksual, Xhevat Krasniqi. Videoja është publikuar më 23 prill në aplikacionin TikTok nga një llogari me emrin “temu..gr”. Por, në fakt videoja shfaq momentet kur Policia nxjerr nga salla profesorin, pas bllokadës së hyrjes nga aktivistë të Lëvizjes Feministe Studentore, në Administratën Qendrore të Universitetit të Prishtinës, aty ku po mbahej mbledhja e Këshillit të Etikës. (këtu)

Clickbait

Përmes titujve të artikujve të publikuar nga disa media, është pretenduar se futbollisti shqiptar, Eros Grezda i ka dhënë fund karrierës futbollistike. Artikujt e titulluar “Ish-lojtari i kombëtares e mbyll 29 vjeç me futbollin” dhe “Eros Grezda heq dorë nga futbolli, deklarata e papritur e tij” janë publikuar më 25 prill nga portalet informative, “kosovapost.net” dhe “syri.net”. Por, në njoftimin e publikuar në Instagram, futbollisti ka bërë të ditur që ka marrë vendim të pushojë nga futbolli, për momentin. (këtu)

Është publikuar më 25 prill një artikull i titulluar “Sulm me thikë në një shkollë, plagosen dy mësues dhe një nxënës”. Artikulli është publikuar nga portali informativ “Kosova-sot.info”. Pas kontrollit të fakteve të realizuar nga hibrid.info, është vërtetuar se në titull nuk bëhet e qartë se ngjarja ka ndodhur në Uells të Britanisë së Madhe. Portali informativ në fjalë është i regjistruar në Kosovë (shih këtu), andaj si i tillë, titulli në fjalë, mund të lë vend për keqinformim te lexuesit e mundshëm të këtij artikulli, se ngjarja ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Përmes postimeve në disa faqe në Facebook, është rikthyer një lajm i para disa muajve për vdekjen e një 16-vjeçari shqiptar në Itali. “Lajm i trishtë! Ndërron jetë në aksident futbollisti shqiptar” është titulli që është përdorur nga këto faqe në Facebook në postimet e bëra të enjten (25 prill). Në Facebook këto faqe kanë përdorur fotografi përgjithësuese për të nxitur klikimet. Përderisa në postimet në Facebook nuk bëhet e ditur se kur ka ndodhur ngjarja, kur të klikohet artikulli në hyrje të tekstit shkruan se “ky lajm ka disa muaj”. (këtu)

Clickbait/dezinformatë

Të paktën dy mediume në gjuhën serbe kanë dezinformuar përmes titujve mbi një deklaratë të ish-kryeministrit grek, Antonis Samaras, për raportin e Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Një deklaratë të Samarasit që fillimisht u publikua në mediumin grek “tovima” (lexo këtu) mediumet “pravda.rs” dhe “alo.rs” e kanë paraqitur të shtunën (27 prill) në tituj si qëndrim të shtetit të Greqisë.   “Greqia distancohet nga Bakoyannis: Raporti mbi të ashtuquajturën Kosovë nuk na përfaqëson neve ose kulturën tonë” është titulli i mediumit “pravda”, ndërsa “alo” artikullit i ka vënë titullin “Dora Bakoyannistit i jepet flakaresh, fjalët e saj nuk e përfaqësojnë Greqinë”.  Në asnjërin prej titujve nuk tregohet se ky është qëndrim i deputetit Samaras dhe jo i shtetit grek. (këtu)

Teori konspirative

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë përmes një komunikate të lëshuar me datë 23 prill, ka pretenduar se një grup, siç i quan kjo zyrë “ekstremistë shqiptarë” kanë grabitur dhe rrahur 20-vjeçarin Petar Kostiq në Mitrovicë. Për këtë incident, kjo zyrë ka thënë se veprimi është kryer si pasojë e “regjimit nga Prishtina zyrtare”, e “që dëshiron të kryejë një spastrim të ri etnik”. Përveç kësaj, zyra e lartcekur e konsideron këtë incident si rastin e 500-të me motive etnike, që nga ardhja në pushtet e Albin Kurtit. Hibrid.info pas kontrollit të fakteve, ka vërtetuar se ende nuk dihet se kush janë kryerësit e veprës. (këtu)

Share With Others