Të fundit | Nuk ka të dhëna se Gjermania ka 'shtrënguar' procedurat e azilit për të kon… Të fundit | Ende nuk ka konfirmim se Kurti do të udhëtojë në SHBA për Asamblenë e OKB-s… Të fundit | Gashi s'ka thënë se do ta votonte Listën Serbe para Vetëvendosjes Të fundit | Gotovina s’ka thënë se “Thaçi nuk është në gjyq, por UÇK-ja është në gjyq”,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se në grevë kanë hyrë punëtorët teknikë të shkollave Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin gusht 2026 Të fundit | Pretendim konspirativ se nëse dënohen krerët e UÇK-së, do të shkaktohet dhu… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Trump i ka bërë ftesë Thaçit për vizitë në SHBA më… Të fundit | Rishikimi i javës: Deklarata të sajuara që u atribuohen figurave politike,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se largimi nga përfitimet vlen për ata që nuk plotësojnë…
[ ARTIKULLI ]

Rikthehet pretendimi i rremë se një gjeneral amerikan ka thënë që Kosovës i duhen njerëz si Kurti për t’i bërë ballë ndikimit rus

HIBRID

Shkroi: Fatbardh Dema

Nëpërmjet një postimi në Facebook është rikthyer pretendimi se një gjeneral amerikan ka thënë që Kosovës i duhen njerëz si Albin Kurti për t’i bërë ballë ndikimit rus.

Gjenerali Amerikan Eric Friedman: Kosovës i duhen njerëz si Albini që i bejnë ballë ndikimit Rus në Ballkan”, është mbishkrimi në një fotografi në të cilën shihet kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe një person i uniformuar. Publikimi u bë nga llogaria “Halil Geci” në Facebook, më 2 shkurt 2025.

E vërteta?

Hibrid.info pati verifikuar edhe muaj më parë se ky pretendim është tërësisht i rremë. Fillimisht nuk ka deklaratë të tillë të dhënë nga ndonjë gjeneral amerikan. Nuk ka gjeneral amerikan me emrin Eric Friedman. Po ashtu, fotografia e përdorur në pretendim është e dikujt tjetër.


Në postim, llogaria në fjalë ka shkruar një opinion duke thënë se po ironizon e duke deklaruar se “opozita nuk i beson” deklaratës së gjeneralit. Se e ka marrë të mirëqenë deklaratën e pretenduar nga një gjeneral, konfirmohet nga fjalia se “ju amerikanët po e lavdëroni” Kurtin.

“MOSKË – PEKIN – OPOZITA: NDALONI ALBININ, SE PO NA LIDH ME AMERIKËN!

I R O N I Z M

Generali amerikan Eric Friedman paska deklaruar se “Kosovës i duhen njerëz si Albini që i bëjnë ballë ndikimit rus në Ballkan”.

Jo valla, gjeneral, opozita nuk të besojm.

As unë as Lumiri . Se faji është i Albinit nuk e paska ndalur zgjerimin e Serbisë mbi trojet shqiptare – nga Molla e Kuqe te Nishi e deri në Merdarë – por për çudi, ju amerikanët po e lavdëroni”, thuhet në hyrje të shkrimit.


Publikimin e llogarisë “Halil Geci” në Facebook e ka shpërndarë edhe faqja “insajderi.mk”.

Postimi i “Halil Geci” ka marrë 371 shpërndarje e mbi 620 pëlqime deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info. Po ashtu i ka mbi 35 komente.

Llogaria “Halil Geci” e kishte publikuar fotografinë e njëjtë edhe në vitin 2021.


Hibrid.info ka gjetur se ky publikim qarkullon që tri vjet. Data më e hershme që u has nga hibrid.info në Facebook me këtë përmbajtje ishte ajo e 8 shkurtit 2021. Postimi ishte bërë nga llogaria Alba Mex në grupin “Vetëvendosje me ♥️”.

Po ashtu, nëse kërkohet me fjalët kyçe “gjenerali amerikan Eric Friedman”, ose edhe në gjuhën angleze, nuk del asnjë rezultat që tregon se ka gjeneral amerikan me këtë emër. Nëse kërkohet me emrin Eric Friedman, gjetjet çojnë tek emri i muzikantit amerikan Eric Charles “Erock” Friedman.

Në publikim në fotografi paraqitet një zyrtar me uniformë ushtarake. Teksa pretendohet se ky është “gjenerali Eric Friedman”, pas kërkimit përmes “Google”, del se personi në foto është ish-gjenerali John Abizaid. Fotografia ishte përdorur në disa lajme më 2018, kur ishte njoftuar se presidenti i asaj kohe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump e kishte nominuar Abizaidin ambasador për Arabinë Saudite (shih këtu).

Edhe po që se kërkohet në “Google” me titullin e pretenduar, nuk gjendet asnjë artikull në ndonjë media kredibile. Publikime kredibile nuk ka as nëse kërkohet me fjalët e pretenduara në citat: “Kosovës i duhen njerëz si Albini që i bëjnë ballë ndikimit rus në Ballkan”.


Analiza:

Llogaria “Halil Geci” në Facebook ka publikuar një përmbajtje në të cilën shihet një fotografi e mbi të cilën është një shkrim “Gjenerali Amerikan Eric Friedman: Kosovës i duhen njerëz si Albini që i bejnë ballë ndikimit Rus në Ballkan”.

Bazuar mbi këtë fotografi, llogaria ka bërë një shkrim duke konfirmuar se e merr si të mirëqenë pretendimin.

Por pas verifikimit të fakteve del se nuk ka deklaratë të tillë të thënë nga ndonjë gjeneral amerikan, se nuk ka gjeneral amerikan me emrin Eric Friedman e se personi në foto paraqet një ish-ushtarak me emrin John Abizaid.

Kjo nuk është hera e parë që hibrid.info e trajton pretendimin e njëjtë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson si “Përmbajtje e paverifikuar” dhe dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere