Përgatiti: Festim Rizanaj
Në periudhën 02–08 shkurt 2026, clickbait-i dominoi ekosistemin informativ në Kosovë.
Gjatë kësaj periudhe, clickbait-et janë publikuar kryesisht në media online dhe në rrjete sociale, veçanërisht në Facebook, përmes artikujve dhe postimeve me tituj sensacionalë ose të paqartë që krijojnë keqkuptime. Tematikisht, ato janë përqendruar në çështje me interes të lartë publik, si energjia dhe tarifat e rrymës (pretendime të pasakta për mosrritjen e çmimeve nga ZRrE), zhvillimet politike dhe raportet institucionale (pretendimi për “kërcënim” të presidentes Vjosa Osmani ndaj kryeministrit Albin Kurti pa sqarim të burimit), spekulime zgjedhore (lista e supozuar e kabinetit të ardhshëm qeveritar të Kurtit), si dhe tema të sigurisë dhe integrimeve euroatlantike (imazhe që e paraqesin anëtarësimin e Kosovës në NATO si fakt të kryer). Në të gjitha rastet, titujt ose përmbajtjet vizuale kanë qenë formuluar në mënyrë të tillë që tërheqin klikime, duke lënë paqartësi ose duke shtrembëruar kontekstin real të informacionit.
Gjatë kësaj periudhe janë identifikuar teori konspirative, përmbajtje mashtruese dhe informacione të paverifikuara, të shpërndara kryesisht në Facebook dhe media online. Teoritë konspirative kanë përfshirë pretendime të pabazuara për Nënë Terezën, duke e lidhur atë me rrjete kriminale dhe figura kontroverse, pretendime që nuk mbështeten në prova dhe bien ndesh me faktet historike dhe dokumentuese. Në kategorinë e mashtrimeve, është shpërndarë një imazh i gjeneruar me inteligjencë artificiale që paraqet një takim të rremë mes deputetit Shaip Kamberi dhe presidentit amerikan Donald Trump, i cili është marrë si real nga një pjesë e publikut. Ndërkohë, përmbajtjet e paverifikuara janë fokusuar në pretendime për një sulm ndaj Policisë së Serbisë pranë Kurshumlisë, ku pa burime zyrtare janë sugjeruar autorë shqiptarë, duke nxitur spekulime dhe narrativa të ndjeshme pa konfirmim institucional.
Clickbait
Janë publikuar artikuj me tituj që pretendojnë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka deklaruar se nuk do të ketë rritje të tarifave të energjisë. Pretendimi se nga ZRrE janë deklaruar se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë për konsumatorët është i pasaktë. Titujt e publikuar nga disa media kanë krijuar këtë keqkuptim duke mosspecifikuar se vendimi i fundit ka të bëjë vetëm me tarifat e NEMO-s, që nuk lidhet me çmimin që qytetarët paguajnë për konsumin e energjisë. ZRrE ka mbajtur mbledhjen e Bordit për të shqyrtuar kërkesat e NEMO-s për tarifat e periudhës 2026–2028, ndërkohë që tarifat për konsumatorët përcaktohen çdo vit më 1 prill dhe nuk lidhen me vendimin e fundit për NEMO-n. (këtu)
Është publikuar artikulli i titulluar “Kërcënimi i Osmanit ndaj Kurtit për mandatin e dytë: “Nëse s’më bëni presidente, do keni telashe me SHBA-në””. Pretendimi për “kërcënimin” e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, buron nga një artikull i gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), por kjo nuk bëhet e qartë në titull. Mungesa e sqarimit për burimin e informacionit e paraqet pretendimin sikur të ishte një deklaratë e drejtpërdrejtë e Osmanit. (këtu)
Nëpërmjet disa postimeve në Facebook është pretenduar se kryeministri në detyrë dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Albin Kurti, ka zbuluar emra nga kabineti me të cilin synon të udhëheqë Qeverinë e re. Postimet e faqes “1shipost” çojnë në një artikull me video ku Kurti flet vetëm në mënyrë të përgjithshme, pa përmendur emra apo poste konkrete. Ai la të hapur mundësinë për ndryshime, duke mos konfirmuar asnjë përbërje të qeverisë së re. (këtu)
Një imazh ka mbishkrimin që ka formulimin “KOSOVA NË NATO”, të paraqitur si pohim faktik dhe të cilësuar si “Lajm i Madh”. Nga mbishkrimi i imazhit sqarohet se postimi ka një vegëz të bashkangjitur, ndërsa nga mbishkrimi i këtij postimi, sqarohet se kemi të bëjmë me deklaratë të deputetit të zgjedhur, Enver Hoxhajt. Megjithatë, nga përmbajtja e videos, është kuptuar se Hoxhaj nuk e ka paraqitur anëtarësimin e Kosovës në NATO si fakt të kryer, por ka folur për mundësitë e mira që vendi të anëtarësohet në këtë organizatë, në tre, katër apo pesë vitet e ardhshme, duke u bazuar në rrethanat politike aktuale të cilat ai i ka përmendur. (këtu)
Teori konspirative
Pretendimet se Nënë Tereza ishte në të njëjtin “biznes” me Jeffrey Epstein, trafikonte fëmijë dhe gjeneronte miliona dollarë për Vatikanin janë përhapur nga disa faqe në Facebook. Megjithatë, hulumtimet tregojnë se këto pretendime nuk mbështeten në prova të besueshme. Aktiviteti i Nënës Terezës ishte humanitar, nuk kishte asnjë lidhje me biznesin financiar të Epstein dhe akuzat për trafikim fëmijësh janë tërësisht të rreme. Lidhjet me figura kontraverse, si Baby Doc Duvalier, Charles Keating dhe Robert Maxwell, kanë qenë vetëm për qëllime bamirësie ose nderime formale, jo bashkëpunim kriminal. Sa i përket pretendimit se Nënë Tereza ka bashkëpunuar me Hillary Clinton për një jetimore në Washington D.C., kjo qendër ekzistonte dhe kishte qëllim ndihmën e grave dhe foshnjeve, por nuk ka asnjë provë që lidhet me aktivitet kriminal ose trafikim. (këtu)
Mashtrim
Faqja në Facebook “Kosova Lindore” ka publikuar një imazh ku shihet deputeti Shaip Kamberi që po shtrëngon duart me presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Pas verifikimit të fakteve, rezulton se imazhi është i gjeneruar me inteligjencë artificiale me probabilitet 99.8%. Megjithëse përmbajtja ka marrë mijëra reagime dhe shumë përdorues e kanë marrë si reale, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për një takim të tillë. Edhe pse Kamberi ndodhet aktualisht në SHBA dhe ka njoftuar për takime të ndryshme, ai nuk ka bërë të ditur për ndonjë takim me presidentin amerikan. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Janë publikuar artikuj që pretendojnë për një sulm të ndodhur ndaj Policisë së Serbisë, në fshatin Parada pranë Kurshumlisë në Serbi, dy ditë para publikimit të këtyre përmbajtjeve. Pretendimi se autorët e një sulmi ndaj Policisë së Serbisë pranë Kurshumlisë janë shqiptarë, nuk është i konfirmuar. Mediat që kanë raportuar ngjarjen nuk u janë referuar burimeve zyrtare dhe publike dhe nuk kanë publikuar të dhëna për identitetin e të dyshuarve. Gjithashtu, ngjarja nuk është konfirmuar as nga institucionet zyrtare në Serbi. (këtu)