[email protected]
Titulli përgjithësues lë vend për keqinformim pasi nuk qartëson se cili shtet ka marrë këtë vendim
shape
shape
shape

Disa faqe në Facebook dje (19 gusht) kanë publikuar një artikull me titull “Prap ligji ri, Nga 200 euro do të jepen për secilin qytetar, dhe ja arsyeja”, i cili është marrë nga portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “ingazetaa.com”.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, pasi nuk bëhet e ditur se cili vend ka marrë një vendim të tillë. Ndërsa lajmi bëhet i qartë vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se një vendim i tillë është ndërmarr nga autoritetet e kryeqytetit austriak – Vjena.

Në përmbajtje thuhet se, si rezultat i një vendimi nga autoritetet e qytetit të Vjenës, janë ofruar ndihma të ndara në pako me pagesa të njëhershme prej 200 eurosh dhe masa strukturore, nga të cilat do të përfitojnë më shumë se një milion banorë.


Vegëzat e artikullit të publikuar në Facebook nga faqet “Gazeta” dhe “Gazeta Ditore”:

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=pfbid099E1MxzNEjjPs85RyeHJ9XtG8pF9gvNqefgyzmYv4pzw3eytuApNcv7wQenMQPadl&id=100044412430177

https://www.facebook.com/GazetaDitoree/posts/pfbid0hJJNR1iXwUCrmgQhG1Rj3s7i954p2MkszzKoPVuuCubYZgKAKgJUzrjAzAbXCjHl


Duke e ditur se këto faqe publikojnë artikuj që kanë të bëjnë me Kosovën dhe Shqipërinë (shih këtu dhe këtu), kjo mund të dezinformojë audiencën, duke i bërë mendojnë se një vendim i tillë është marrë në ndonjërin nga këto vende shqipfolëse.


Pas hulumtimit përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë artikullin autentik të publikuar nga portali në gjuhën shqipe “albinfo.ch” me datë 15 qershor 2022. Në fakt, në këtë artikull shkruhet rreth vendimit, të paraqitur nga kryetari i Vjenës, Michael Ludwig. (shih këtu)


Kjo nuk është hera e parë që ky artikull është publikuar nga portale të dyshimta, pasi në muajin qershor i njëjti është shpërndarë edhe nga portali tjetër i dyshimtë “mergimtarshqip.com”, e që gjithashtu është verifikuar nga hibrid.info. (shih këtu)


Analiza:

Faqet “Gazeta” dhe “Gazeta Ditore” kanë publikuar në Facebook një artikull të portalit të dyshimtë “ingazetaa.com” lidhur me vendimin që ka marrë qyteti i Vjenës, për të ndihmuar më shumë se 1 milion qytetarë të saj me nga 200 euro, shkaku i rritjes së faturave të energjisë.

Mirëpo, këtij artikulli i është vënë titull përgjithësues, duke mos e bërë të qartë se cili vend ka marrë një vendim të tillë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.


Arsyetimi:

“Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others