Përgatiti: Festim Rizanaj
Në javën e fundit, çrregullimi informativ në mediat reale dhe sociale është dominuar nga përmbajtje të paverifikuara, siç tregon monitorimi.
Gjatë javës janë publikuar disa përmbajtje të paverifikuara në media dhe rrjete sociale. Më 16 dhe 17 gusht, disa faqe në Facebook si “Korrekt Press”, “Realiteti”, “Kosova Channel”, “Gazeta Plisi” dhe “Diaspora me Albinin” shpërndanë pretendime se së shpejti në Kosovë do të arrijnë kundërajrorë “Korkut 8×8” të blerë nga Turqia, por Hibrid.info nuk gjeti asnjë burim apo fakt zyrtar që e konfirmon këtë informacion. Po ashtu, më 19 gusht, mediumet online “rtv21.tv” dhe “demokracia.com” publikuan një artikull me titullin “Bizneset nisin javën pa energji elektrike, konfirmojnë se kanë nisur procedurat për ikje nga Kosova”. Verifikimi tregoi se pretendimi ishte përgjithësues, pasi mbështetej vetëm në deklaratën e një burimi të vetëm. Ndërkohë, më 22 gusht, portalet “Indeksonline.net” dhe “Demokracia.com” raportuan se ishte djegur vetura e kandidatit për kryetar të Komunës së Zveçanit. Pas verifikimit doli se kjo nuk ishte e saktë, pasi vetura i përkiste Çaslav Sofronijeviqit, këshilltar i ish-Kryetarit të Zveçanit nga Lista Serbe, Dragisha Miloviq.
Në javën e fundit janë shpërndarë disa përmbajtje të rreme në rrjete sociale. Më 18 gusht, një llogari në TikTok me emrin “ffrmir” publikoi një imazh të Rifat Jasharit, vëllai i komandantit dhe themeluesit të UÇK-së, Adem Jashari, të shoqëruar me mbishkrimin se ai ka deklaruar që “PDK-ja nuk e dha asnjë cent për Drenicën, sheshin e ndërtoi KFOR-i, Prekazin e ndërtoi Turqia, ndërsa Kosovën Ibrahim Rugova”. Verifikimi i fakteve tregoi se nuk ekziston asnjë burim që ta mbështesë këtë pretendim. Po ashtu, është shpërndarë një fotografi e presidentit të Real Madridit, Florentino Pérez, me mbishkrimin që pretendon se klubi nuk do të shesë bileta për anëtarë të komunitetit LGBTQI+. Ky imazh është publikuar në llogarinë në Facebook të imamit shqiptar, Ahmed Kalaja. Hibrid.info konstatoi se nuk ekziston asnjë vendim zyrtar i Real Madrid që do ta konfirmonte këtë pretendim.
Si raportim i njëanshëm u vlerësua publikimi i një videoja më 20 gusht nga “Klan Kosova” me titullin “Aksidenti në Gjermani – Tre të lënduar në autobusin e Kosovës”. Hibrid.info konstatoi se titulli pasqyron vetëm versionin e kompanisë, ndërkohë që raportime të tjera flasin për më shumë të lënduar.
Clickbait/Dezinformatë u vlerësua artikulli me titull “Zyrtarja e lartë amerikane ‘urdhër’ të prerë për Kurtin: Mos gabo t’a përjashtosh Listën Serbe nga zgjedhjet”. Verifikimi nga Hibrid.info tregoi se titulli është dezinformues dhe nuk përputhet me deklaratën e Anu Prattipatit, e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane.
Përmbajtje e paverifikuar
Publikohen përmbajtje ku pretendohet se së shpejti në Kosovë do të arrijnë kundërajrorë “Korkut 8×8” te blerë nga Turqia. Këto përmbajtje janë publikuar të shtunën dhe të dielën ( 16 dhe 17 gusht) nga disa faqe në Facebook si: “Korrekt Press”, “Realiteti”, “Kosova Channel”, “Gazeta Plisi” dhe “Diaspora me Albinin”. Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë burim apo fakt zyrtar që konfirmon pretendimin. (këtu)
Është publikuar një artikull i titulluar “Bizneset nisin javën pa energji elektrike, konfirmojnë se kanë nisur procedurat për ikje nga Kosova”. Artikulli është publikuar të hënën (19 gusht) nga mediumet online “rtv21.tv” dhe “demokracia.com”. Hibrid.info ka konstatuar se pretendimi i paraqitur në titull dhe në artikull se “bizneset konfirmojnë se kanë nisur procedurat për ikje nga Kosova” është përgjithësues, pasi ky pretendim mbështetet vetëm në deklaratën e një burimi. (këtu)
U raportua për një rast të djegies së veturës së kandidatit për kryetar të Komunës së Zveçanit. Artikulli me këtë pretendim u publikua të premten (22 gusht) nga portalet informative “Indeksonline.net” dhe “Demokracia.com”. Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se pretendimi është i pasaktë. Vetura e djegur i përket Çaslav Sofronijeviqit, këshilltarit të ish-Kryetarit të Zveçanit nga Lista Serbe, Dragisha Miloviq. (këtu)
Lajm i rremë
Publikohet një imazh ku shfaqet Rifat Jashari, vëllai i Adem Jasharit, komandantit dhe themeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me mbishkrimin që pretendon se ai ka deklaruar se “PDK-ja (Partia Demokratike e Kosovës) nuk e dha asnjë cent për Drenicën, sheshin e ndërtoi KFOR-i, Prekazin e ndërtoi Turqia, ndërsa Kosovën Ibrahim Rugova”. Kjo përmbajtje me këtë pretendim është publikuar të hënën (18 gusht) nga një llogari në TikTok, me emrin “ffrmir”. Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë burim që do të konfirmonte pretendimin në fjalë. (këtu)
Është publikuar një fotografi, ku shihet presidenti i klubit të futbollit Real Madrid, Florentino Pérez, e shoqëruar me një mbishkrim që pretendon se ky klub nuk do të shesë bileta për anëtarë të komunitetit LGBTQI+. Imazhi me këtë pretendim është publikuar në llogarinë në Facebook të imamit shqiptar, Ahmed Kalajës. Hibrid.info ka gjetur se nuk ka vendim zyrtar të publikuar nga Real Madrid, ku do të konfirmohej pretendimi. (këtu)
Raportim i njëanshëm
Publikohet një video-material me titull “Aksidenti në Gjermani – Tre të lënduar në autobusin e Kosovës”. Videoja me këtë titull është publikuar të mërkurën (20 gusht) në kanalin zyrtar në Youtube të televizionit “Klan Kosova”. Hibrid.info gjeti se pretendimi i paraqitur në titull pasqyron vetëm versionin e kompanisë, autobusi i së cilës u përfshi në aksident, ndërkohë që raportimet tjera flasin për numër më të madh të të lënduarve. (këtu)
Clickbait/Dezinformatë
Disa portale informative në shqip, të enjten (21 gusht), shpërndanë artikullin me titull “Zyrtarja e lartë amerikane ‘urdhër’ të prerë për Kurtin: Mos gabo t’a përjashtosh Listën Serbe nga zgjedhjet”. Përkatësisht, artikulli u publikua nga mediat online si “Periskopi.com”, “Jepize.com”, “Lajmi.net” dhe “Kfvagency.com”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titulli nuk korrespondon me deklaratën e Anu Prattipatit, e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane. (këtu)
Narrativa të pabaza në mediat serbe
Dorëzimi i 50 automjeteve të blinduara nga SHBA për Qeverinë e Kosovës më 15 gusht u paraqit nga disa media serbe si “armatësim kundër serbëve”, duke e ndërlidhur me frikësimin dhe shpërnguljen e tyre nga Kosova. (këtu)
Nominimi i studentëve protestues nga Serbia për Çmimin Saharov nga eurodeputetët Irena Joveva dhe Helmut Brandšteter më 18 gusht u raportua me narrativë delegjitimuese. Në këto raportime u përdor strategjia e “fajësimit përmes ndërlidhjes” (guilt by association), duke u rikthyer në vitin 1991 kur Çmimin Saharov e fitoi Adem Demaçi, për ta paraqitur çmimin si të komprometuar dhe të lidhur me “figura terroriste”. (këtu)



