Përgatiti: Festim Rizanaj
Dezinformatat dhe teoritë konspirative kanë qenë kategoritë dominuese të keqinformimit gjatë monitorimit të mediave dhe platformave sociale në javën e kaluar.
Gjatë javës së kaluar, në platforma sociale dhe media janë shpërndarë disa dezinformata që synonin manipulimin e opinionit publik. Në platformën “X” u publikua një video e vitit 2018, duke u paraqitur rrejshëm si një ngjarje aktuale në Britani të Madhe, ku pretendohej se një shqiptar imigrant ilegal po përpiqej të grabiste një shtëpi. Në Facebook, faqja “indeksonline.net” shpërndau një imazh me pretendimin se kishte nisur faturimi i energjisë me 15% më shtrenjtë, ndonëse vendimi për këtë çështje ende nuk ishte marrë. Ndërkohë, mediat në gjuhën serbe raportuan pa fakte për kaos në klubin futbollistik Deçiq të Malit të Zi, duke e lidhur atë me ndryshimin e stemës së klubit, pretendim i cili u mohua nga vetë presidenti i klubit.
Teoritë konspirative janë publikuar në media në gjuhën serbe. Mediumi serb “pravda.rs” pretendoi se presidenti i Kenias, William Ruto, ka marrë para nga Behgjet Pacolli për të njohur Kosovën si shtet të pavarur, pa ofruar prova – duke u bazuar vetëm në deklaratën e një ish-ambasadori serb. Po ashtu, “Politika.rs” raportoi se sulmi me bombë në zyrën postare në Zveçan ishte një “operacion sekret” i organizuar nga Prishtina, pa ofruar prova konkrete, ndërkohë që autoritetet në Kosovë po hetojnë aktin si një krim. Gjithashtu, mediumi “Alo.rs” raportoi pa fakte se një person i maskuar ka shkatërruar flamurin e Kishës Ortodokse Serbe në Rahovec, duke e lidhur këtë incident me komunitetin shqiptar. Policia e Kosovës nuk ka mundur të identifikojë autorin, dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka lidhur incidentin me retorikën antiserbe të Prishtinës, po ashtu pa prova konkrete.
Përmbajtje të paverifikuara janë publikuar në media në gjuhën shqipe, të cilat kanë shpërndarë informacione të pasakta. Mediumet “PressOnline.info” dhe “Koha.mk” publikuan artikuj ku pretendohej se një numër i madh arinjsh kishin bllokuar hyrjen e Parkut Kombëtar Yellowstone në SHBA, mirëpo Hibrid.info ka vërtetuar se fotografia e përdorur për këtë pretendim ishte gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale. Po ashtu, më 1 prill, disa media si “botasot.info”, “ballkani.info” dhe “zyrtare.net” raportuan se një vajzë 23-vjeçare kishte vdekur pasi ishte goditur nga një polic në vendkalim për këmbësorë në Pejë. Verifikimi ka treguar se megjithëse aksidenti ka ndodhur, viktima nuk ka ndërruar jetë, por gjendja e saj shëndetësore mbetet e rëndë.
Mashtrim u vlerësua një imazh i shpërndarë nga “A1TV” më 2 prill, që tregon një “njeri-ujk” me mbishkrimin se një aparat fotografik i kafshëve të egra e ka kapur këtë specie. Hibrid.info ka vërtetuar se fotografia është krijuar me Inteligjencë Artificiale (IA) dhe nuk është një imazh autentik.
Lajm i rremë u vlerësua, një postim në Facebook nga llogaria “Lule Gjeli”, e cila shpërndau një fotografi të Vlora Çitakut me pretendimin se PDK-ja kishte kundërshtuar marrëveshjen ushtarake Kroaci-Shqipëri-Kosovë. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info vërtetoi se PDK-ja nuk ka shprehur asnjë qëndrim të tillë.
Përmbajtje e paverifikuar
Publikohen artikuj në gjuhën shqipe që pretendojnë se një numër i madh i arinjve kanë bllokuar rrugën para hyrjes së Parkut Kombëtar të Yellowstone në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Artikujt janë publikuar nga dy mediume me emrat “PressOnline.info” (26 mars) dhe “Koha.mk” (29 mars). Hibrid.info ka gjetur se fotografia me anë të cilit është paraqitur pretendimi, është gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale (IA). (këtu)
Mbrëmë, media të ndryshme në gjuhën shqipe kanë publikuar artikuj me përmbajtje pothuajse të njëjtë, të titulluar, “Vdes 23-vjeçarja që u godit nga një polic në zebra në Pejë, ky është identiteti i autorit”. Përmbajtja me këtë pretendim është gjetur e publikuar më 1 prill në mediat si: “botasot.info”, “ballkani.info” dhe “zyrtare.net”. Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur dje në fshatin Qyshk të Pejës, ku një këmbësore është goditur nga një veturë. Mirëpo, për dallim nga raportimet e djeshme se viktima ka vdekur, Hibrid.info ka gjetur se gjendja e saj vazhdon të jetë e rëndë. (këtu)
Teori konspirative
Nëpërmjet një titulli është pretenduar se presidenti i Kenias, William Ruto, ka marrë para nga ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, që Kenia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Publikimi u bë nga mediumi në gjuhën serbe “pravda.rs”, me titull “Ruto mori para nga Pacolli për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë”. Artikulli u publikua më 27 mars dhe në imazh kryesor përdoret një fotografi e ceremonisë së nënshkrimit të deklaratës njohëse. Artikulli nuk shfaq as edhe një fakt se Ruto ka marrë para për njohjen e Kosovës. Në fakt e gjithë përmbajtja bazohet në një deklaratë të ish-ambasadorit serb në Kenia, Dragan Zupanjevac për “Kosovo-online.com”. (këtu)
Në një artikull të publikuar më 3 prill nga Politika.rs, titulluar “Operacioni sekret i Kurtit para postës në Zveçan”, pretendohet se sulmi me bombë ndaj zyrës postare në Zveçan ishte pjesë e një operacioni të organizuar nga institucionet e Prishtinës, me mbështetje nga një shërbim inteligjent evropian. Gazeta po ashtu përmend vendosjen e eksplozivit në kanalin Ibër-Lepenc, duke e cilësuar si një inskenim të ngjashëm, pa ofruar asnjë provë të besueshme dhe duke mbetur në një narrativë konspirative. Ndërkohë, Policia e Kosovës njoftoi se një ose disa persona të panjohur hodhën granata dore, dhe njësia anti-terror është duke punuar intensivisht për të zbuluar autorët, ndërsa Prokuroria e Shtetit është njoftuar dhe ka iniciuar hetimet për “shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”. (këtu)
Mediumi “Alo.rs” ka publikuar një artikull me pretendimin se një person i maskuar ka shkatërruar flamurin zyrtar të Kishës Ortodokse Serbe në Rahovec, duke e lidhur këtë incident me komunitetin shqiptar, por pa ofruar prova për këtë. Sipas kamerave të sigurisë, ngjarja është regjistruar më 1 prill 2025, ku një person i maskuar ka hyrë në oborr dhe ka shqyer flamurin, duke vjedhur një flamur tjetër, ndërsa Policia e Kosovës nuk ka mundur të identifikojë autorin. Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar duke e lidhur incidentin me retorikën antiserbe të Prishtinës, por pa paraqitur prova konkrete lidhur me motivet ose identitetin e kryesve të veprës. (këtu)
Dezinformatë
Është publikuar në platformën sociale “X” një video që shfaq disa zyrtarë policorë teksa kapin një person i cili po tentonte të thyente derën e një shtëpie. Në publikimin e llogarisë në gjuhën angleze “VukFeNix” pretendohet se i dyshuari është një shqiptar imigrant ilegal teksa tenton të futet në një shtëpi në Britaninë e Madhe për të kryer grabitje. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, del se videoja është e vjetër, e vitit 2018. E në raportimet e asaj kohe nuk ishte bërë e ditur se i dyshuari është shqiptar imigrant ilegal. (këtu)
Është publikuar një imazh me mbishkrimin, “Nga sot nis faturimi i energjisë për 15% më shtrenjtë”. Ky imazh është publikuar në faqen në Facebook të mediumit “indeksonline.net”, dhe ka të bashkangjitur në koment artikullin me po të njëjtin titull. Hibrid.info ka gjetur se faturimi i energjisë mund të nisë nga 1 prilli, por vendimi për shtrenjtimin ose të jo të çmimit të rrymës do të merret më 11 prill. (këtu)
Mediat në gjuhën serbe kanë pretenduar se në klubin futbollistik “Deçiq” të Malit të Zi po ndodh kaos. Shkak për këtë, këto media pretendonin të jetë ndryshimi i stemës së këtij klubi futbollistik. Mirëpo, presidenti i KF Deçiqit, Pal Dreshaj, në një paraqitje televizive, i ka mohuar pretendimet e mediave në gjuhën serbe për kaos, duke thënë se këto pretendime janë gënjeshtra. Po ashtu, për të njëjtën arsye, pra për ndryshimin e stemës së KF Deçiqit, mediat në gjuhën serbe patën raportuar pa fakte se edhe më 2024 ishte anuluar miqësorja me KF Radniçkin (Serbi). Ky pretendim po ashtu ishte hedhur poshtë, pasi në ditën kur përballja testuese Radniçki vs Deçiqi ishte anuluar, edhe miqësorja tjetër mes Mornarit (Mal i Zi) e Mlladostit nga Luçani (Serbi) ishte anuluar, dhe arsyeja kishte qenë moti i lig. (këtu)
Mashtrim
Publikohet një imazh ku shihet një “njeri-ujk”, me mbishkrimin që pretendon se një aparat fotografik i kafshëve të egra e ka kapur këtë specie specifike në pjesën e dendur të pyllit. Fotografia është publikuar dje (2 prill) nga “A1TV”, faqe në Facebook dhe më pas është shpërndarë edhe nga media apo faqe të tjera. Hibrid.info ka gjetur se kjo përmbajtje është gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale (IA). (këtu)
Lajm i rremë
Publikohet një fotografi e Vlora Çitakut, sekretare e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me mbishkrimin që pretendon se ky subjekt politik ka kundërshtuar marrëveshjen ushtarake Kroaci-Shqipëri-Kosovë, duke e konsideruar si të padobishme nëse Serbia nuk është pjesë e saj. Kjo përmbajtje me këtë pretendim është publikuar (23 mars) në Facebook, nga llogaria me emrin “Lule Gjeli” Hibrid.info ka gjetur se PDK-ja nuk ka shprehur qëndrimin çfarë pretendohet në këtë postim. (këtu)