[email protected]
Shfuqizimi i masave anti-Covid nuk ka të bëjë me Kosovën
shape
shape
shape

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar artikullin me titull “Shteti pritet t’i shfuqizojë të gjitha masat anti-Covid”, ndërsa në fotografinë ilustruese ka vendosur një imazh në të cilën shihet një pjesë e qytetit të Prishtinës.

Me këtë fotografi ilustruese të vendosur në këtë artikull, ky medium online ka lënë të kuptohet se lajmi për shfuqizimin e masave anti-Covid ndërlidhet me Kosovën, pasi edhe në titull nuk qartësohet se për cilin shtet bëhet fjalë.

Me të hyrë në tekst, atëherë bëhet e ditur se fjala është për shtetin e Danimarkës, ku thuhet se kryeministrja daneze Mette Frederiksen duhet të njoftojë të mërkurën se të gjitha kufizimet e vendosura nga pandemia e Covid-19 do të hiqen në vend deri në fund të janarit.

Duke ditur se portali “kosova-sot.info”, është i regjistruar në Kosovë dhe shumicën dërmuese të lexuesve i ka shqipfolës, artikulli me titull përgjithësues e jo sqarues, mund t’i dezinformojë lexuesit, duke lënë të kuptohet se shfuqizimi i masave kufizuese anti-Covid ka të bëjë me Kosovën.


Vegëza e artikullit të publikuar në “Kosova-sot.info”:

https://www.kosova-sot.info/lajme/596967/shteti-pritet-ti-shfuqizoje-te-gjitha-masat-anti-covid/


Hibrid.info ka arritur të gjejë këtë fotografi të publikuar më parë si ilustrim për ngjarje që ndërlidhen me qytetin e Prishtinës.

Portalet si “GazetaExpress.com” e “Abcnews.al” e kanë përdorur këtë fotografi në artikujt e tyre lidhur me rastet aktive me Covid-19 në Prishtinë. (shih këtu dhe këtu)


Analiza:

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar artikullin që ka të bëjë me Danimarkën, e cila pritet që në fund të muajit janar të shfuqizojë masat anti-Covid.

Por, në publikimin e këtij artikulli është vendosur fotografi tjetër, ajo e një pjese të qytetit të Prishtinës dhe kjo mund t’i dezinformojë lexuesit, duke lënë të kuptohet se ky vendim ka të bëjë me shtetin e Kosovës.

Nga analiza e kontrollit të fakteve e kryer nga hibrid.info, ky artikull merr vlerësimin si “clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others