Të fundit | Nuk ka vendim të ri për rritjen e pensioneve në Kosovë Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime të rreme për FSK-në në Gaza, imazhe të gjener… Të fundit | Format e keqinformimit që mund të shfaqen për misionin e FSK-së në Gaza Të fundit | 29.2% e qytetarëve të BE-së verifikuan informacionin online në vitin 2025 Të fundit | Titulli përgjithëson shpenzimet buxhetore duke i paraqitur pasaktë si shpen… Të fundit | Pretendim i rremë se dy ushtarë të FSK-së humbën jetën në Gaza pas një sulm… Të fundit | Titulli nuk tregon se udhëzimi për furnizime tre ditëshe vlen për qytetarët… Të fundit | Tieger nuk ka thënë se Thaçi e Veseli kanë vrarë policë serbë, audioja u gj… Të fundit | Senatori i zgjedhur El-Sayed nuk është deklaruar hapur për mbylljen e kampi… Të fundit | Keqpërdorimi i logove të mediave për t’i paraqitur lajmet e rreme si të vër…
[ ARTIKULLI ]

Propozimi i Qeverisë s’parasheh rritje page më të madhe për Kurtin, por për të gjithë njësoj

HIBRID

Shkroi: Etrit Rexhepi

“Albin Kurti ia rrit pagen me se shumti vetes!!! TURP” është mbishkrimi që i është vënë një fotografie të publikuar në TikTok e në të cilin shihen pagat në sektorin publik, sipas propozimit më të ri të Qeverisë së Kosovës.

Publikimi u bë nga llogaria me emrin “tavnikcitypdk” dje (30 tetor). Llogaria ka marrë për bazë një publikim të portalit “indeksonline”, ndërsa i ka shtuar mbishkrimin.


E vërteta?

Propozimi për rritje të pagave bruto vlen për të gjithë punonjësit në sektorin publik, siç është prezantuar para mediave dy ditë më parë. Rritja e propozuar për paga bruto është 55 euro nga muaji janar 2025 dhe 55 euro të tjera nga muaji korrik 2025. Pra propozimi vlen për të gjithë dhe jo që për dikë të ketë rritje bruto më shumë se për dikë tjetër.

Llogaria në fjalë në median sociale TikTok ka marrë një publikim të portalit “indeksonline” në Facebook. Aty paraqiten pagat bruto të liderëve shtetërorë aktualisht dhe pagat bruto sipas propozimit të Qeverisë nga viti i ardhshëm. Në listën e publikuar, paga bruto e presidentes është më e larta me 1980 euro bruto aktualisht dhe me 2090 euro sipas propozimit pas korrikut të ardhshëm. Paga e kryeministrit është e dyta me 1870 euro bruto aktualisht dhe 1980 euro bruto sipas propozimit pas korrikut të ardhshëm. Në listë paraqiten edhe pagat bruto të zëvendëskryeministrave, ministrave, deputetëve e zëvendësministrave. Në të gjitha shihet se rritja është 110 euro – pra rritje e njëjtë për të gjithë punonjësit.

Publikimi nga “tavnikcitypdk” deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info, ka grumbulluar më shumë se 181 mijë klikime. Publikimi ka marrë mbi 1300 pëlqime e më shumë se 280 komente.


Çka u propozua nga Qeveria?

Në një konferencë për media më 29 tetor, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, paralajmëruan që të mos ketë rritje të vlerës së koeficientit (që aktualisht është 110 euro), por që të rritet koeficienti për një njësi (0.5 në janar dhe 0.5 në korrik), për secilin punonjës të sektorit publik.

“Pra, vlera e një koeficienti mbetet 110 euro, mirëpo rritet sasia e koeficientëve për një njësi, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm për 0.5 njësi, pra për gjysmë njësie, dhe pastaj nga korriku i vitit të ardhshëm edhe për 0.5 njësi të tjera. Me fjalë tjera, dikush që e ka koeficientin 5.6, në janar i bëhet 6.1, kurse në korrik koeficienti i bëhet 6.6. Ngjashëm edhe për dikë që ka koeficientin 10.5, nga janari i bëhet 11.0, kurse nga korriku i bëhet 11.5. Shprehur në vlerë monetare, i bie që të gjithë të punësuarit në sektorin publik, pagat për ta do të rriten për 55 euro duke filluar nga janari, dhe për 110 euro nga muaji korrik i vitit të ardhshëm 2025”, ka thënë kryeministri Albin Kurti në konferencë.


Analiza:

Llogaria “tavnikcitypdk” në TikTok ka publikuar një imazh të marrë nga portali informativ “indeksonline” e në të cilën shihet një listë me pagat aktuale të liderëve shtetërorë dhe të pagave të propozuara nga Qeveria për vitin e ardhshëm. Kjo llogari në TikTok ia ka shtuar imazhit mbishkrimin “Albin Kurti ia rrit pagen me se shumti vetes!!! TURP”.

Megjithatë, sipas propozimit të Qeverisë për rritje pagash në vitin e ardhshëm, por edhe vetë lista e publikuar nga llogaria në fjalë, tregojnë se rritja është propozuar që të jetë e njëjtë për të gjithë (nga 55 euro bruto në janar 2025 dhe nga 55 euro të tjera në korrik 2025).

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë publikim si “Manipulim i fakteve” dhe “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere