Shkroi: Festim Rizanaj
Në kontekstin e zhvillimeve politike dhe rajonale në Kosovë, sensacionalizmi në media është një faktor që ndikon drejtpërdrejt në keqinformimin e publikut. Mediat shqiptare si, “Ntv.al”, “Euronews.al” dhe “Top Channel”, shpesh përdorin tituj sensacional në raportimet e tyre për Kosovën, duke krijuar një atmosferë paniku dhe tensioni. Këta tituj, të krijuar për të tërhequr vëmendje, shpesh amplifikojnë informacion të paplotë ose të shtrembëruar, duke kontribuar në keqinformim.
Hibrid.info i ka trajtuar disa nga artikujt e publikuar në media të Shqipërisë në të cilat titujt, përveçse kanë qenë sensacionalë dhe të ekzagjeruar, ato nuk i janë korresponduar dhe përgjigjur përmbajtjes.
Së fundmi, lidhur me konferencën e presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, për çështjen e Kosovës, në euronews.al u publikua një artikull me titull, “Takim me 60 liderë botërorë”-Vuçiç: Do shpallim Kosovën krahinë autonome të Serbisë”. Pra, titull pretendon se Vuçiq, të ketë thënë se “do ta shpallin Kosovën krahinë autonome të Serbisë”. Për shkak të mos verifikimit të përmbajtjes ky titull qon në keqinformim për shkak se, siç dihet, Kosova, në kushtetutën e Serbisë veçse njihet si “krahinë autonome e Serbisë”. (këtu)
Edhe në diskutimet e fundit lidhur me mundësinë e hapjes së urës Ibrit, në artikujt e publikuar në mediumin “ntv.al” u përdorën tituj sensacionalë që ndikojnë ne keqinformim te publiku. Në një video-material të publikuar nga ntv.al, në ballinën e të cilit është vendosur mbishkrimi “Vjen vendimi, hapet Ura e Ibrit”. Përderisa, video-materiali (kronika) përmban kronika televizive të ndryshme që lidhen me Kosovën, por nuk përfshin asnjë njoftim zyrtar për hapjen e urës. (këtu)
“Hapet ura e Ibrit” është titulli tjetër që është përdorë, në ballinën e videos së publikuar nga “ntv.al” është e vendosur edhe një fotografi e presidentes Vjosa Osmani. Pretendimi i cekur në ballinën e videos nuk qëndron. Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë nuk është hapur dhe nuk ka vendim zyrtar për hapjen e saj. (këtu)
Një titull tjetër që u përdorë lidhur më çështjen e urës së Ibrit, nga “ntv.al”, ishte edhe “Ikën KFOR, ura mbetet bosh/ Lëvizja e fundit e NATO-s mbi Ibër”. Nëpërmjet një titulli është pretenduar se Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë ka mbetur bosh e se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, u largua nga ajo. Titulli nuk mbështetej as në përmbajtjen e vetë artikullit, as në zhvillimet e fundit rreth urës, por as në qëndrimet zyrtare të KFOR-it dhe të institucioneve të Kosovës. (këtu)
Krahas këtyre, hibrid.info ka trajtuar edhe disa artikuj tjetër të publikuar nga “ntv.al” dhe “euronews.al”, e që ndërlidhen me zhvillimet në Kosovë, titujt e të cilëve nuk i korrespondojnë përmbajtjes apo janë të ekzagjeruar dhe të paverifikuar. (këtu, këtu, këtu, këtu)
Për më tepër, në internet po qarkullojnë disa përmbajtje me tituj sensacionalë të publikuara nga mediumet në Shqipëri, si Top-Channel dhe Euronews.al. Disa nga këta tituj janë: “TOP SECRET! Blindohet KOSOVA/ zbardhet plani SERB” (këtu), “Prag lufte në Veri?! Zbulohet plani i BE: Kurti-Vuçiç të kthehen urgjent në dialog” (këtu), “SERBIA niset drejt KOSOVËS me armatimin deri në fyt?/ VUÇIÇ urdhër të prerë, sulm…” (këtu).
Pra, bazuar në shembujt e mësipërm, shihet që titujt shpesh janë të ekzagjeruar dhe përqendrohen në aspektet më të frikshme të situatës, duke nënvlerësuar rëndësinë e analizës kritike dhe të detajuar të çështjeve. Si pasojë, publiku informohet në mënyrë të njëanshme dhe krijohet një perceptim i gabuar i realitetit.