[email protected]
Rishikimi i javës: Dezinformatë me përqindjen e përkatësisë fetare në Kosovë, lajm i rremë për sondazhe zgjedhore, mashtrime për tema sociale
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Si rezultat i gjetjeve dhe trajtimeve të keqinformatave të publikuara gjatë javës që shkoi, lajmet e rreme janë ato që dominuan ekosferën keqinformuese.

Të gjitha lajmet e rreme janë publikuar në media sociale, konkretisht në Tiktok. Në Tiktok, është pretenduar për një sondazh lidhur me zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 9 shkurt 2025 në Kosovë; se është arritur marrëveshje për sigurimin e tankeve të shfaqura në fotografi; se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë nën akuza për krime ndaj njerëzimit, është dënuar me burgim të përjetshëm; se Kosova ka siguruar tanke nga Turqia; se ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe kryetarit të partisë Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, u janë bllokuar transaksionet dhe pasuritë jashtë vendit.

Dezinformata janë vlerësuar dy publikimet në media sociale dhe media reale. Në media sociale është publikuar një grafikë me të dhëna në përqindje për përkatësinë fetare në Kosovë, duke mos sqaruar se e njëjta është e vjetër. Ndërsa në media reale, është paraqitur si aktuale video në të cilën shihet se si një kamerier e kishte larguar një vajzë që kërkonte lëmoshë afër tavolinës ku ishte ministri i Bujqësisë, Faton Peci, por pa sqaruar se videoja është e vjetër.

Clickbait/Dezinformatë është vlerësuar një video-material i titulluar “‘Pakti i fshehtë për Kosovën’ Gati ndarja e vendit”, për të cilin nuk bëhet e ditur në titull që bëhet fjalë për opinion të një analisti.

Clickbait është vlerësuar një artikull i titulluar “Një person i cili u rrëmbye në moshën gjashtë vjeçare gjendet i gjallë”, e që nuk i bëhet e ditur vendndodhja e ngjarjes në titull.

Dezinformatë/Clickbait është vlerësuar publikimi në media reale se ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka kërcënuar Beogradin, duke i bërë thirrje që të përgatitet, pasi nga viti 2025 FSK-ja do të pajiset me helikopterë.

Mashtrimet janë publikuar në media sociale, se nga shtatori të gjithë do të kenë mundësi të marrin 95% të rimbursimit të subvencionit të faturës së energjisë elektrike; se ofrohen zbritje për biçikleta elektrike deri në 40%.

Përmbajtje e paverifikuar është vlerësuar artikulli me pretendimin se disa trajnime të ndryshme të Policisë së Kosovës që janë kryer deri së fundmi në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, janë anuluar.

Manipulim i fakteve është vlerësuar një video e vjetër nëpërmjet të cilës pretendohet se janë deklarata aktuale të qytetarëve në mbështetje të Bedri Hamzës si kandidat i PDK-së për kryeministër.

Dezinformatë

Është publikuar (22 shtator) një grafikë me të dhëna në përqindje për përkatësinë fetare në Kosovë, duke mos sqaruar se e njëjta është e vjetër. Hibrid.info ka vërtetuar se kjo grafikë është e publikuar në vitin 2017 nga Radio Evropa e Lirë. ASK-ja në të dhënat paraprake nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2024 nuk ka publikuar të dhëna në lidhje me përkatësinë fetare në Kosovë. (këtu)

Portali në gjuhën shqipe “kosova-sot.info” e ka paraqitur si aktuale videon në të cilën shihet se si një kamerier e kishte larguar një vajzë që kërkonte lëmoshë afër tavolinës ku ishte ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Por videoja është e vjetër. Ajo ishte publikuar në dhjetor të vitit 2022 e për këtë kishte dalë me reagim edhe vetë ministri. (këtu)

Lajm i rremë

Nëpërmjet një publikimi në TikTok është pretenduar për një sondazh lidhur me zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 9 shkurt 2025 në Kosovë. Publikimi u bë nga llogaria “mevetevendosje” më 22 shtator. Fotografia e publikuar paraqet listën e katër partive parlamentare dhe përqindjet që supozohet se kanë dalë nga sondazhi. Në këtë sondazh të pretenduar, prin Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 48.8%, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 18% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 6%. E sipas pretendimit, ky sondazh, siç thuhet, është kryer në shtator, pa llogaritur votat nga diaspora. Sondazhi i pretenduar është i rremë. Hibrid.info ka verifikuar në motorin online të kërkimit “Google” dhe nuk është gjetur asnjë burim kredibil që tregon për sondazh me të dhëna të tilla. Me kërkimin me fjalët kyçe “sondazhi, shtator, Kosovë, 2025” nuk ka ndonjë publikim me burim kredibil e që paraqet sondazh të kryer ja publikuar në muajin e fundit. (këtu)

Publikohet një video-material që shfaq fotografinë nga takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin turk, Recep Taip Erdogan Recep Tayyip Erdoğan, me pretendimin që lë të nënkuptohet se është arritur marrëveshje për sigurimin e tankeve të shfaqur në fotografi. Përmbajtja është gjetur e publikuar (21 shtator) në TikTok, nga një llogari që mban emrin “fbi13039”. Hibrid.info ka gjetur informacioni pretenduar nuk është i konfirmuar. (këtu)

Publikohet një video-material, me mbishkrimin që pretendon se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë nën akuza për krime ndaj njerëzimit, është dënuar me burgim të përjetshëm. Pretendimi është publikuar (23 shtator) në TikTok nga një llogari me emrin “pograddeccii”. Gjykimi ndaj ish-presidentit Thaçi po vazhdon dhe ende nuk është marrë asnjë vendim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë. (këtu)

Është publikuar një imazh që shfaq një tank, me mbishkrimin që lë të nënkuptohet se Kosova ka siguruar këtë pajisje nga Turqia. Kjo përmbajtje është publikuar me 23 shtator në TikTok nga një llogari me emrin “oki0804”. Hibrid.info nuk ka gjetur fakte që konfirmojnë informacionin e pretenduar. Deri në momentin e trajtimit, ky postim ka marrë afër 30 mijë shikime dhe 166 komente. (këtu)

Janë publikuar dy përmbajtje që pretendojnë se ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe kryetarit të partisë Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, u janë bllokuar transaksionet dhe pasuritë jashtë vendit. Këto përmbajtje janë publikuar në formë imazhesh me mbishkrime në TikTok, nga llogaritë “grofy_01” dhe “pograddeccii”. Hulumtimi i hibrid.info nuk ka gjetur fakte apo raportime nga media të besueshme që i konfirmojnë këto dy pretendime. E përbashkëta e përmbajtjeve të trajtuara është se në të dyja rastet, iu referohen raportimeve të pretenduara nga media kredibile ndërkombëtare. Derisa në rastin e ministrit Aliu pretendohet se lajmi është raportuar nga gazeta gjermane “Berlin Zeitung”, për ish-deputetin dhe ish-ministrin Limaj pretendohet se ka raportuar “Zëri i Amerikës”. (këtu)

Clickbait/Dezinformatë

Publikohet një video-material e titulluar “‘Pakti i fshehtë për Kosovën’ Gati ndarja e vendit”. Përmbajtja është publikuar (23 shtator) në kanalin zyrtar të televizionit “EuroNews Albania” në Youtube. Në video paraqitet një intervistë e opinionistit, Sadri Ramabaja, nga deklarimet e të cilit, është vërtetuar se kanë ardhur informacionet e paraqitura në titull. Por, në titullin e videos, nuk është specifikuar autori i deklaratave, të paraqitura si informacion. (këtu)

Clickbait

Është publikuar një artikull i titulluar “Një person i cili u rrëmbye në moshën gjashtë vjeçare gjendet i gjallë”. Ky lajm është publikuar nga mediumi në gjuhën shqipe “kosova-sot.info”. Vendndodhja e lajmit bëhet e ditur vetëm në hyrje të artikullit kur thuhet se “Një burrë i cili u rrëmbye në moshën gjashtë vjeçare ndërsa luante në një park në Kaliforni në vitin 1951…”. (këtu)

Dezinformatë/Clickbait

Përmes një postimi pretendohet se ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka kërcënuar Beogradin, duke i bërë thirrje që të përgatitet, pasi nga viti 2025 FSK-ja do të pajiset me helikopterë. Ky pretendim u publikua në formë postimi në Facebook nga faqja e portalit kosova-sot.info (Kosova Sot). “Maqedonci nga Prishtina godet Beogradin: Përgatituni pasi FSK do të ketë helikopterë nga viti 2025, që tërthorazi i bjen e dini çka ju pret”, mban mbishkrimin postimi i publikuar. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky pretendim është i pasaktë. Kjo për faktin se në intervistën e Maqedoncit dhënë për agjencinë e lajmeve “ekonomiaonline.com”, e cila është publikuar nga “kosova-sot.info”, në asnjë rast ministri i mbrojtjes nuk ka bërë një paralajmërim të tillë ndaj Beogradit. (këtu)

Mashtrim

Është publikuar një përmbajtje me mbishkrimin, që pretendon se nga shtatori të gjithë do të kenë mundësi të marrin 95% të rimbursimit të subvencionit të faturës së energjisë elektrike. Ky pretendim është publikuar përmes një vegëze në formë imazhi, (13 shtator) si e sponsorizuar nga një faqe me emrin “WZY’s store”, në Facebook. Hibrid.info ka gjetur se e vetmja mundësi për rimbursim faturash të energjisë elektrike, e ofruar nga institucionet e Kosovës, është ajo e aplikimit për familjet e cenueshme, të cilat kanë filluar të subvencionohen që nga janari i këtij viti. (këtu)

Është publikuar një përmbajtje me pretendimin se ofron zbritje për biçikleta elektrike deri në 40%. Ky postim është publikuar më 18 shtator nga një faqe në Facebook, me emrin “Daily Digest”. Këtij publikimi i mungojnë të dhënat rreth biznesit që ofron mundësinë e pretenduar, gjë e cila e bën ofertën në fjalë jo të vlefshme. Njoftimi është publikuar në formë vegëze të integruar në imazh. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar/Dezinformatë

Nëpërmjet një publikimi, në TikTok është rikthyer një artikull i vjetër me titull “Pasuria e fshehur e katër liderëve: Kadri Veseli 100 milionë, Thaçi 80, Limaj 82, dhe Ramushi 68 milionë dollarë!”. Publikimi në TikTok u bë nga llogaria me emrin “shqipe._shqipe._23” (25 shtator) dhe deri tash ka marrë mbi 60 mijë shikime e mbi 1400 pëlqime. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, rezulton se përmbajtja e artikullit të “botasot.info”, e rikthyer në TikTok nga llogaria “shqipe._shqipe._23” është e pabazuar në fakte. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Përmes një artikulli të publikuar (25 shtator), pretendohet se disa trajnime të ndryshme të Policisë së Kosovës që janë kryer deri së fundmi në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, janë anuluar. Artikulli është publikuar nga portali “dukagjini.com”, duke shtuar se kështu ka mësuar televizioni (Dukagjini) nga burime të afërta me këto zhvillime. Ambasada e SHBA-së në një përgjigje për “klankosova.tv” ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se “Jemi duke vazhduar të rishikojmë këtë çështje, dhe nuk kemi marrë asnjë vendim në këtë kohë”. Gjithashtu, edhe nga Policia e Kosovës është mohuar anulimi i trajnimeve me Ambasadën e SHBA-së, duke thënë se ato nuk janë ndërprerë në asnjë periudhë kohore dhe se vazhdojnë të realizohen edhe më tej. (këtu)

Manipulim i fakteve

Llogaria me emrin “tavnikcitypdk” në TikTok ka publikuar një video nëpërmjet të cilës ka pretenduar se janë deklarata të qytetarëve në mbështetje të Bedri Hamzës si kandidat i PDK-së për kryeministër. Në video është vendosur përshkrimi se qytetarët janë të zhgënjyer me kryeministrin aktual Albin Kurtin. Por pas verifikimit nga hibrid.info, del se videoja ishte nga fushata për zgjedhjet lokale në vitin 2021, kur Hamza garonte për kryetar të Komunës së Mitrovicës. (këtu)

Share With Others

Leave a Reply

Translate »