Faqja në Facebook “GazetaAktive”, ka shpërndarë një postim të një portali të dyshimtë “todaykhobor.com”, në të cilin ka një përmbajtje përmes së cilës pretendohet se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, do të jap paga për të papunët në Kosovë.
Mirëpo, ky pretendim i bërë përmes titullit del të jetë trillim, meqenëse në përmbajtje paraqitet një lajm tjetër – premtimi i Kurtit gjatë fushatës për mbështetje financiare për fëmijët dhe gratë lehona.
Pra, përderisa në titull thuhet se “Albin Kurti vendosë të jap kaq paga për të gjithë të pa punësuarit në Kosovë”, në përmbajtje paraqitet lajmi si në vijim:
Albin Kurti, në ekspozenë e tij para deputetëve të Kuvendit, para se të marr votën për të drejtuar qeverinë, ka thënë se prioritet i punës së tij do të jenë edhe mirëqenia për fëmijët. Ai ka premtuar shtesa për fëmijë dhe nëna lehone. “Për fëmijët deri 2 vjeç do të ndahen 20 euro në muaj, kurse nga 2 vjeç deri në 16 nga 10 euro në muaj”, ka thënë ai, shkruan Reporteri.net.
Vegëza e artikullit të shpërndarë nga Gazeta Aktive:
Përmbajtja e këtij artikullit të sajuar, është e përbërë nga një pjesë e lajmit të publikuar në mars të këtij vit nga mediat lidhur me premtimin e Kurtit, si dhe i njëjti është pjesë e programit zgjedhor të Vetëvendosjes.
Vegëzat e lajmit autentik dhe programit të VV-së:
https://www.vetevendosje.org/alternativa_vv/masat/
Analiza:
Faqja në Facebook “Gazeta Aktive”, në bazë të hulumtimeve të hibrid.info, është e dëshmuar tashmë për krijim dhe shpërndarje të përmbajtjeve të rreme. Në këtë rast, kjo faqe ka shpërndarë një artikull me titull të sajuar dhe, si rezultat i kësaj, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinondormatë” dhe “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.
“Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.