info@hibrid.info
Rozeta Hajdari nuk është liruar nga akuza për keqpërdorim të dyshuar të rezervave shtetërore
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është pretenduar nëpërmjet publikimeve në portale e media sociale, se ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, është liruar nga akuza për keqpërdorim të dyshuar të rezervave shtetërore.

“Rozeta Hajdari lirohet nga akuza”, mban titullin një shkrim i datës 12 shkurt 2026, i publikuar në uebfaqen “prointegra.ch”. Pas verifikimit është vërejtur se përmbajtja është publikuar paraprakisht nga faqja “Lëvizja Vetëvendosje – Obersee St.Gallen – Ch” në Facebook, më 11 shkurt.

E vërteta?

Procesi gjyqësor ndaj Rozeta Hajdarit si dhe tre personave të tjerë tashmë ka nisur dhe nuk ka njoftim zyrtar se për këtë ka vendim të prerë, qoftë lirues apo dënues.

Pretendimet:

Në shkrimet që po trajtohen është dhënë një “analizë e plotë” për rastin e njohur si “rezervat shtetërore”.

Kreu i artikullit:

“Aktualisht ka lajmëruar që Gjykata Supreme e Kosovës ka lënë në fuqi vendimet e mëparshme dhe ka liruar nga akuza ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në rastin e njohur si “rezervat shtetërore”. Ky vendim shënon një moment kyç në një proces gjyqësor që ka zgjatur disa muaj dhe ka përfshirë tensione të mëdha politike”

Në “pasqyrën e zgjeruar të çështjes siç është raportuar deri më tani”, artikulli ka vazhduar me shpjegimin se si nisi ky rast, më pas se si u mbajt seanca e parë e çështjes, cilat ishin qëndrimet e mbrojtjes dhe të Prokurorisë Speciale e në fund edhe “vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës”.

Çka thuhet te kjo pikë?

Sipas pretendimit, Supremja i ka dhënë të drejtë mbrojtjes dhe i ka refuzuar pretendimet ndaj Hajdarit duke e liruar nga akuza.

Faktet:

Më 11 nëntor 2025, Prokuroria Speciale e pati dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzën për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Pos Hajdarit si ministre atë kohë, nën dyshimin për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “zbulim të fshehtësisë zyrtare” akuzoheshin edhe I.L. dhe H.G. Ndërkaq R.M. akuzohej nën dyshimin për kryerje të veprës penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” (shih këtu).

Më 13 janar 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e zhvilloi me dyer të mbyllura seancën fillestare ndaj të pandehurve. Ajo u mbajt e mbyllur me arsyetimin që të ruhen informacionet e klasifikuara.

Pra procesi gjyqësor tashmë ka filluar (shih këtu).

Deri tash, nuk ka pasur vendim të shkallës së prerë, qoftë dënues apo lirues për të pandehurit në rastin në fjalë. Pos mungesës së njoftimit në uebfaqen e Gjykatës Themelore të Prishtinës, kjo vërtetohet nëse kërkohet në “Google” edhe me fjalët “Dënohet Rozeta Hajdari” ose “Lirohet Rozeta Hajdari”. Asnjëra nga kërkimet nuk çojnë në artikuj kredibilë apo njoftime të autoriteteve për vendim lidhur me çështjen e njohur si “rezervat shtetërore”.

Lidhja me Supremen

Imazhi i postuar nga “Lëvizja Vetëvendosje – Obersee St.Gallen – Ch” në Facebook mban edhe fjalinë “Gjykata Supreme refuzon kërkesën e Prokurorisë Speciale, s’ka prova për keqpërdorim në rezervat shtetërore”. Shkrimi është i shoqëruar me fotografinë e Rozeta Hajdarit.

Kërkimi në “Google” me këtë fjali çon në disa artikuj të tetorit të vitit 2024.

Gjykata Supreme, sipas raportimeve, kishte rrëzuar ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit që tre të dyshuarve (R.M., H.G. dhe I.L.) ua kishte ndërprerë masën e paraburgimit për t’u mbrojtur në liri. Apeli, sipas raportimeve, kishte konstatuar se Gjykata Themelore në Prishtinë nuk kishte arritur ta vërtetojë dyshimin e bazuar se tre të dyshuarit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, që është kusht primar për ligjshmërinë e paraburgimit (shih këtu).

Pra vendimi lidhet me tre të akuzuarit tjerë se a është dashur apo jo të mbahen në paraburgim, dhe nuk ka të bëjë me vendim të prerë mbi akuzën ndaj Hajdarit.

Vendimi i Supremes mbi ankesën ndaj Gjykatës së Apelit shpjegohet edhe sipas Ligjit për Gjykatat në Kosovë, që tregon se sistemi i gjykatave përbëhet nga: Gjykatat Themelore (shkalla e parë), Gjykata e Apelit (shkalla e dytë) dhe Gjykata Supreme (shkalla e tretë).

Edhe tani, nëse ka vendim nga Gjykata Themelore, ai mund të ankimohet nga ndonjëra palë në Apel, e mbi vendimin e Apelit mund të ketë ankesë në Supreme. Pra për të mbërritur deri te koha që Supremja të vendosë për rastin, duhet të ketë vendime paraprake.

Por asnjëra nga këto nuk është raportuar të ketë ndodhur.


Hajdari në vazhdimësi ka mohuar akuzat (shih këtu).

Më 2023, tre persona ishin arrestuar për rastin e rezervave shtetërore. Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ishin kryer bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku ishte pretenduar se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.

Sipas njoftimit për aktakuzë nga Prokuroria Speciale, dëmi i shkaktuar buxhetit është 2.9 milionë euro.


Analiza:

Pretendimi se ish-ministrja Rozeta Hajdari është liruar nga akuza për rastin e “rezervave shtetërore” është i pavërtetë.

Procesi gjyqësor është ende në zhvillim në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe nuk ka vendim të formës së prerë.

Vendimi i mëhershëm i Gjykatës Supreme lidhej vetëm me masën e paraburgimit për tre të dyshuar, jo me fajësinë apo pafajësinë e Hajdarit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto përmbajtje si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others