[email protected]
Titulli i paqartë dhe fotografia jo adekuate nuk e përshkruajnë ngjarjen
shape
shape
shape

Artikulli me titull “Dy vajza të moshës 15 dhe 17 vjeçe përdh*unohen nga disa persona” është publikuar dje (16 shtator) nga portali informativ “Kosova-sot.info”.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, rezulton që titulli nuk e bënë të qartë lajmin dhe vendndodhjen e kësaj ngjarje. Kjo bëhet e qartë vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “dy motra adoleshente në Indi janë gjetur të përdhunuara dhe pa shenja jete, të varura në një pemë, në incidentin e fundit të dhunës seksuale që tronditi vendin”.

Duke pasur parasysh se ky portal është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës (shih këtu), kjo mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të hamendësojnë se ngjarja ka ndodhur në Kosovë.

Vlen të ceket se, përveç titullit edhe fotografia e artikullit nuk i përgjigjet përmbajtjes, pasi në të shihet shiriti i policisë në të cilin shkruan shqip “SHIRITI I POLICISE MOS KALONI”, gjë që edhe kjo shërben në krijimin e një perceptimi të gabuar tek lexuesit.


Pjesë nga artikulli i publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:

Dy motra adoleshente në Indi janë gjetur të përdhunuara dhe pa shenja jete, të  varura në një pemë, në incidentin e fundit të dhunës seksuale që tronditi vendin.

Trupat e vajzave, të moshës 15 dhe 17 vjeçe, u gjetën të varura nga shallet e tyre në një pemë pranë shtëpisë së tyre në lagjen Lakhimpur.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:

https://www.kosova-sot.info/lajme/642250/dy-vajza-te-moshes-15-dhe-17-vjece-perdh-unohen-nga-disa-persona/?fbclid=IwAR3rBIVQ-arRxV0s1Xms4qU6m-19BmNXLCenC2OmJn0WrbR7xfbLNakAdrk


Analiza:

Në titullin e artikullit të publikuar nga “Kosova-sot.info” nuk bëhet e ditur se në cilin shtet janë përdhunuar dy vajza të moshës 15 dhe 17 vjeçare.

Gjithashtu, në fotografinë ilustruese shihet shiriti i policisë që shkruan shqip “SHIRITI I POLICISE MOS KALONI”, që lë të kuptohet se ngjarja ka ndodhur në ndonjë shtet shqipfolës. Ndërsa lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se kjo ngjarje ka ndodhur në Indi.

Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që lexuesit parësor i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se një lajmi ka të bëjë me ndonjë zhvillim në Kosovë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others