[email protected]
Trajnimi i YTIM dhe Erasmus+ rreth edukimit medial: Vlerësimet e pjesëmarrësve
shape
shape
shape
EDU

Shkruan Gresë Sermaxhaj

Youth Time ka sjellë atmosferën që ka mbizotëruar në trajnimin gjashtë-ditor të mbajtur në Beograd, Serbi me ekspertë të medias dhe informimit, mirëpo askush nuk mund ta përshkruajë atë më mirë se pjesëmarrësit.

Andaj, në këtë artikull, katër të rinj të mrekullueshëm bashkojnë zërat dhe tregojnë përshtypjet dhe gjërat që mësuan nga ky trajnim.

Këta ishin në mesin e 50 pjesëmarrësve, të më shumë se 20 nacionaliteteve, që nga 27 gusht-1 shtator u mblodhën në kryeqytetin serb për të mësuar dhe për të diskutuar lidhur me mediat dhe informimin në këto kohë.

Temat që u diskutuan ishin; Intelegjenca Artificiale dhe ndikimi i saj në media dhe në rrjete sociale, puna e gazetarëvë, metodat e komunikimit, thashethemet, si dhe liria e shprehjes dhe kufinjtë e saj. Po ashtu, kjo ngjarje u shoqërua me panele interaktive si dhe me një vizitë në agjencinë e lajmeve BETA.

Ashtu siç të gjithë pjesëmarrësit e pohojnë, ky aktivitet fuqizoi dhe frymëzoi këta ta rinj. Duke qenë se përmes kësaj ngjarjeje, të rinjtë jo vetëm që e kuptuan më mirë rëndësinë e mediave në jetën e tyre, por edhe krijuan miqësi gjatë kësaj kohe të vështirë kur të gjithë po përballemi me pandeminë COVID-19.

Të rinjtë që mund të sjellin ndryshimin

Falë këtij programi, 20-vjeçarja Jana Vítová nga Çekia, dëgjoi për herë të parë për Hegelin.

Nga përvoja e saj e kaluar në Islanë, ajo veçse e dinte se do të takonte njerëz të mrekullueshëm në këtë aktivitet.

“Kështu edhe ndodhi në fakt”, pohon ajo.

“Përveç kësaj, kam mësuar diçka shumë të fuqishme, që sipas meje do të duhej të përmendej që në fillim të diskutimeve tona. Është fjala për filozofinë e Hegelit dhe atë se gjithmonë duhet t’i kesh dy anë të ndryshme para se krijosh diçka të re”.

Andaj, nëse e pyesim atë se si ka kaluar në këtë aktivitet, përgjigja e saj përfshin filozofinë e Hegelit.

“Përjetova kohë shumë të mirë dhe u ndjeva shumë e frymëzuar, mirëpo po ashtu kisha edhe momente kur isha e pikeëlluar dhe e inatosur. Në fund, mund t’ i bëj bashkë ndjenjat e mia dhe të arrij te diçka e re- më në fund jam e fortë dhe e gatshme për ta bërë ndryshimin.”, shton ajo e gëzuar.

Vítová nuk është e vetmja që vlerëson kaq lart programin dhe përfitimet e marra nga ai.

23-vjeçarja Olivera Mitić, nga Smederevo, Serbi, po ashtu mendon se programi ishte tejet i mirë- duke filluar që nga organizatorët, folësit e deri te pjesëmarrësit.

“Ishte ndjesi e mrekullueshme të jem e rrethuar me njerëz pasionantë të një fushe e cila më intereson shumë. Kam mësuar shumë gjatë kësaj jave, dhe fakti që kjo ngjarje u organizua në Beograd-qytetin ku kam jetuar vitet e fundit, më jep shpresë së këso aktivitete do të vinë në Ballkan.”

“Mendoj që kemi shumë nevojë për këso aktivitete”, thotë Mitić, gazetare dhe kritike e literaturës.

Vlerësimi i njëri-tjetrit

Falë këtij aktiviteti, 29-vjeçarja Anna Demina, e cila jeton në Petersburg, Rusi, erdhi për herë të parë në Serbi.

“Gjëja më e rëndësishme janë njerëzit. Ngjarjet si kjo nuk janë vetëm shkëmbim i përvojave, por po ashtu të ndihmojnë edhe të gjesh shoqëri. Falë organizatorëve, gjithçka ishte perfekte.”

Demina beson se pjesëmarrësit krijuan një atmosferë të qetë e me disponim të mirë.

“Duke qenë se kjo ishte një pervojë e çmuar, uroj që mund të jem pjesë edhe e aktiviteteve të tjera.”

Një tjetër pjesëmarrës, Christopher Sebastian, po ashtu thekson rëndësinë e pjesëmarrësve.

“Kjo ngjarje më përmbushi shumë. Të gjithë pjesëmarrësit ishin të mrekullueshëm, kurse folësit kishin njohuri të fushës. Organizatorët ishin tejet mbështetës”, thotë Sebastian, i cili është teorist i medias.

Sado që ai nuk erdhi me pritshmëri të qarta, megjithatë krijoi lidhje më të mira se që mund ta parashihte.

“Jam shumë falenderues ndaj Youth Time International Movement”, thotë si si përfundim.

Pasi kemi parë e dëshmuar se si këta pjesëmarrës përfituan nga ky aktivitet, po sjellim ndër mend diçka që Michael Berg, Youth Time International Movement (YTIM), kishte thënë para se të mbahej krajnim.

“Ne kemi për synim që të krijojmë mjedise që janë të rehatshme mjaftueshëm, e mbesim me shpresë do u mundësojmë të tjerëve që të fitojnë njohuri për të pranuar dhe përqafuar dallimet”, kishte thënë ai.

Kurse, sot, thuajse dy javë pas këtij trajnimi, ne mund të shtojmë diçka të kjo:

Trajnimi i YTIM në Beograd krijoi miqësi të reja dhe lidhje të reja profesionale e personale. Nëse kemi parasysh sukseset e trajnimeve të kaluara, duket se thjesht nuk kishte tjetër mundësi.

Rreth YTIM

YTIM është organizatë jo-fitimprurëse dhe jo politike, themeluar në Pragë të Çekisë në vitin 2010 nga tre të rinj pasionantë nga Republika Çeke, Kroacia dhe Rusia, të cilët kishin në mendje nevojën urgjente për të krijuar një nismë për një të ardhme më të ndritur në sfera të ndryshme.

YTIM vlerëson se nevoja për ndryshim shoqëror është urgjente në të gjithë botën dhe se janë pikërisht të rinjtë ata që mund të luajnë rolin më aktiv në krijimin e një komuniteti global drejt arritjes së të ardhmes së ndritur për të gjithë.

Ky trajnim u mbajt falë përkrahjes së marrë nga Erasmus+.

Share With Others