Të fundit | Titulli nuk e tregon se tenderi përfshin edhe institucione që nuk janë pjes… Të fundit | Narrativat për projektin turistik të Kushnerit në Shqipëri Të fundit | Grenell nuk tha se “në shtator do të ketë zgjedhje pas kthimit të Thaçit” Të fundit | Pretendohet rrejshëm se u realizua një sondazh për pëlqyeshmërinë e partive… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se ministri i Jashtëm turk reagoi ndaj Vuçiqit për hap… Të fundit | Projektligji për shqiptarët në Serbi nuk është miratuar ende nga Kongresi a… Të fundit | Titulli nuk sqaron se bëhet fjalë për përfituesit që nuk plotësojnë kritere… Të fundit | Si po përdoret figura e Rifat Jasharit për të prodhuar keqinformata Të fundit | Një deklaratë e sajuar paraqitet si e Kurtit Të fundit | Rishikimi i javës: Fotografi e manipuluar me IA që paraqiste rrejshëm Llugi…
[ ARTIKULLI ]

Transparenca si obligim për përmbajtjet e krijuara me IA

HIBRID

Nga 2 gushti, rregullat e përcaktuara në nenin 50 të Aktit Evropian për Inteligjencën Artificiale (AI Act) vendosin detyrime të reja për transparencën e përmbajtjeve të krijuara ose të manipuluara me AI. Sipas Komisionit Evropian, ofruesit e sistemeve të inteligjencës artificiale duhet të mundësojnë shënjimin e përmbajtjeve të gjeneruara ose të manipuluara në mënyrë që ato të jenë të dallueshme dhe të detektueshme. Ndërkaq, përdoruesit e sistemeve të AI duhet të bëjnë të ditur kur publiku përballet me deepfake ose me përmbajtje tekstuale të gjeneruar me AI për çështje me interes publik, kur kjo përmbajtje publikohet pa shqyrtim njerëzor apo kontroll editorial.

Rregullat e reja synojnë të adresojnë një prej sfidave kryesore të epokës së inteligjencës artificiale: vështirësinë në dallimin mes përmbajtjes autentike dhe asaj sintetike. Komisioni Evropian e lidh drejtpërdrejt transparencën me luftimin e mashtrimit dhe manipulimit, duke e konsideruar identifikimin e përmbajtjeve të gjeneruara me AI si një element të rëndësishëm për ruajtjen e integritetit të ekosistemit informativ.

Në këtë kontekst, puna dhe avokimi i Hibrid.info për transparencën dhe përgjegjësinë në përdorimin e inteligjencës artificiale marrin një rëndësi të veçantë. Pavarësisht se Kosova nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe nuk përfshihet drejtpërdrejt në zbatimin e këtyre rregullave, përshtatja me standardet dhe praktikat evropiane mbetet e rëndësishme për forcimin e integritetit të informacionit dhe përgatitjen e vendit për sfidat që sjellin përmbajtjet e krijuara dhe të manipuluara me AI.

Gjatë muajve të fundit, Hibrid.info ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme çështjen e ndikimit të AI në integritetin e informacionit, duke argumentuar se zhvillimi i shpejtë i teknologjisë duhet të shoqërohet me standarde të qarta profesionale, mekanizma verifikimi dhe transparencë ndaj publikut.

Në janar të këtij viti, Hibrid.info publikoi analizën “Kriza e integritetit të informacionit dhe nevoja për rregullim të përdorimit të AI”, ku u theksua se zhvillimi i teknologjive të inteligjencës artificiale po e bën gjithnjë e më të vështirë dallimin mes përmbajtjes së verifikuar dhe asaj të manipuluar. Sipas analizës, në mungesë të standardeve të qarta editoriale dhe mekanizmave të kontrollit, përmbajtjet e krijuara ose të manipuluara me AI mund të qarkullojnë në rrjetet sociale dhe më pas të ripublikohen si informacion i besueshëm, duke rritur rrezikun e dezinformimit dhe konfuzionit publik.

Ky shqetësim u adresua edhe përmes një tryeze diskutimi të organizuar nga Hibrid.info më 30 janar 2026, ku përfaqësues të institucioneve publike, mediave, akademisë dhe shoqërisë civile diskutuan ndikimin e inteligjencës artificiale në integritetin e informacionit. Në fokus ishte nevoja për të ndërtuar një qasje të përbashkët ndaj përdorimit të AI në media dhe për të adresuar boshllëqet ekzistuese rregullative në Kosovë.

Nga kjo tryezë dolën një sërë rekomandimesh, përfshirë nxitjen e etiketimit vullnetar të përmbajtjeve të gjeneruara me AI, përditësimin e kodeve editoriale dhe etike, trajnimin e gazetarëve dhe redaktorëve, si dhe ndërtimin e një modeli kombëtar të vetërregullimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Hibrid.info e ka paraqitur këtë proces si një përpjekje për të ndërtuar standarde etike, dokumente orientuese dhe modele transparence për përdorimin e inteligjencës artificiale në media.

Për Hibrid.info, nevoja për këto standarde lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësinë e mediave ndaj publikut. Në një kohë kur fotografitë, videot, regjistrimet audio dhe tekstet mund të krijohen ose manipulohen me pak mjete teknologjike, transparenca nuk është më vetëm çështje etike, por një element thelbësor i besimit në informacion.

Hibrid.info ka bërë gjithashtu thirrje për transparencë në përdorimin e AI në komunikimin politik, duke theksuar se përmbajtjet e gjeneruara me këtë teknologji po përdoren gjithnjë e më shumë në fushatat zgjedhore në Kosovë për të ilustruar premtime elektorale, vizione për të ardhmen dhe për të komentuar zhvillimet shoqërore e institucionale.

Rreziku bëhet veçanërisht i madh kur përmbajtjet e krijuara me AI përdoren në kontekste politike dhe sociale. Përmbajtjet sintetike mund të përdoren për të krijuar përshtypje të rreme, për të manipuluar deklarata, për të paraqitur ngjarje që nuk kanë ndodhur ose për të ndikuar në perceptimin e publikut ndaj individëve dhe institucioneve. Në këto raste, mungesa e etiketimit e bën edhe më të vështirë që qytetarët të vlerësojnë në mënyrë kritike informacionin që u ofrohet.

Megjithatë, 2 gushti nuk duhet parë vetëm si një datë kur fillojnë të zbatohen rregulla të reja në BE. Për Kosovën, kjo datë mund të shërbejë si një pikë referimi për të nisur një diskutim më të strukturuar mbi mënyrën se si duhet të menaxhohen përmbajtjet e krijuara me AI.

Një qasje e tillë do të mund të niste me masa të menjëhershme dhe të zbatueshme, si etiketimi vullnetar i përmbajtjeve të krijuara ose të manipuluara me AI, përditësimi i kodeve të etikës dhe udhëzimeve editoriale, si dhe trajnimi i gazetarëve për identifikimin dhe verifikimin e përmbajtjeve sintetike. Në një fazë të mëvonshme, këto praktika mund të shërbejnë si bazë për ndërtimin e një kornize më të qëndrueshme rregullative.

Kosova aktualisht nuk ka një kornizë specifike ligjore që përcakton detyrime të qarta për etiketimin e përmbajtjeve të krijuara me inteligjencë artificiale në media. Pikërisht për këtë arsye, Hibrid.info ka argumentuar për nevojën e një qasjeje të koordinuar, e cila do të përfshinte mediat, institucionet, organet e vetërregullimit, akademinë dhe shoqërinë civile.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere