Të fundit | Nuk ka vendim të ri për rritjen e pensioneve në Kosovë Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime të rreme për FSK-në në Gaza, imazhe të gjener… Të fundit | Format e keqinformimit që mund të shfaqen për misionin e FSK-së në Gaza Të fundit | 29.2% e qytetarëve të BE-së verifikuan informacionin online në vitin 2025 Të fundit | Titulli përgjithëson shpenzimet buxhetore duke i paraqitur pasaktë si shpen… Të fundit | Pretendim i rremë se dy ushtarë të FSK-së humbën jetën në Gaza pas një sulm… Të fundit | Titulli nuk tregon se udhëzimi për furnizime tre ditëshe vlen për qytetarët… Të fundit | Tieger nuk ka thënë se Thaçi e Veseli kanë vrarë policë serbë, audioja u gj… Të fundit | Senatori i zgjedhur El-Sayed nuk është deklaruar hapur për mbylljen e kampi… Të fundit | Keqpërdorimi i logove të mediave për t’i paraqitur lajmet e rreme si të vër…
[ ARTIKULLI ]

Kriza e integritetit të informacionit dhe nevoja për rregullim të përdorimit të AI

HIBRID

Shkroi: Festim Rizanaj & Xhemajl Avdyli

Në mjedisin aktual mediatik, kufiri mes lajmit të verifikuar dhe përmbajtjes spekulative është gjithnjë e më i paqartë. Publikimi i materialeve të pakonfirmuara paraqet rrezik serioz për integritetin e informimit publik dhe për besimin e qytetarëve ndaj medias.

Kjo problematikë është thelluar me zhvillimin e inteligjencës artificiale (AI), e cila mundëson gjenerimin, modifikimin apo manipulimin e teksteve, fotografive dhe videove në mënyrë gjithnjë e më të vështirë për t’u dalluar nga përmbajtja autentike. Në mungesë të standardeve të qarta editoriale dhe mekanizmave efektivë të kontrollit dhe verifikimit, përmbajtje të tilla , të cilat qarkullojnë në media sociale, mund të shndërrohen lehtësisht në “lajme”, duke prodhuar dezinformim, konfuzion dhe, në raste të caktuara, panik publik.

Një ilustrim konkret i kësaj problematike është rasti i raportimeve për të ashtuquajturën “fantazmë e Prishtinës”. Narrativi u ndërtua mbi disa video të publikuara fillimisht në TikTok, të cilat më pas u riprodhuan nga disa media online pa iu nënshtruar një procesi të mirëfilltë verifikimi. Raportimet pretendonin për një person të maskuar që lëvizte në lagje të ndryshme të kryeqytetit, duke ngritur shqetësime për sigurinë publike. Megjithatë, analiza e këtij rasti nxjerr në pah disa mangësi serioze:

  • videot ishin të paqarta, me cilësi të ulët dhe pa elemente që mundësonin verifikimin identitetit të personit; në këtë kontekst, mbeti e paqartë nëse përmbajtja ishte autentike apo e manipuluar, përfshirë edhe mundësinë e asistencës së AI;
  • pretendimet për ankesa apo raportime nga qytetarët nuk u konfirmuan nga institucionet kompetente, pavarësisht se në media u paraqitën si fakte;
  • riprodhimi i të njëjtave video nga disa media kontribuoi në përhapjen virale të një narrative pa bazë faktike.

Përmbajtje të gjeneruara (fotografi dhe video) me AI janë publikuar dhe shpërndarë edhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, të cilat përmbanin narrativa politike të pabazuara. Këto përmbajtje u amplifikuan në rrjetet sociale dhe u konsumuan gjerësisht nga përdoruesit.

Raste të tilla nënvizojnë domosdoshmërinë që rregullatorët e medias dhe redaksitë të hartojnë udhëzues të qartë për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe përmbajtjes digjitale. Këto standarde duhet të parashohin verifikimin e detyrueshëm të origjinës së materialeve vizuale, transparencën lidhur me ndërhyrjet teknologjike dhe respektimin e parimeve themelore të gazetarisë së përgjegjshme. Në mungesë të një kornize të qartë rregulluese, imazhet dhe videot e gjeneruara ose të manipuluara me AI rrezikojnë të shfrytëzohen për ndërtimin e narrativave fiktive që duken bindëse.

Në aspektin ligjor dhe rregullativ, Kosova aktualisht nuk ka një kornizë specifike që adreson drejtpërdrejt përdorimin e AI në media apo detyrimet për verifikimin e përmbajtjes së gjeneruar ose të manipuluar përmes së njëjtës. Kuadri ekzistues rregullator për median dhe komunikimin audiovizual mbështetet kryesisht në ligjet e përgjithshme për median, transmetuesit dhe komunikimet elektronike, si dhe në standardet etike të vetërregullimit, të cilat nuk e trajtojnë në mënyrë eksplicite përmbajtjen sintetike dhe sfidat e reja digjitale. Ndërkohë, ndonëse Kosova ka shprehur orientim drejt përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, këto korniza ende nuk janë të transpozuara në legjislacionin dhe aktet nënligjore vendore. Kjo krijon një boshllëk rregullativ, ku përgjegjësia për verifikim dhe transparencë bie kryesisht mbi redaksitë individuale.

Ruajtja e integritetit të informimit publik kërkon që faktet dhe verifikimi të mbizotërojnë mbi viralitetin, duke siguruar që teknologjia të shërbejë si mjet për informim cilësor dhe jo si burim i pasigurisë dhe dezinformimit.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere