Të fundit | Inteligjenca artificiale në fushatat politike: mes ilustrimit të premtimeve… Të fundit | Videoja e lidhur me zgjedhjet, e gjeneruar me IA Të fundit | Me video të dhjetorit manipulohet për ardhjen e diasporës për zgjedhjet e 7… Të fundit | Imazhi me pankartën për Kurtin nga protestat në Tiranë është i gjeneruar me… Të fundit | Petkoviq konspiron për favorizim të Rashiqit në rastin e arrestimit në fsha… Të fundit | Analizë e thirrjeve politike nga Vuçiq dhe Petkoviq për votim në favor të L… Të fundit | Narrativat e mediave dhe zyrtarëve serbë për fushatën zgjedhore në Kosovë:… Të fundit | ZKQS e paraqet si rast të lidhur me fushatën zgjedhore një incident që ndod… Të fundit | E drejta e fëmijës mbi të drejtën e BABËS Të fundit | Pa fakte pretendohet se një sondazh parazgjedhor u krye nga LVV
[ ARTIKULLI ]

Inteligjenca artificiale në fushatat politike: mes ilustrimit të premtimeve dhe kërkesës për transparencë

HIBRID

Akterë politikë kanë krijuar dhe po krijojnë përmbajtje elektorale të gjeneruara me inteligjencë artificiale (IA) gjatë fushatës së zgjedhjeve të parakohshme nacionale.

Monitorimi i vazhdueshëm ka konfirmuar se ekziston rreziku që përmbajtjet e tilla të merren si të vërteta nga audienca. Ky rrezik ekziston edhe në kohën e fushatës zgjedhore, me akterë politikë që po përdorin përmbajtje me IA për të paraqitur premtime elektorale, por edhe për gjendjen aktuale, shoqërore e institucionale.

IA po shndërrohet në mjet të fuqishëm të komunikimit politik. Përmbajtjet e gjeneruara me IA e thjeshtojnë mesazhin, e bëjnë më të kuptueshëm dhe më të afërt për publikun. Ato ndikojnë emocionalisht te një pjesë e audiencës, që është e prirur t’i marrë si të mirëqena. Në shumë raste, qëllimi i tyre nuk është domosdoshmërisht mashtrimi i qytetarëve, por ndërtimi i një narrative vizuale që mbështet diskursin politik — qoftë për të nxjerrë në pah mangësitë e së tashmes apo për të promovuar një vizion ambicioz për të ardhmen.

Për këtë arsye, etika e komunikimit publik kërkon transparencë të plotë, duke e bërë të qartë se bëhet fjalë për përmbajtje sintetike dhe jo për pamje reale apo dëshmi të drejtpërdrejta nga terreni.

Përderisa do të ishte mirë që përmbajtjet e tilla të kenë etiketimin se është përmbajtje e gjeneruar me IA, kjo nuk është e rregulluar ligjërisht në Kosovë. Hibrid.info ka avokuar vazhdimisht për rritjen e transparencës dhe për vendosjen e mekanizmave më të qartë për menaxhimin e përmbajtjeve të gjeneruara me IA.

Më 30 janar 2026 u mbajt tryeza e diskutimit “Integriteti i informacionit dhe inteligjenca artificiale”, ku përfaqësues të institucioneve publike, mediave, akademisë dhe shoqërisë civile diskutuan për ndikimin në rritje të përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale në ekosistemin e informimit publik në Kosovë, sfidat që ato paraqesin për median dhe boshllëqet ekzistuese rregullatore. Në këtë diskutim u theksua nevoja për standarde të qarta të transparencës dhe etikës, ndërsa panelistët vlerësuan se problemi nuk qëndron te teknologjia në vetvete, por te mungesa e rregullimit dhe e përgjegjësisë në përdorimin e saj.

Si rregullohet kjo?

Në këtë drejtim, korniza rregullatore e Bashkimit Evropian, përmes AI Act, e vendos transparencën në qendër të qasjes së saj. Sipas nenit 50 të këtij akti, përmbajtjet që gjenerohen ose manipulohen nga sistemet e inteligjencës artificiale dhe që mund të ngatërrohen me realitetin — veçanërisht imazhet, videot dhe materialet audio — duhet të shoqërohen me njoftime të qarta që tregojnë se janë krijuar ose modifikuar me IA. Synimi është i qartë: të shmangen keqkuptimet dhe qytetarët të jenë të vetëdijshëm për natyrën sintetike të materialit që konsumojnë.

Përtej AI Act, Komisioni Evropian e ka trajtuar këtë çështje edhe përmes Rekomandimit 2023/2829 për proceset zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe rezistente. Dokumenti u kërkon partive politike, kandidatëve dhe organizatave të fushatës të miratojnë kode sjelljeje që promovojnë integritetin zgjedhor dhe të shmangin përdorimin apo shpërndarjen e materialeve të fabrikuara, mashtruese ose të gjeneruara me IA, të cilat mund të deformojnë debatin publik. Në mënyrë të veçantë, rekomandimi identifikon deepfake-t si rrezik që duhet adresuar përmes standardeve të vetërregullimit dhe transparencës.

Në të njëjtën frymë, Kodi i Sjelljes për Zgjedhjet Evropiane 2024, i mbështetur nga Komisioni Evropian dhe International IDEA, kërkon që partitë politike të mos prodhojnë, përdorin apo shpërndajnë përmbajtje mashtruese, përfshirë audio, imazhe ose video të krijuara me ose pa IA, të cilat falsifikojnë kandidatët, zyrtarët apo aktorët e tjerë zgjedhorë. Sipas këtij kodi, përdorimi i përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale konsiderohet i pranueshëm vetëm kur ato janë qartësisht të identifikueshme dhe të etiketuara si të tilla. Kodi adreson gjithashtu përdorimin e llogarive të rreme, bot-eve, trolling-ut dhe formave të tjera të manipulimit digjital që mund të cenojnë proceset demokratike.

Një tjetër instrument i rëndësishëm është Rregullorja (BE) 2024/900 për Transparencën dhe Targetimin e Reklamimit Politik. Ajo kërkon që qytetarët të informohen qartë se kush qëndron pas një reklame politike, pse po targetohen me të dhe nëse inteligjenca artificiale është përdorur në targetimin ose shpërndarjen e saj. Këto detyrime nuk kufizohen vetëm te partitë dhe kandidatët, por shtrihen edhe te organizatat, fondacionet, influencuesit dhe mbështetësit që veprojnë në emër të tyre.

Prandaj, përdorimi i inteligjencës artificiale në komunikimin politik mund të konsiderohet i pranueshëm vetëm kur shoqërohet me mekanizma të dukshëm transparence — etiketime, deklarime apo shpjegime të qarta — që e bëjnë të kuptueshme natyrën e përmbajtjes. Në të kundërtën, ekziston rreziku i krijimit të një realiteti të fabrikuar që formëson opinionin publik pa vetëdijen e plotë të qytetarëve. Një praktikë e tillë bie ndesh jo vetëm me parimet etike të komunikimit publik, por edhe me standardet e transparencës të parashikuara nga AI Act i Bashkimit Evropian dhe me qasjet vetërregulluese që po promovohen nga akterët mediatikë në Kosovë.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere