Prishtinë, 30 janar 2026 – Hibrid.info ka organizuar sot një tryezë diskutimi me temë “Roli i inteligjencës artificiale në fushën e integritetit të informacionit”. Përfaqësues të institucioneve publike, mediave, akademisë e shoqërisë civile diskutuan për ndikimin në rritje të përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale (IA) në ekosistemin e informimit publik në Kosovë, sfidat për median dhe boshllëqet ekzistuese rregullative.
Në diskutimin që u mbajt në “Europe House” u trajtua problematika e zbehjes së kufirit mes përmbajtjes së verifikuar dhe asaj sintetike, rritja e dezinformimit dhe ndikimi i këtyre zhvillimeve në besimin publik ndaj medias.
Panelistët vlerësuan se problemi nuk qëndron te teknologjia në vetvete, por te mungesa e rregullimit dhe përgjegjësisë në përdorimin e saj.
Panelistët diskutuan rolin dhe përgjegjësitë e aktorëve të ndryshëm në këtë situatë, duke nënvizuar se, në mungesë të rregullimit ligjor, barra kryesore bie mbi vetë redaksitë, organet e vetërregullimit, institucionet arsimore dhe organizatat e shoqërisë civile. U theksua nevoja për veprim të koordinuar dhe për ndërtimin e standardeve profesionale që mund t’i paraprijnë rregullimit formal.
Ardita Zejnullahu nga Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK) tha se korniza aktuale ligjore për media është e vjetruar dhe nuk i përgjigjet zhvillimeve teknologjike. Ajo vlerësoi se Kosova është prapa në rregullimin e IA dhe se nevojitet mobilizim i aktorëve të fushës për ndërtimin e një qasjeje ligjore dhe vetërregulluese.
Nevojën për bashkëpunim më të madh ndërinstitucional dhe për vendosjen e standardeve që mbrojnë interesin publik e ka vënë në pah edhe Niman Racaj nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM). Ai vlerësoi se IA kërkon qasje të re dhe gjithëpërfshirëse.
Roli njerëzor në gazetari duhet të ruhet, tha Xhemajl Rexha nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i cili theksoi shqetësimet e gazetarëve lidhur me përdorimin e IA. Ai vuri theksin edhe te përdorimi i përgjegjshëm dhe etiketimi i përmbajtjeve ku përdoret kjo intelegjencë.
Muhamet Hajrullahu nga Telegrafi dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) tha se aktorët që dezinformojnë me IA janë shpesh përpara mediave tradicionale. Ai nënvizoi përgjegjësinë e mediave ndaj publikut dhe nevojën për avancim të standardeve profesionale.
Të rëndësisë së madhe i vlerësoi përditësimin e kurrikulave dhe edukimit mediat, Alban Zeneli nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës (UP). Ai vlerësoi se IA duhet të përfshihet në kornizat ekzistuese rregullative me parime të qarta etike dhe transparencë.
Mërgim Hoti nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UP theksoi se IA nuk është rrezik në vetvete, por teknologji që përshpejton proceset ekzistuese.
Se ndërtimi i rregullativës duhet të bazohet në standardet evropiane dhe në gjithëpërfshirjen e aktorëve relevantë, e tha edhe Pajtim Gashi nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI).
Ndërkaq, Hyrije Mehmeti nga Hibrid.info prezantoi gjetje nga raporti i fundit i publikuar “Versioni i së vërtetës sipas Chatbot-it”, me fokus në tema që lidhen me Kosovën dhe rajonin. Ajo theksoi rrezikun e trajtimit të IA si burim primar informacioni.
Nga diskutimi dolën disa rekomandime kryesore, përfshirë nxitjen e etiketimit vullnetar të përmbajtjeve të gjeneruara me IA në media, përditësimin e kodeve editoriale dhe etike, trajnime për gazetarë dhe redaktorë, si dhe ndërtimin e një modeli kombëtar të vetërregullimit për IA në media dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Po ashtu, u theksua rëndësia e harmonizimit gradual të Kosovës me standardet evropiane në këtë fushë.
Hibrid.info e sheh këtë tryezë si një nisje – ende jo të formalizuar – për të menduar së bashku për një qasje vetërregulluese dhe bashkëpunuese. Një proces ku aktorë të ndryshëm mund të kontribuojnë në ndërtimin e standardeve etike, dokumenteve orientuese, modeleve të transparencës dhe praktikave profesionale për përdorimin e AI në media.
Si përfundim, IA nuk është kërcënim për median. Mungesa e rregullimit, transparencës dhe koordinimit është rreziku real.





