Shkroi: Fatbardh Dema
Është publikuar një video në TikTok, me pretendimin se paraqet një kronikë televizive. Aty shfaqet fillimisht një prezantuese televizive, teksa informon se një qytetar ka njoftuar organet kompetente se në një fshat të Kosovës është hasur një gur që dyshohet të jetë ari. Videoja vazhdon me pamje nga vendi i ngjarjes dhe një gur ngjyrë ari në tokë. Në prapavijë shihen automjete zyrtare me alarme të ndezur.
Videoja është publikuar më 8 janar nga llogaria “albertshabani555”.
Përse po trajtohet kjo përmbajtje?
Pas verifikimit të fakteve, del se videoja nuk pasqyron një kronikë të vërtetë televizive. Ajo është e gjeneruar me inteligjencë artificiale. Këtë e ka konstatuar edhe vetë TikToku që ia ka vënë etiketën se ka përmbajtje të gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA). Megjithatë, ajo për dy ditë ka marrë më shumë se 1 milion shikime, mbi 15 mijë pëlqime e më shumë se 700 komente. Bazuar në komentet e bëra nga llogaritë në këtë përmbajtje mund të vlerësohet se audienca ka mundësi ta perceptojë pretendimin si të vërtetë.

Çka ndodh dhe çka thuhet në video?
Videoja nis me një prezantuese televizive që informon: “Një ngjarje e pazakontë është raportuar sot në një fshat të Kosovës. Një qytetar ka njoftuar organet kompetente pasi ka hasur në një objekt të dyshuar si guri i çmuar ari, me peshë rreth 17 kilogramë. Rasti është duke u trajtuar nga autoritetet përkatëse”.
Menjëherë nis një zë i dytë dhe pamje nga “vendi i ngjarjes”.
“Sipas informacioneve fillestare, objekti i dyshuar është gjetur rastësisht në tokën e qytetarit në zonë fshati. Menjëherë pas zbulimit ai ka lajmëruar institucionet përgjegjëse, autoritetet kanë dalë në vendngjarje dhe po hetojnë rastin”, thotë zëri i dytë, që e bën videon të duket sikur një kronikë e realizuar edhe në terren.
Faktet:
Hibrid.info ka verifikuar në “Google” me fjalitë e thëna në këtë pretendim dhe nuk ka hasur në ndonjë raportim të ndonjë mediumi kredibil për ngjarjen e pretenduar. Për më shumë, hibrid.info ka kërkuar edhe me fjalët “Qytetari gjen 17 kilogramë ari”, por as kjo nuk rezultoi me burime reale të informacionit që do ta konfirmonin pretendimin.
Videoja përmban etiketën për “përmbajtje të gjeneruar nga IA” nga “TikTok”. Kjo u vendoset përmbajtjeve që janë tërësisht ose dukshëm të edituara me inteligjencë artificiale, sipas politikave të “TikTokut”. (Shih fotografinë më poshtë)

Për më shumë, Hibrid.info e ka verifikuar përmbajtjen përmes dy platformave për detektim të përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale “Hivemoderation” (për pamje) dhe “truthscan” (për audio). Në të dyja ka rezultuar se përmbajtja është e gjeneruar me inteligjencë artificiale në shkallë të lartë.


Po ashtu, llogaria që e ka publikuar këtë pretendim, në “bio” në “TikTok” e ka të shkruar “Rrena ecën më shpejt se e vërteta”, gjë që lë hapësirë të kuptohet se përmbajtjet mund të jenë satirike. Llogaria ka të publikuara më shumë se 30 video. Shumica e tyre kanë etiketën e përmbajtjes të gjeneruar me inteligjencë artificiale.
Analiza:
Një video në “TikTok” që pretendon se paraqet kronikë televizive se një qytetar ka raportuar në autoritete dyshimet se ka gjetur 17 kilogramë ari në një fshat të Kosovës, është e gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
Përmbajtja në “TikTok” e ka të vendosur etiketën që konfirmon se është përmbajtje e gjeneruar me IA. Këtë e konfirmojnë edhe platformat online për detektim të përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
Pavarësisht kësaj, videoja ka marrë mbi një milion shikime dhe ka komente, që mund të lënë të kuptohet se një pjesë e audiencës ka mundësi ta perceptojë pretendimin si të vërtetë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.





