[email protected]
“Zbulohet” meritori për raketat “Javelin” dhe armët e gjata për Policinë
shape
shape
shape

Të enjten e 11 janarit, ambasadori i ShBA-së në Beograd, Christopher Hill, e njoftoi të parin e shtetit serb, Aleksandar Vuçiq, se vendi i tij ka pranuar kërkesën e Kosovës që të blejë raketa anti-tank “Javelin”, raketa këto prodhim i Amerikës. 

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë në Beograd saktësoi se Departamenti i Shtetit do t’ia dërgojë kërkesën e Kosovës, Kongresit Amerikan, i cili edhe fillon procedurën zyrtare për shitjen e sasisë së kërkuar të këtyre raketave. 

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës e konfirmoi porositjen e raketave “Javelin”, duke thënë se Kosova ka marrëveshje me ShBA-në për blerje ushtarake përmes programit FMS (Foreign Military Sales).

Përmes këtij programi, nga kjo ministri thanë se Kosova është e paraparë të kryejë blerje ushtarake përfshirë edhe sistemin Javelin dhe sisteme të tjera moderne ushtarake. 

Madje lajmi u konfirmua edhe nga vetë Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili tha se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh. Bëhet fjalë për 246 raketa kundërtanke të këtij lloji, që prodhohen nga ShBA-ja, sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri. 

Mirëpo, këtu nuk mbaron kjo histori. Madje, ky është vetëm fillimi pasi beteja e radhës është, jo aftësimi i personelit për përdorimin e tyre, as lokacioni se ku do të vendosen këto sisteme, por beteja për merita. “Vrapi” pas meritave krijoi një lëmsh informativ dhe në pamundësi për të pasur qasje në kërkesën e Kosovës të aprovuar nga ShBA, gazetarët nuk arritën të qartësojnë gjë mbi procesin e blerjes së këtij armatimi. Kërkesat e gazetarëve për qasje në këtë kërkesë nuk morën përgjigje nga qeveria e Kosovës.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, doli si meritori i parë, duke thënë se lajmi do të konsiderohej sukses sikur të mos ishte i vonuar me vite, pasi sipas tij, qysh në vitin 2018, në planin 10-vjeçar të zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës, kanë qenë të dakorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë edhe raketat “Javelin”.

“Kjo qeveri, sot nuk mund të krekoset pse paska bërë një kërkesë për blerje të këtij sistemi anti-tank, por duhet të japë llogari pse është vonuar kaq shumë! Duhet të japë përgjigje pse nuk ka përmbushur objektivat e dakorduara me planin 10-vjeçar të furnizimit të Ushtrisë së Kosovës me armatim të domosdoshëm, edhe pse i kanë tepruar dhjetëra milionë të parapara për blerje të armatimit dhe mjeteve të tjera logjistike për FSK-në”, shkroi Haradinaj. 

Pas tij, doli edhe një meritor tjetër. Ai është ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Për të, disa fjalë i shkroi deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu. 

“E vërteta e blerjes se armatimit nga ShBA-ja, negocimin dhe kontraktimin e bëri Kadri Veseli në vitin 2018. Një pjesë e këtij armatimi, mjetet e blinduara ‘Humvee’, nga ShBA-ja kishin arritur në Kosovë me 25.07.2020. Pse ka pasur vonesa për pjesën tjetër të armatimit duhet të japin llogaridhënie qeveritarët e sotëm”, ka shkruar në Facebook, deputeti i Partisë Demokratike (PDK), Bekim Haxhiu. 

E kësaj valleje pak iu bashkëngjit edhe presidentja Vjosa Osmani, si komandante supreme e Ushtrisë së Kosovës. Ndonëse nuk përmendi ndonjë meritë për këtë blerje të mundshme, ajo shprehu besimin e plotë se “Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për vendin më proamerikan në botë, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian”. 

Edhe eksponentë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, nxituan që meritat t’ia atribuojnë qeverisë aktuale. 

Deputeti Armend Muja u shpreh se meritat për blerjen e armëve i takojnë Qeverisë Kurti dhe jo ish-pushtetarëve. “Kjo meritë, si te dronat si te anti-tanket, është e kësaj qeverie, sepse ata i kanë pasur disa kufizime”, tha ai. 

Për të mos mjaftuar kjo betejë, të premten (12 janar), nisi një tjetër. Edhe kjo për armatim.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në faqen e tij në Facebook, njoftoi se të gjitha patrullat policore do të pajisen me armë të gjata. Ministri saktësoi se pajimi me këto armë i të gjitha patrullave policore anekënd Republikës së Kosovës “do të rrisë efikasitetin në luftimin e krimit”.

Ai po ashtu tha se kjo do të mundësojë “një ambient më të sigurt, rend publik më të qetë dhe më shumë siguri për zyrtarët tanë policorë”. Veç tjerash, ministri falënderoi shtetin kroat “për bashkëpunimin e ngushtë dhe korrekt me institucionet e Republikës së Kosovës”. 

Ndonëse ministri nuk u lëshua në merita, ato ia mësyu t’i përvetësojë dikush tjetër. 

Bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu, përmes një postimi në Facebook, la të kuptohet se meritore për këto armë është pikërisht drejtuesja e shtetit. 

Zotëriu i Parë ripublikoi një postim të presidentes Osmani bërë më 11 tetor, 2023, gjatë një vizite në kompaninë e prodhimit të armëve “HS Product” në Kroaci, dhe shkroi: “Tetor 2023: Vizita e Presidentes në kompaninë ‘HS Produkt’ në Karlovac të Kroacisë. Sot, të gjitha patrullat e Policisë së Kosovës pajisen me armë të gjata nga kompania ‘HS Produkt’”. 

Përfundimi: në këtë lëmsh që i ka humbur filli, mund të themi se meritori kryesor i këtyre të arriturave është përemri vetor “Unë”.

Mungesa e transparencës nga institucionet shpesh nxit dhe ushqen çrregullimin informativ nga vetë akterët shtetërorë pasi gazetarët nuk kanë si t’i verifikojnë informatat e dhëna e pretendimet e bëra nga vetë ata. Kjo më pas e dëmton informimin e plotë të qytetarëve mbi zhvillimet në vend, sidomos në fushën e sigurisë që ka shërbyer gjatë tërë vitit 2023 si burim i dezinformatave dhe artikujve clickbait. 

Artikull analitik nga Agon Osmani

Share With Others