Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh…
[ ARTIKULLI ]

Zhvillimet e fundit politike rikthejnë deklaratat e sajuara

HIBRID

Shkroi: Etrit Rexhepi

Imazh me fotografinë e një personazhi publik në krye, duke u pasuar nga një titull mbi shirit me ngjyrë të të kuqe, verdhë apo të kaltër dhe një tekst informativ poshtë. Kjo është forma e shpërndarjes së disa përmbajtjeve në mediat sociale, me anë të cilave paraqiten deklarata që pretendohet se janë thënë nga personazhe politike dhe të sferës publike.

Varësisht nga subjekti i deklaratës që i atribuohet personazhit të paraqitur në imazh, fotografia e përmbajtjes zakonisht shfaq personin e cituar vetëm ose të shoqëruar me imazhin e personit për të cilin pretendohet se ka bërë deklaratën.

Disa prej shembujve të fundit:

Dhjetëra përmbajtje të tilla të ngjashme janë hasur të publikuara në Facebook nga një llogari me emrin “Tibas Sabit Dermaku Derma” dhe në TikTok nga një llogari me emrin “emi032670”.

E vërteta e këtyre përmbajtjeve është se ato paraqesin deklarata të sajuara (shih këtu dhe këtu).

Çka i karakterizon përmbajtjet e tilla?

Të gjitha këto imazhe ndjekin një strukturë të njëjtë: paraqesin titullin e informacionit, datën, mediumin për të cilin pretendohet se është dhënë deklarata, personin që citohet dhe pozitën e tij, si dhe citatin përkatës. Në secilin imazh përdoren të njëjtat ikona për të shënuar datën, vendndodhjen dhe citatin (si 📅, 📍 dhe 👁️).

Teksti është i shkruar me të njëjtin font dhe stil në të gjitha postimet, ku titujt me shkronja të mëdha mbi shiritat me ngjyra synojnë të tërheqin vëmendjen e menjëhershme.

Aty gjithashtu përdoren emrat e mediave prestigjioze dhe flamujt shtetërorë varësisht nga personazhi, i cili pretendohet se ka bërë deklaratën.

Çka i bën ato të dyshimta?

Ndonëse në këto përmbajtje jepet pretendimi se kur, ku dhe në çfarë rrethane është bërë deklarata, ato nuk janë publikuar nga burime kredibile, nuk kanë mbishkrim në postim dhe nuk kanë të bashkangjitur vegëz të artikullit informativ të paraqitur.

Këto imazhe përmbajnë emra institucionesh, mediash ose personalitete të njohura që përdoren si autoritet, për të krijuar besueshmëri, pa prova që deklaratat janë reale.

Këta publikues në postime të tjera shprehin simpati politike ndaj një subjekti të caktuar politik – Lëvizjes Vetëvendosje – dhe në përmbajtjet e rreme të publikuara me deklaratat e sajuara, vërehet përputhje me këto bindje.

Citimet përmbajnë fraza që përdoren zakonisht në debatet politike brenda Kosovës, por që rrallëherë përdoren nga diplomatët apo analistët e huaj në raportet e tyre zyrtare.

Ato janë me tone shumë emocionale dhe skajshmërisht pro ose kundër një pale të caktuar. Analistët seriozë ndërkombëtarë dhe politikanët përfaqësues të shteteve tjera zakonisht përdorin gjuhë më të matur dhe më diplomatike.

Madje në disa përmbajtje janë publikuar edhe citime të personazheve tashmë të ndjera si: Enver Maloku, Janush Bugajski dhe Riza Smaka (shih këtu, këtu dhe këtu).

Nëse kërkohen këta tituj specifikë në faqet zyrtare të mediave apo institucioneve që citohen në këto imazhe, ka shumë gjasa që nuk do t’i gjeni këto shkrime me këto përmbajtje.

Pse publikohen përmbajtjet e tilla?

Pasi pothuajse të gjitha këto deklarata të sajuara lidhen me zhvillimet e fundit politike dhe janë publikuar pas tyre, arsye e shpërndarjes së tyre, mund të jetë polarizimi politik që ka shkaktuar rasti i zgjedhjes së presidentit dhe shpërndarjes së Kuvendit (shih këtu).

Në një artikull në të cilin ishin analizuar deklaratat e sajuara, ku lartësohen politikanët në Kosovë, ishte treguar se kur konsumohen përmbajtje të rreme, intuita qëndron mbi faktet, çka tregon se ne rrallë e analizojmë informacionin me vërtetësi shkencore. Në vend të kësaj, ne përdorim “rrjedhshmërinë konjitive”, që do të thotë se nëse mesazhi përpunohet lehtë nga truri, ai “ndihet” i saktë.

Kjo do të thotë se një tjetër arsye për publikimin e këtyre përmbajtjeve mund të jetë përputhshmëria e tyre me bindjet ekzistuese të audiencës së caktuar, duke përdorur autoritetin e figurave apo institucioneve të njohura për të aktivizuar mekanizmat intuitivë të besueshmërisë (shih këtu).


Publikimi i këtyre përmbajtjeve ka nxitur edhe reagime publike. Doruntinë Maloku, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës dhe e bija e gazetarit të ndjerë Enver Maloku, ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook ndaj një publikimi ku babai i saj i ndjerë citohej për situatën aktuale politike në vend (shih këtu).

Ndërsa nga disa media është raportuar edhe për një reagim të Shqiptar Demaçit, djalit të veprimtarit, Adem Demaçit. Një citat të tillë mbi foton dhe emrin e tij, Demaçi e ka cilësuar si të rremë (shih këtu).

Këto përmbajtje kryesisht kanë si tematikë zhvillimet e fundit politike në vend. Më 6 mars, presidentja Vjosa Osmani nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit, pasi deputetët dështuan ta zgjedhin presidentin e ri deri më 5 mars (shih këtu). Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është ankuar zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese kundër dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës (shih këtu).

Pas këtyre hapave, Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Kushtetuesja tha se vendimi ia ndalon çdo veprim presidentes në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi (shih këtu).

Çka duhet bërë?

Nëse një deklaratë pretendohet se është dhënë për një media apo nga ndonjë drejtues i një institucion të caktuar, kërkojeni atë në faqen zyrtare të atij mediumi apo institucioni.

Grafikët me fotografi, titull dhe citat mund të duken si lajme, por nëse nuk kanë artikull të plotë apo vegëz që çon te burimi origjinal, duhet të trajtohen me dyshim.

Deklaratat me tone shumë emocionale dhe skajshmërisht pro ose kundër një pale politike shpesh nuk përputhen me mënyrën më të matur dhe diplomatike të komunikimit që përdorin zakonisht politikanët apo analistët.

Nëse citimet u atribuohen edhe personave të ndjerë apo figurave që nuk kanë folur për zhvillimet aktuale, kjo duhet të ngrejë dyshime për vërtetësinë e tyre.

Dhe në fund, shmangni shpërndarjen e përmbajtjeve të paverifikuara. Përhapja e tyre mund të kontribuojë në dezinformim dhe në polarizim të mëtejshëm të debatit publik.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere