info@hibrid.info
Komandanti i KFOR-it nuk ka thënë se “Ura e Ibrit është në Kosovë ajo duhet të hapet pa pyetur askënd”
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

U pretendua se Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas ka deklaruar se Ura e Ibrit është në Kosovë dhe se ajo duhet të hapet pa pyetur askënd.

Ky postim u publikua dje (14 gusht) në Facebook nga faqet si, “Me Albin Kurti”, “Informohu24” dhe “Atdheu Lajm”.

E vërteta?

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim i bërë nga faqet e lartcekura është i rremë.


Vegëzat e postimit të publikuar në Facebook nga faqet “Me Albin Kurtin”, “Informohu24h” dhe “Atdheu Lajm”:

https://www.facebook.com/story.php?story_fbid=876763187643717&id=100059301322295&rdid=SEp2Qadziju8Ii6A

https://archive.ph/uLGrY

https://archive.ph/iZGfZ


Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info nuk ka gjetur të publikuar në asnjë burim kredibil, pretendimin se Ulutas të ketë thënë se Ura e Ibrit është në Kosovë dhe se ajo duhet të hapet pa pyetur askënd, siç pretendohet nga faqet e lartcekura. (shih këtu)

Kontekst

Me datë 13 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutas. Një ndër temat ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë.

Pjesë nga komunikata e lëshuar nga faqja zyrtare e Qeverisë së Kosovës:

Ky takim ishte në kuadrin e konsultimeve intensive dhe koordinimit të vazhdueshëm. Gjatë tij u diskutua rreth bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë, institucioneve të sigurisë dhe misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, në shërbim të ruajtjes së sigurisë dhe paqes në vend.

Ndër temat qendrore ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë si një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme. Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX. (shih këtu)

Pjesë nga komunikata e KFOR-it e lëshuar për media me 13 gusht:

KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër/Ibër, në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal.


Analiza:

Pretendimi nga disa faqe në Facebook se komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas ka deklaruar se Ura e Ibrit është në Kosovë dhe se ajo duhet të hapet pa pyetur askënd, është i rremë.

Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, një deklaratë e tillë nga Ulutas nuk është gjetur i publikuar në asnjë burim kredibil.

KFOR përmes një komunikatë të lëshuar për media me datë 13 gusht, lidhur me këtë çështje, është shprehur se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin e publikuar nga disa faqe në Facebook si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »