[email protected]
Konkurs fiktiv për shoferë kamioni
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një përmbajtje në gjuhën shqipe ku pretendohet se kërkohet për punësim shofer kamioni pa licencën CDL (Commercial Driver’s License).

Ky pretendim është shpërndarë dje (30 shtator) më anë të një postimi të sponsorizuar në Facebook, nga një faqe me emrin “Life guide”.

Por, cila është e vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se mungojnë të dhënat bazike rreth institucionit apo biznesit që ka hapur shpalljen e pretenduar.

Për konkursin është njoftuar me anë të një imazhi të publikuar në Facebook, të cilit i është integruar një vegëz që shfaqet pas klikimit në imazh.

Hibrid.info ka gjetur se pas klikimit të vegëzës së përfshirë në imazhin e publikuar, ueb-faqja e shfaqur nuk jep asnjë informacion mbi biznesin apo kompaninë që ofron mundësinë në fjalë. Në hapësirën e faqes shihen disa opsione të cilat pas klikimit në to, të dërgojnë në faqe kompanish të huaja, të cilat nuk është se ofrojnë konkurse, e aq më pak në gjuhën shqipe.

Kredibiliteti i domeinit të kësaj ueb-faqe është verifikuar përmes platformave që vlerësojnë besueshmërinë e faqeve, “ScamAdviser.com” dhe “ScamDoc.com”, ku tregohet se ueb-faqja e kontrolluar ka besueshmëri të ulët dhe është e dyshimtë (shih këtu dhe këtu).

Po ashtu, hibrid.info ka kontrolluar edhe faqen e cila ka publikuar pretendimin, në kohështrirjen e së cilës është vërejtur vetëm një postim (këtu).

Kjo faqe, e cila ka vetëm një ndjekës, është hapur pak ditë para publikimit të këtij pretendimi (më 26 shtator), por nuk jep informacione për menaxhimin e saj (këtu).


Analiza:

Konkursi për punësimin e shoferëve të kamionave pa licencë CDL, nuk ekziston.

Publikuesi i përmbajtjes me këtë pretendim është i dyshimtë dhe nuk ekzistojnë as informatat më bazike për atë që ofron këtë mundësi.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Translate »