[email protected]
Pretendohet pa fakte se deputetja britanike Kearns udhëzohet nga MI6 për ta mbrojtur Kosovën
shape
shape
shape

Janë publikuar pretendime se kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns merr urdhra nga shërbimi sekret britanik MI6.

Hibrid.info ka gjetur këtë pretendim të publikuar në mediumin serb “Happy TV”, për të cilin ka dyshime për afërsi me partitë politike qeverisëse në Serbi (shih këtu, këtu dhe këtu).

Në këtë artikull pretendohet se me urdhër të shërbimit sekret britanik MI6, Kearns po e mbron me jetën e saj kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e televizionit serb “Happy Tv”:


Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, në përmbajtje e artikullit të publikuar nga “Happy TV”, citohet një uebfaqe e quajtur “The Grayzone”.

Kjo uebfaqe me datë 27 korrik ka publikuar artikullin me titull “A po shtyn inteligjenca britanike një luftë të re në Kosovë?”. (shih këtu)

Në këtë artikull thuhet se brenda parlamentit britanik, asnjë ligjvënës nuk ka qenë më i hapur në dënimin e sanksioneve ndaj Kosovës sesa Alicia Kearns, të cilën autori e quan edhe aleate e ngushtë e zyrtarëve të ndryshëm kosovarë.

Autori i këtij artikulli, Kit Klarenberg, pohon pa fakte se Kearns është një “specialiste veterane e luftës psikologjike dhe operative e inteligjencës britanike” dhe se “rezymeja e saj profesionale e fshehur me dashje përmban sugjerime të forta të një prejardhjeje si një oficer i MI6 që ka vendosur arte të errëta në një mori teatrosh të konfliktit perëndimor”.


Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit në lidhje me këtë ueb-faqe (The Grayzone), janë gjetur raportime te mediave kredibile britanike dhe të tjera ndërkombëtare të cilat e vlerësojnë atë si faqe që publikon artikuj të kategorisë “teori konspirative”, si dhe bën raportime mashtruese. (shih këtu dhe këtu)


Hibrid.info ka shkuar edhe më tej në lidhje me verifikimin e kësaj ueb-faqe, e që kërkimet ofrojnë fakte tjera në lidhje me besueshmërinë e saj.

Organizata mbikëqyrëse e medias me bazë në Kolorado “Ad Fontes Media”, e njohur kryesisht për grafikun e paragjykimit të medias, e cila vlerëson burimet e medias për sa i përket paragjykimeve politike dhe besueshmërisë, ka paraqitur rezultatet e përgjithshme të paragjykimit dhe besueshmërisë për uebfaqen “The Grayzone”. (shih këtu)

Bazuar në hulumtimin e kësaj organizate, del që besueshmëria e ueb-faqes “The Grayzone” vlerësohet të jetë 27.51%, rangim ky tejet i ulët sipas metodologjisë së tyre të vlerësimit.


Ndonëse kredibiliteti i faqes “The Grayzone” vlerësohet të jetë i një niveli të ulët besueshmërie, hibrid.info megjithatë, ka trajtuar edhe pretendimet e bëra në artikullin për deputeten britanike Kearns.

Në një biografi të shkurtër të deputetes Kearns të publikuar në mediumin britanik “Politics.co.uk”, nuk përmendet se ajo ka ose ka pasur ndonjë afërsi me shërbimin britanik MI6, siç pretendohet në artikujt e larcekur. (shih këtu)


Pjesë nga biografia e Kearns, e publikuar në “Politics.co.uk”:

Alicia Kearns është deputetja konservatore për Rutland dhe Melton (zona elektorale e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar) pasi u zgjodh për herë të parë në Parlament në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2019.

Në tetor 2022, Alicia Kearns u zgjodh Kryetare e Komitetit të Përzgjedhur të Punëve të Jashtme të Dhomës së përfaqësueseve të Parlamentit britanik.

E lindur në vitin 1987, Alicia Kearns u arsimua në Universitetin e Kembrixhit. Ajo punoi për luftën kundër terrorizmit në Ministrinë e Jashtme, dhe më pas si konsulente, duke këshilluar disa qeveri të huaja në përgjigjen e tyre ndaj terrorizmit të ISIS.


Analiza:

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se mediumi i afërt me pushtetin në Serbi “Happy TV”, ka publikuar një artikull me pretendimin se kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns merr urdhëra nga shërbimi sekret britanik MI6.

Pretendimi i ngjashëm është bërë edhe nga ueb-faqja në gjuhën angleze “The Grayzone”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo ueb-faqe publikon raportime mashtruese dhe artikuj të kategorisë si teori konspirative.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto pretendime si “Teori Konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others