[email protected]
Titull çorientues, nuk i korrespondon përmbajtjes
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet titullit të një videoje të publikuar në YouTube, është pretenduar se Turqia i ka thënë Serbisë se nuk do t’i armatosë armiqtë e Kosovës.

Turqia godet Serbinë : Nuk armatosim armiqtë e Kosovës”, mban titullin videoja e publikuar në kanalin e “Euronews Albania” në YouTube më 10 tetor, në ditën kur presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan vizitoi Shqipërinë.

Çka nuk shkon me këtë titull?

Turqia nuk ka dhënë deklaratë të tillë. Një gjë e tillë nuk thuhet as në videon në fjalë. E vetmja pikë që mund të ndërlidhet me këtë titull është fjalia e nxjerrë nga citati i analistit ushtarak serb, Vlade Raduloviq dhënë për “nova.rs”: “Caqe të caktuara në Prishtinë prej vitesh pohojnë se nuk do të dalë asgjë dhe se kanë marrë premtime nga Ankaraja se ato avionë nuk do t’i dorëzohen Serbisë, sepse siç thonë ata, Turqia nuk mund të armatosë armiqtë e Kosovës”.

Pra kjo tregon se një qëndrim i tillë nuk është thënë nga Turqia zyrtare, siç pretendohet në titull.

Për më shumë, hibrid.info ka kërkuar në motorin online të kërkimit “google.com” me fjalët kyçe “Turqia nuk i armatos armiqtë e Kosovës”. Kërkimi nuk ka çuar në ndonjë publikim kredibil me informacion të tillë.

Në videon e publikuar raportohej për diskutimet se çka do të flitet në takimin mes presidentit të Turqisë, Erdogan, dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq, pas vizitës që Erdogani pati në Shqipëri. E gjatë qëndrimit në Serbi, të premten (11 shtator), Erdogani tha se me Serbinë do të zhvillojnë bashkërisht industrinë e mbrojtjes (burimi Radio Evropa e Lirë).


Analiza:

Titulli i “Turqia godet Serbinë : Nuk armatosim armiqtë e Kosovës” në një video të publikuar nga “Euronews Albania” nuk përkon me përmbajtjen e saj.

Përderisa nëpërmjet titullit pretendohet se një deklaratë e tillë është dhënë nga Turqia, në përmbajtje tregohet se bëhet fjalë për deklaratë të analistit ushtarak serb Vlade Raduloviq që ka cituar “caqe të caktuara në Prishtinë”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë titull si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »