info@hibrid.info
Si ishte Facebooku para programit të pavarur të verifikimit të fakteve (dhe përse s’duam të kthehemi aty)
shape
shape
shape

Artikull i publikuar nga Maldita.es

  • Meta ka njoftuar për përfundimin e programit që ua mundëson kontrolluesve të fakteve t’u shtojnë informata përmbajtjeve të cilat i vlerësojnë si të rreme ose keqinformuese
  • Programi u krijua më 2016, pas disa skandaleve që lidheshin me kampanja të dezinformimit në Facebook
  • Programi operon në më shumë se 100 shtete dhe ka qenë efikas në reduktimin e shpërndarjes së përmbajtjes së rreme. Tani, do të zëvendësohet me sistemi “shënime të komunitetit” (Community Notes), ngjashëm si ai në X

I dyti në komandë i META-s, Joel Kaplan, po thuajse ka konfirmuar se kompania po i jep fund programit të Kontrollit të Fakteve, të palëve të treta, botërisht duke prekur Facebookun, Instagramin dhe Threadsin. Njoftimi vjen pasi shefi ekzekutiv (CEO) Mark Zuckerberg, e arsyetoi fundin e programit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 7 janar, duke thënë se “kontrolluesit e fakteve kanë qenë thjesht shumë të njëanshëm politikisht dhe kanë shkatërruar besimin më shumë se që kanë krijuar diçka të tillë, sidomos në SHBA”, diçka që nuk është e vërtetë.

Që nga fillimi në vitin 2016, Meta ka shpjeguar vazhdimisht përse funksionon programi i kontrollit të fakteve, por para kësaj, Facebooku kishte operuar për 12 vjet pa bashkëpunim me kontrollues të fakteve. Platforma ndryshoi kurs më 2016 sepse problemet e pafundme të shkaktuara nga dezinformatat në platformë u bënë të qarta, dhe pasojat, si manipulimi i ndikimit të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të 2016-s në SHBA dhe skandalet e tjera, nuk mund të shpërfilleshin.

Çka e shtyu Facebookun të krijojë programin e pavarur të kontrollimit të fakteve

Më 15 dhjetor 2016, Facebooku njoftoi për një seri masash kundër mashtrimeve dhe manipulimit, përfshirë bashkëpunimin me kontrollues të jashtëm të fakteve. Edhe pse problemet e platformës me dezinformimin, profilet e rreme dhe rekomandimin e algoritmit për përmbajtje mashtruese ishin raportuar më herët, ishin zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA që forcuan shqetësimet për ndikimin e medias sociale (dhe dezinformimit në të) mbi demokracinë.

Studime të ndryshme sugjerojnë që Facebooku i ridrejtoi votuesit drejt uebfaqeve të dezinformimit dhe, tre muaj para zgjedhjeve, artikujt e rremë gjeneruan më shumë angazhim në media sociale sesa në artikujt nga New York Times, The Washington Post, Huffington Post, NBC News dhe të tjerë. Një studim tjetër ka treguar se Facebooku dhe Twitteri ishin burimet kryesore të trafikut të artikujve të rremë, me Facebookun përgjegjës për 99 për qind të kësaj. Ndërhyrja ruse në zgjedhje po ashtu shfrytëzoi avantazhin e rrjetit social: reklamat e blera nga agjentët rusë mbërritën 10 milionë përdorues.

Këto probleme u konfirmuan edhe më tej dy vjet më vonë me skandalin Facebook-Cambridge Analytica. Një kompani britanike, e kontraktuar nga ekipi i fushatës së Trumpit, përdori të dhënat e përdoruesve të Facebookut për të krijuar reklama politike gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe për t’ua shfaqur ato përdoruesve më të ndjeshëm ndaj tyre. Kjo nuk ndodhi vetëm në SHBA: kompania u akuzua gjithashtu për ndërhyrje në referendumin e Brexit-it në vitin 2016, duke përdorur të dhënat e Facebookut për të shpërndarë propagandë, shpesh me dezinformata.

Facebook dhe verifikuesit e fakteve

Më 17 nëntor 2016, Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve (IFCN) i dërgoi një letër Mark Zuckerbergut, duke propozuar një bashkëpunim me verifikuesit e fakteve:

“Ne besojmë se Facebooku duhet ta nisë një bisedë të hapur mbi parimet që mund të mbështesin një ekosistem lajmesh më të sakta në News Feed-in (faqja kryesore) e tij. Komuniteti global i verifikimit të fakteve është i gatshëm të marrë pjesë në këtë diskutim”.

Në atë kohë, dezinformimi që qarkullonte në Facebook ishte tashmë problem global, duke ndikuar në shumë rajone të botës. Letra e IFCN paralajmëronte: “Postimet popullore që përmbajnë pretendime të rreme për shëndetin janë përdorur për të shitur kura të pavërteta dhe për të minuar fushatat e shëndetit publik në mbarë botën. Pretendimet e rreme në internet janë përdorur për të nxitur dhunë në vende si Nepali dhe Nigeria. Akuza të pabazuara në Facebook çuan në rrahjen për vdekje të një gruaje në Brazil”.

Gati një muaj më vonë, Facebooku njoftoi bashkëpunimin me verifikues të fakteve të njohur nga IFCN, si Snopes, PolitiFact, Associated Press, FactCheck.org dhe ABC News, të cilët do të rishikonin përmbajtjen e raportuar nga përdoruesit si të rreme. Kjo shënoi lindjen e programit të pavarur të verifikimit të fakteve që njohim sot.

Siç shpjegon platforma nga Spanja për kontroll faktesh, Maldita.es, verifikuesit e fakteve kurrë nuk kanë pasur mundësinë të fshijnë përmbajtje nga Facebooku dhe, në shumicën e rasteve, fshirja e dezinformatave nga rrjetet sociale konsiderohet gabim. Në vend të kësaj, ata propozojnë që platformat të përdorin etiketa ose paralajmërime si “Kjo përmbajtje është vlerësuar si e rreme nga një verifikues i pavarur i fakteve”, me një lidhje (vegëz) që shpjegon arsyet, në mënyrë që përdoruesit të kenë më shumë informacion dhe të marrin vendime vetë. Liria e shprehjes, sipas tyre, përfshin edhe të drejtën për të gënjyer, por me mundësinë që gënjeshtra të përgënjeshtrohet. Në fund, verifikuesit ofrojnë informacion – nuk e censurojnë atë.

Programi i pavarur i verifikimit të fakteve mbron njerëzit dhe demokracinë

Në këtë kontekst të vitit 2016 lindi programi i pavarur i verifikimit të fakteve i META-s, duke u ofruar përdoruesve informacion mbi vërtetësinë e postimeve që shohin. Sot, ai funksionon në mbi 100 vende, ku verifikuesit analizojnë dhe etiketojnë përmbajtjet potencialisht të rreme ose mashtruese në Facebook, Instagram dhe Threads.

Rezultatet e programit, sipas vetë Meta-s, janë pozitive. “Ndërmjet korrikut dhe dhjetorit 2023, mbi 68 milionë përmbajtje të shikuara në Facebook dhe Instagram brenda BE-së ishin të etiketuara nga verifikuesit e fakteve. Kur një postim merr një etiketë verifikimi, 95% e njerëzve nuk klikojnë për ta parë atë”, theksoi Meta gjatë zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në vitin 2024.

Pavarësisht kësaj, Zuckerberg këmbëngul se verifikuesit e fakteve kanë “shkatërruar besimin”. “Pas zgjedhjes së Trumpit në vitin 2016, mediat kryesore shkruan pa pushim se dezinformimi ishte një kërcënim për demokracinë. Ne u përpoqëm me mirëbesim të adresonim këto shqetësime pa u kthyer në gjykues të së vërtetës”, deklaroi ai.

Por nuk ishin vetëm mediat që ngritën alarmin. Edhe studiuesit dhe autoritetet hetuan në detaje lidhjen mes Facebookut dhe rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2016. Komisioni Federal i Tregtisë në SHBA e gjobiti Facebookun me 5 miliardë dollarë për përfshirjen në skandalin Cambridge Analytica. Kërcënimi që paraqet dezinformimi për demokracinë nuk është thjesht një ide e gazetarëve apo mediave; është një realitet.

“Me disa vende evropiane që do të mbajnë zgjedhje në 2025, tërheqja e platformave nga lufta kundër dezinformatave u hap rrugën ndërhyrjeve zgjedhore, sidomos nga aktorë të huaj”, u përgjigj Rrjeti Evropian i Standardeve të Verifikimit të Fakteve (EFCSN) ndaj deklaratave të Zuckerbergut.

Duke marrë parasysh se si ishte Facebooku para këtij programi, titulli i videos së CEO-s, “Është koha të kthehemi te rrënjët tona rreth lirisë së shprehjes”, merr një tjetër kuptim. Ato rrënjë, të paktën në vitin 2016, i lejuan rrjetit social të ndihmonte në vendosjen e rezultatit të një zgjedhjeje (nëse jo disa). Zhvillimi i sistemit Community Notes dhe bashkëpunimi me verifikuesit e fakteve që do ta zëvendësojnë këtë program do të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse po kthehemi pas në vitin 2016 apo jo.

Verifikuesit dhe ‘Community Notes’

Te Maldita.es, besojnë se puna e verifikuesve të fakteve dhe Community Notes jo vetëm që nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por duhet të plotësohen mes vete. Është e vërtetë që sistemi në X nuk është i përsosur: mbi 90% e postimeve me informacione të rreme për stuhinë DANA, të përgënjeshtruara nga Maldita, nuk kishin Community Notes. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se përdoruesit nuk i kishin propozuar ato, por se algoritmi i X nuk i shfaqte. Pse?

Shënimet e propozuara vlerësohen nga përdoruesit që marrin pjesë në Community Notes, por algoritmi i bën ato të dukshme vetëm kur përdorues që zakonisht nuk bien dakord me njëri-tjetrin pajtohen se një shënim i caktuar është i dobishëm. Në çështje të polarizuara politikisht, kjo qasje pothuajse garanton që shumë shënime të vlefshme nuk shfaqen kurrë.

Megjithatë, kjo platformë ka thënë se beson që Community Notes mund të jenë një mjet i mirë kundër dezinformimit. Ajo që nevojitet është që platformat t’i sigurojnë disa gjëra, si:

Përparësi për shënimet me burime cilësore dhe ekspertizë.

Reagim më të shpejtë për dezinformatat më të rrezikshme dhe virale.

Parandalimi i manipulimit nga grupe të organizuara apo llogari të shumta.

Pasoja për ata që gënjejnë vazhdimisht, si heqja e verifikimit ose e të drejtës për të fituar nga postimet.

Siguri që platformat nuk ndërhyjnë për të hequr shënimet për shkak të presioneve të jashtme.

Share With Others

Translate »