Shkroi: Etrit Rexhepi
Llogaria me emrin “goplusenergy_drink” në TikTok në dy ditët e fundit ka publikuar 6 video në këtë media sociale, me pretendimin se po dhuron para nëpërmjet një loje shpërblyese.
Të 6 videot në përmbajtje shfaqin Miran Ramadanin, që është imazh i brendit të pijes energjike “Go+” dhe mbishkrimet se do të dhurohen nga 10 mijë deri në 20 mijë euro për personin që arrin ta ndalë një rulet – i cili shfaqet në video – në mënyrë të përsosur.
Vetë llogaria ka komentuar nëpër përmbajtje duke thënë se kushdo që ka arritur ta realizojë kërkesën, mund ta vizitojë vegëzën në profilin e llogarisë.

Çka nuk shkon me publikimet?
Për shkak se ka pasur komente që kanë thënë se e kanë përmbushur kërkesën për të përfituar mjetet nga loja shpërblyese e pretenduar, Hibrid.info ka verifikuar vegëzën e ofruar në profilin e llogarisë në fjalë. Gjetjet tregojnë se bëhet fjalë për faqe të rrezikshme.
Fillimisht pas klikimit të vegëzës në TikTok hapet një faqe e cila paralajmëron se vegëza që po hapet “mund të jetë e pasigurt”.

Hibrid.info ka përdorur platformën “Scam-detector.com”, vegël e vlerësimit të besimit të identiteteve digjitale (adresave elektronike dhe ueb-faqeve) dhe ka gjetur se ueb-faqja është mashtruese dhe është i lidhur me faqe tjera të dyshimta.
Kjo platformë sqaron se në bazë të algoritmit të saj, u zbulua aktivitet me rrezik të lartë në lidhje me phishing dhe spamming.
Çka është Phishing?
Një organizatë apo individ përdor “Phishing” (‘peshkimin’) nëse është duke u përpjekur në mënyrë të paligjshme të marrë informacione të ndjeshme personale nga ju si: ID të përdoruesit, fjalëkalimin, numrat e llogarisë bankare, numrat e kartës së kreditit etj.
Ata pastaj do të përdorin informacionin që ju keni dhënë për të hyrë në llogarinë tuaj për qëllime të paligjshme p.sh. kryejnë mashtrime, me karta krediti me numrat e kartës së kreditit që ju keni dhënë gabimisht për individin apo organizatën ‘phishing’.
Çka është Spamming?
Dëmi Financiar: Spam-i mund të çojë në humbje financiare për individët dhe bizneset për shkak të mashtrimeve dhe përpjekjeve për të vjedhur informacion financiar.
Hibrid.info ka përdorur edhe platformën “scamadvisor.com” për këtë vegëz. Edhe kjo faqe e ka vlerësuar me pikë minimale, apo si “shumë të pasigurt”.
Për të vërtetuar po ashtu se s’bëhet fjalë për përmbajtje origjinale, hibrid.info ka verifikuar edhe llogarinë zyrtare të “goplusenergydrink”. Aty është kuptuar se llogaria mashtruese ka marrë videot origjinale të publikuara më herët. (Shih shembuj këtu dhe këtu)
Po ashtu, llogaria kryesore e pijes “GO+” në TikTok ka afro 600 mijë ndjekës, ndërsa llogaria mashtruese mbi 21 mijë.
Hibrid.info ka verifikuar përmbajtjen e faqes zyrtare dhe nuk ka gjetur lojë shpërblyese të ngjashme aktive.
Ndikimi i videove të publikuara nga llogaria që po trajtohet ka qenë i konsiderueshëm në TikTok. Bashkë, të gjitha videot kanë mbi dy milionë shikime dhe mbi 50 mijë pëlqime.
Analiza:
Llogaria me emrin “goplusenergy_drink” në TikTok pretendon për lojë shpërblyese për ndjekësit e saj.
Kjo llogari ka publikuar gjashtë video për dy ditë dhe u kërkon ndjekësve të hyjnë në një vegëz që shfaqet në llogari për shpërblimin. Por kjo faqe, sipas gjetjes së hibrid.info, është e rrezikshme.
Po ashtu përmbajtja e publikuar është marrë nga postimet e mëhershme të llogarisë zyrtare të brendit të pijes energjike.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë ueb-faqe si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.