Shkroi: Fatbardh Dema
Një faqe në median sociale Facebook e quajtur “Kosova Report” ka publikuar dy përmbajtje, një imazh dhe një video, përmes të cilave pretendohet se në Gaza nuk ka krizë urie.
Në një video-material (arkivuar) të publikuar nga kjo faqe më 29 korrik, pretendohet se pamjet paraqesin një market në Al-Sahaba në Gaza, duke u përdorur si dëshmi se atje nuk ka krizë urie.
Ndërsa në një tjetër postim (arkivuar), ku shihet një grua me vajzë të vogël në krah, i cili pretendohet se ka humbur aftësinë për të ecur për shkak të mungesës së ushqimit në Gaza, kjo faqe e cilëson këtë informacion si të pavërtetë.
E vërteta?
Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është konstatuar se video-materiali përpiqet të përgjithësojë pasaktë se në Gaza nuk ka krizë urie, bazuar vetëm në pamjet e një marketi. Ndërkohë, pretendimi tjetër se fëmija i paraqitur në fotografi nuk ka humbur aftësinë për të ecur për shkak të mungesës së ushqimit në Gaza, është i rremë.
Pas hulumtimit online, hibrid.info ka gjetur pamjet e video-materialit ku shfaqen disa persona duke bërë pazar në Gaza. Kjo përmbajtje u verifikua nga kontrollues faktesh në Deutche Welle.
Aty thuhet se DW Factcheck ka folur me Majdi Fathi, gazetarin të cilit i atribuohet videoja. Ai thuhet se e ka konfirmuar se pamjet janë autentike dhe tregojnë një treg brenda Gazës, duke shtuar se kjo nuk nënkuptonte se ushqimi është i disponueshëm për të gjithë.
“Këto perime dhe fruta janë shumë të shtrenjta. Shumica e njerëzve në Gaza nuk mund t’i përballojnë ato. Ajo që i mungon Gazës janë artikuj të tjerë ushqimorë si mishi, qumështi, orizi dhe vezët. Nuk gjeta asgjë tjetër për të filmuar në treg”, thuhet të ketë thënë Fathi.
Ndërsa, pretendimi tjetër se fëmija që shfaqet në fotografi nuk ka humbur aftësinë për të ecur si shkak i mungesës së ushqimit në Gaza, u demantua. Hibrid.info gjeti artikullin e publikuar nga mediumi Anadolu Agency, i cili shfaq pamjet e këtij fëmije dhe sqaron se gjendja e tij është përkeqësuar si rezultat i kequshqyerjes.
“Meryem Abdulaziz Mahmoud Davvas, nëntëvjeçare, e cila u strehua me familjen e saj në një strehë në Gazën qendrore për shkak të sulmeve izraelite, tani është kequshqyer rëndë dhe është e paaftë të ecë. Meryem, e cila peshonte 25 kilogramë para sulmeve, ka rënë në 10 kilogramë. Testet spitalore nuk zbuluan asnjë sëmundje organike dhe mjekët konfirmuan se gjendja e saj ishte tërësisht për shkak të urisë dhe kequshqyerjes. Familja e Meryem ka kërkuar urgjentisht trajtim dhe mbështetje të shëndetshme ushqyese jashtë Gazës për të siguruar mbijetesën e vajzës së tyre”, thuhet në përshkrimin e këtyre fotografive.
Çfarë thonë raportet ndërkombëtare?
Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (Integrated Food Security Phase Classification – IPC), një mekanizëm global për monitorimin e urisë, ka paralajmëruar se pragjet e urisë ekstreme janë tejkaluar në disa pjesë të Gazës, veçanërisht në qytetin e Gazës, duke e cilësuar krizën si një “skenar më i keqi i mundshëm” që tashmë po shpaloset.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (World Health Organization – WHO), 63 nga 74 vdekje të lidhura me kequshqyerjen të regjistruara në Gaza këtë vit kanë ndodhur vetëm gjatë muajit korrik, përfshirë 38 të rritur dhe 24 fëmijë nën moshën 5 vjeç.
Ndërkohë, punonjësit humanitarë në terren raportojnë se edhe vetë ata po përballen me uri, ndërsa Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka njoftuar se dhjetëra persona kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me urinë gjatë tre javëve të fundit. (shih këtu)
Analiza:
Faqja “Kosova Report” në Facebook ka shpërndarë dy përmbajtje, një video dhe një fotografi me qëllim të mohimit të krizës së urisë në Gaza. Në video, që pretendohet të jetë xhiruar në një market në Al-Sahaba, paraqiten pamje të frutave dhe perimeve, duke u përdorur si dëshmi se në Gaza nuk ka mungesë ushqimi. Ndërsa në një tjetër postim, ku shihet një vajzë e vogël në krahët e nënës, faqja pretendon se ajo nuk ka humbur aftësinë për të ecur si pasojë e urisë.
Pas verifikimit nga hibrid.info, u vërtetua se pamjet e marketit janë autentike, por ato nuk përfaqësojnë gjendjen e përgjithshme në Gaza. Sipas gazetarit Majdi Fathi, që realizoi videon, çmimet e produkteve janë shumë të larta dhe ushqimet bazike mungojnë, çka përjashton mundësinë që shumica e banorëve të kenë qasje në to. Ndërkohë, pretendimi për vajzën u demantua përmes një artikulli të Anadolu Agency, i cili konfirmon se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar rëndë si rezultat i kequshqyerjes dhe urisë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto pretendime si “Dezinformata”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

