Të martën (28 prill) ishte afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit të vendit. Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta zgjedhë atë, çka, sipas Kushtetutës, çoi në shpërndarjen e tij dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të reja. Këto zgjedhje vijnë 77 ditë pas konstituimit të Kuvendit, më 11 shkurt, kur u votua edhe qeveria nga shumica parlamentare e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) (shih këtu).
Kjo legjislaturë doli nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, në të cilat LVV fitoi shumicën e votave me 51.11% (shih këtu). Pas shpërndarjes së parlamentit, neni 30 i Ligjit për Qeverinë përcakton se vendi udhëhiqet nga një qeveri në dorëheqje (shih këtu).
Ndërkohë, neni 31 i këtij ligji kufizon vendimmarrjen e saj, duke e lejuar vetëm në aktivitete të domosdoshme dhe të planifikuara, ndërsa ndalon miratimin e projektligjeve, amendamenteve kushtetuese, strategjive, si dhe inicimin apo propozimin e emërimeve në pozita publike. Përjashtimisht, qeveria mund të propozojë buxhetin dhe, në raste emergjente, të devijojë nga këto kufizime kur kjo është e domosdoshme.
Në këtë kontekst, lind pyetja se cilat ishin vendimet që mori qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti gjatë këtyre 77 ditëve në pushtet?
Pesë vendimet e para të premtuara nga LVV
LVV kishte prezantuar programin me të cilin garoi në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ndonëse mandati i qeverisë dhe i Kuvendit të dalë nga këto zgjedhje u ndërpre për shkak të moszgjedhjes së Presidentit brenda afateve kushtetuese, në këtë program ishin përfshirë edhe pesë vendimet e para, të cilat parashiheshin të realizoheshin në fillim të mandatit të ri (shih këtu).
Vendimet e parapara ishin
- Miratimi i buxhetit rekord prej 4 miliardë euro për vitin 2026.
- Procedimi i ligjit të ri për çmime tavan, ashtu që të frenohet abuzimi i tregtarëve me rritjen e çmimeve.
- Procedimi i ndryshimit plotësues të ligjit, që heq kufizimin e punësimit për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që marrin beneficionin.
- Miratimi i vendimit për pagesën e pagës së 13-të për të gjithë shërbyesit publikë, që në fillim të vitit.
- Miratimi i Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, në vlerë prej 200 milionë eurosh, e cila përmban: a) Mbështetje të njëhershme për pensionistët, fëmijët që marrin shtesa, studentët dhe punëtorët e sektorit privat. b) Rikthim të Skemës për Subvencionim të Kursimit të Energjisë Elektrike, nga e cila pritet të përfitojnë mbi 200 mijë familje.

Miratimi i buxhetit prej 4 miliardë euro
Vendimi i parë në mandatin e ri ishte miratimi i buxhetit prej katër miliardë eurosh për vitin 2026. Më 16 shkurt, pesë ditë pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë, u miratua në lexim të parë projektligji për buxhetin e Kosovës për vitin 2026 (shih këtu). Ndërsa katër ditë më pas, në lexim të dytë, projektligji për buxhetin kaloi me 62 vota për, 36 kundër dhe asnjë abstenim (shih këtu).
Ligji për çmimet tavan
Vendimi i dytë i premtuar ishte procedimi i Ligjit të ri për çmimet tavan. Qeveria e Kosovës më 3 prill e kishte kaluar projektligjin për çmimet tavan. Kjo ishte përpjekja e dytë për fuqizimin e këtij ligji, pasi Gjykata Kushtetuese ia kishte rrëzuar gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar (shih këtu).
Ky projektligj më 10 prill u miratua në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës, kurse përfundimisht u miratua më 23 prill (shih këtu).
Ndryshimi i Ligjit për veteranët e UÇK-së
Një tjetër nismë e premtuar ishte procedimi i ndryshimeve plotësuese të ligjit, të cilat synojnë heqjen e kufizimit të punësimit për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që marrin benificione.
Pas hulumtimit përmes motorit të kërkimit “Google”, nuk u gjet asnjë rezultat që konfirmon nisjen e kësaj nisme nga kjo legjislaturë apo nga kjo qeveri (shih këtu).
Ndryshimin dhe plotësimin e tre ligjeve gjatë vitit 2026 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, Veteranët e Luftës së UÇK-së dhe Statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre, e kishte paralajmëruar me anë të një statusi në llogarinë e tij në Facebook edhe Andin Hoti, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare (shih këtu).
As kërkimi veç e veç me anë të “Google” për secilin nga këto ligje nuk solli rezultate që do të konfirmonin se ky premtim është konkretizuar. (shih këtu, këtu dhe këtu).
Paga e 13-të
Vendimi për pagën e 13-të nga Qeveria e Kosovës ishte marrë më 13 tetor 2025. Vendimi ishte përfshirë në buxhetin e miratuar për vitin 2026 (shih këtu). Më pas ky vendim u konkretizua më 30 mars të këtij viti, kur Qeveria e Kosovës miratoi dhënien e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik (shih këtu).
Pakoja financiare e inflacionit 2.0
Vendimi i fundit i premtuar nga LVV në mesin e pesë vendimeve të para në mandatin qeverisës ishte miratimi i Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, në vlerë prej 200 milionë eurosh, e cila parashihte mbështetje të njëhershme për pensionistët, fëmijët që marrin shtesa, studentët dhe punëtorët e sektorit privat, si dhe rikthim të Skemës për Subvencionim të Kursimit të Energjisë Elektrike, nga e cila parashihej të përfitonin mbi 200 mijë familje.
Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës më 3 prill, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar Qeveria po përgatit pakon e inflacionit në vlerë prej 200 milionë eurosh, për ta përballuar rritjen e çmimeve (shih këtu).
Më 25 prill në Kuvendin e Kosovës u propozua nga Lëvizja Vetëvendosje shmangie nga afati procedural për rishikimin e Ligjit për Buxhetin 2026. Propozimi i këtij subjekti politik nuk mori mbështetje nga 2/3 e deputetëve të pranishëm, për këtë arsye nisma si e tillë dështoi (shih këtu).
Në një reagim ndaj këtij dështimi, Hekuran Murati, ministri i Financave deklaroi se rishikimi i buxhetit ishte i domosdoshëm për të mundësuar zbatimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, në vlerë prej 200 milionë eurosh (shih këtu). Një gjë e tillë tregon se ky vendim i premtuar nuk arriti të finalizohej.
Si përfundim
Në përgjithësi, analiza tregon se nga pesë vendimet e para të premtuara nga LVV, tre janë realizuar ose janë konkretizuar në praktikë (buxheti 2026, ligji për çmimet tavan dhe paga e 13-të), ndërsa dy të tjera nuk janë realizuar ose nuk kanë arritur të finalizohen (ndryshimet për veteranët dhe Pakoja për Inflacionin 2.0).
Kjo tregon se një pjesë e konsiderueshme e premtimeve është zbatuar në nivel vendimmarrjeje, por jo të gjitha kanë kaluar në fazën e implementimit të plotë brenda periudhës së analizuar.