Të fundit | Rifat Jashari nuk e ka bërë deklaratën e pretenduar ndaj Edi Ramës Të fundit | Titulli e paraqet lirimin e Thaçit si të konfirmuar Të fundit | Rama s’ka thënë se mbështetësit e protestave nga Kosova e Maqedonia e Veriu… Të fundit | Nuk ka dëshmi se Engel ka deklaruar se lirimi i Thaçit do të ndikonte në sk… Të fundit | Pretendim i rremë se Hillary Clinton ka bërë një deklaratë për qeverisjen e… Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin korrik 2026 Të fundit | Format e manipulimit të imazheve për qëllime keqinformimi Të fundit | Hamza nuk refuzoi krijimin e institucioneve dhe nuk kërkoi zgjedhje të reja Të fundit | Videoja e vitit 2021 me aeroplanë luftarakë serbë mbi Jarinjë ripublikohet… Të fundit | Pretendime pa fakte se familja Berisha e dogji shtëpinë në Zveçan për t’i a…
[ ARTIKULLI ]

“Sondazhet” në media sociale: Krijimi i një realiteti të rremë para zgjedhjeve

FATBARDH DEMA

Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja të parakohshme, që sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, ato duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Si rezultat i kësaj ngjarjeje, në median sociale Facebook, menjëherë u aktivizuan disa faqe të cilat vetëquhen si media, për të publikuar anketa që i quajnë “sondazhe” me pyetje se cilin subjekt politik do ta votoni në zgjedhjet e parakohshme (shih këtu, këtu dhe këtu).

Këto përmbajtje, megjithatë nuk përmbushin standardet bazë të matjes së opinionit publik dhe mund të kontribuojnë në çrregullim informativ.


Çfarë i dallon sondazhet reale nga anketat (poll) në media sociale?

Sondazhet profesionale realizohen nga kompani apo institute kërkimore dhe bazohen në metodologji shkencore, përzgjedhje përfaqësuese të mostrës, kontroll të strukturës demografike dhe transparencë mbi mënyrën e mbledhjes së të dhënave.

Në të kundërtën, anketat nga faqe të ndryshme në Facebook janë të hapura për këdo që e sheh postimin, nuk përdorin mostra dhe reflektojnë vetëm audiencën e asaj faqeje.

Një studim i publikuar në vitin 2024 thekson se sondazhet në media sociale vuajnë nga “anshmëria e përzgjedhjes” dhe nuk përfaqësojnë opinionin e përgjithshëm të popullsisë.

Rreziqet që vijnë nga këto “sondazhe”

Duke u mbështetur në përvojën e mëhershme, hibrid.info, në prag të proceseve zgjedhore, ka identifikuar dhe trajtuar qindra publikime të rreme nga publikues të ndryshëm në media sociale, që janë paraqitur rrejshëm si sondazhe të besueshme (shih disa këtu, këtu dhe këtu).

Këto anketa publikohen me formulime që i bëjnë të duken si “sondazhe”, kështu duke krijuar përshtypjen se pasqyrojnë realitetin politik.

Hulumtimet tregojnë se përmbajtjet që paraqiten si fakte kanë ndikim më të madh në formësimin e opinionit publik. Një analizë nga MIT Sloan School of Management sqaron se informacioni i pasaktë në media sociale përhapet më shpejt dhe ka ndikim më të madh sesa informacioni i saktë.

Po ashtu, një analizë mediale e publikuar nga mediumi francez El Pais, thekson se sondazhet në media sociale mund të “deformojnë qëllimisht realitetin politik”, duke krijuar perceptime të gabuara për mbështetjen ndaj partive.

Çka janë sondazhet?

Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.

Prandaj, lexuesi që has në një përmbajtje të tillë, për ta verifikuar atë nëse është sondazh kredibil apo jo, duhet të kontrollojë:

Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?

Kush u intervistua?

Si u zhvillua sondazhi? 

Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?

Kur u krye sondazhi? 

Sa persona u intervistuan? 

A u peshua sondazhi? Nëse po, si?

A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta? 


Shfaqja e menjëhershme e “sondazheve” në Facebook pasi që vendi do të mbajë zgjedhje të parakohshme, është një praktikë e përsëritur edhe në periudhat e kaluara zgjedhore. Edhe pse këto përmbajtje në shikim të parë mund të duken si të padëmshme, ato krijojnë një pasqyrë të shtrembëruar të realitetit politik dhe mund të ndikojnë në perceptimin e votuesve.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere