Përgatiti: Festim Rizanaj
Monitorimi tregon se gjatë javës së fundit (25 – 31 gusht 2025), hapësira informative në media dhe sociale është mbizotëruar nga lajme të rreme dhe mashtrime.
Lajmet e rreme të javës së fundit janë publikuar kryesisht në rrjete sociale dhe faqe me emra anonime. Më 19 gusht, një llogari në Facebook me emrin “Lajme Nga Bota” shpërndau një fotografi të kryeministrit Edi Rama me pjesëtarë të komunitetit hebraik, duke pretenduar se Shqipëria kishte pranuar të strehojë hebrenjtë e dëbuar nga Palestina. Ky pretendim u vlerësua si i rremë, pasi nuk ekziston ndonjë vendim zyrtar dhe fotografia i përket një vizite të Ramës në New York. Po ashtu, më 18 gusht, në TikTok, llogaria “dardania_seal” publikoi një video me pretendimin se Kosova kishte blerë 16 automjete ushtarake “BMC Altug 8×8” nga Turqia. Edhe ky lajm rezultoi i rremë, pasi kontrata për këto mjete është nënshkruar vetëm mes kompanisë turke “BMC” dhe Presidencës së Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, pa përfshirje të Kosovës.
Përmbajtjet mashtruese janë shfaqur kryesisht në Facebook, duke shfrytëzuar emra të faqeve që krijojnë besueshmëri të rreme. Më 26 gusht, faqja “Autowelt” publikoi një postim ku pretendohej se po dhuronte dy vetura “Volkswagen”. Përdoruesve u kërkohej të komentonin “@highlight” për të marrë pjesë në një lotari të supozuar. Verifikimi nga hibrid.info dhe platforma daneze tjekdet.dk e cilësoi këtë përmbajtje mashtruese, duke sqaruar se qëllimi ishte të drejtoheshin përdoruesit në faqe të rrezikshme ku rrezikonin t’i jepnin të dhënat e tyre personale. Po ashtu, faqja “Mega Mall” shpërndau një mesazh mashtrues, ku pretendohej se fituesit kishin marrë një “Volkswagen Tiguan” 2025, por për ta përfituar kërkohej regjistrim përmes një linku brenda 24 orëve. Hibrid.info konfirmoi se bëhej fjalë për mashtrim klasik, pasi faqja përdorte domain falas, nuk kishte kontakt të verifikuar dhe kërkonte të dhëna personale e të kartës së kreditit, të lidhura me raste të mëparshme mashtrimesh.
Përmbajtja që u vlerësua si clickbait/manipulim i fakteve është artikulli i publikuar më 25 gusht nga disa media online me titullin: “PDK-ja e voton Dimal Bashën për kryetar Kuvendi, thotë Çitaku – ‘Veç deshëm të dimë a e kanë seriozisht’”. Ky titull i atribuon një deklarate të pasaktë të Vlorа Çitakut, e cila nuk e ka thënë shprehimisht këtë.
Manipulim i fakteve u vlerësua publikimi më 25 gusht, nga faqet në Facebook “Jepi Zë” dhe “Përmbledhja”, të cilët shpërndanë pretendimin se Donika Gërvalla ka thënë se qeveria hapi 430 mijë vende pune. Hibrid.info vërtetoi se kjo ishte manipulim i fakteve, pasi Gërvalla ka folur për rritje me 85 mijë të të punësuarve aktivë.
Përmbajtje e paverifikuar është pretendimi i publikuar më 26 gusht nga llogaria në Telegram “БУНТ је стање духа ♱⃓”, se shqiptarët po planifikojnë heqjen e monumentit të “Car Lazarit” në Mitrovicë. Ky informacion është shpërndarë edhe në gjuhën shqipe, por deri më tani nuk ka konfirmim nga institucionet, autoritetet lokale apo mediat.
Lajm i rremë
Publikohet një fotografi ku shfaqet Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë i shoqëruar nga pjesëtarë të komunitetit hebraik, me mbishkrimin që pretendon se ai ka pranuar që të sillen në Shqipëri, hebrenjtë e dëbuar nga vendi i palestinezëve, me shtetin shqiptar që do tu sigurojë atyre qëndrimin. Përmbajtja me këtë pretendim është publikuar të martën (19 gusht) nga një llogari me emrin “Lajme Nga Bota”. Hibrid.info ka gjetur se pretendimi në fjalë nuk qëndron. Nuk ka vendim zyrtar të konfirmuar nga Rama apo nga ndonjë burim kredibil dhe se fotografia nuk lidhet me ndonjë marrëveshje për strehimin e hebrenjve në Shqipëri, por paraqet një moment fetar të Edi Ramës në Ohelin e Rebes në New York. (këtu)
Përmes një video-materiali të publikuar në TikTok, pretendohet se Kosova ka porositur nga Turqia 16 automjete ushtarake BMC Altug 8×8. Kjo përmbajtje u publikua me 18 gusht nga llogaria “dardania_seal”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info u vërtetua se ky pretendim është i rremë. Aktualisht vetëm Presidenca e Industrisë së Mbrojtjes në Turqi ka nënshkruar kontratë me kompaninë turke të mbrojtjes “BMC” për furnizimin me këto automjete. (këtu)
Clickbait/Manipulim i fakteve
Në disa media online në gjuhën shqipe, të hënën (25 gusht) është shpërndarë një artikull me titull “PDK-ja e voton Dimal Bashën për kryetar Kuvendi, thotë Çitaku – “Veç deshëm të dimë a e kanë seriozisht””. Artikulli është publikuar nga mediat online si, “Gazetainfokus.com”, “Gazeta10.com”, “Veriu.info”, “Ekonomiaonline.com”, “Frontonline.net”, “Demokracia.com”, “Nacionale.com” e “Gazetablic.com”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se deputetja dhe sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, nuk e ka thënë shprehimisht se “PDK-ja e voton Dimal Bashën për kryetar Kuvendi”, siç pretendohet në titujt e artikujve të lartcekur. (këtu)
Manipulim i fakteve
Publikohen përmbajtje me mbishkrimin që pretendon se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, ka deklaruar se “Kjo qeveri i ka hapur 430 mijë vende të reja pune.” Këto përmbajtje janë publikuar të hënën (25 gusht), nga faqet në Facebook me emrat “Jepi Zë” dhe “Përmbledhja”. Hibrid.info ka gjetur se deklarata e Gërvallës për vendet e punës është keqinterpretuar. Gërvalla ka thënë se numri i të punësuarve aktivë është rritur nga 350 mijë në 435 mijë (85 mijë vende të reja pune), e jo se qeveria ka hapur 430 mijë vende pune. (këtu)
Dezinformatë
Llogaritë Vukfenix dhe MarioZNA në platformën X, më 25 gusht (e hënë), kanë publikuar një video ku shihen duke u fjalosur dy gra. Sipas përshkrimit të postimit, incidenti ka ndodhur në Venecia të Italisë, ku pretendohet se një turiste amerikane ka kapur për flokësh një vajzë migrante shqiptare, e dyshuar si hajdute xhepash. Postimi shton se turistes i ishin marrë kufjet AirPods dhe pasaporta, të cilat ajo i ka gjurmuar përmes aplikacionit “Find My”, duke identifikuar dhe përballur të dyshuarën. Pas kërkimeve në media ndërkombëtare dhe burime të tjera të besueshme, nuk ka asnjë informacion që konfirmon identitetin ose kombësinë e vajzës së përfshirë në incident. (këtu)
Clickbait
Është publikuar një artikull i titulluar: “Trump paralajmëron: Nëse Rusia nuk lëviz drejt paqes, shpallim luftë”. Përmbajtja me këtë titull është publikuar të mërkurën (27 gusht) nga mediumi online “Paparaci.com”. Hibrid.info ka vërejtur se titulli në këtë rast është përgjithësues. Në brendësi të lajmit njoftohet se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA-së), Donald Trump ka folur për mundësinë e sanksioneve të reja ekonomike ndaj Rusisë. Këto sanksione ai i ka cilësuar si një “luftë ekonomike”. (këtu)
Mashtrim
Një faqe në Facebook me emrin “Autowelt” ka publikuar më 26 gusht 2025 një postim ku pretendon se po dhuron dy vetura të markës Volkswagen. Për të marrë pjesë, përdoruesve u kërkohet të shkruajnë në koment fjalën “@highlight”, dhe nëse ajo shfaqet me ngjyrë të kaltër, thuhet se do të futen në një lotari. Verifikimi i kryer nga hibrid.info dhe platforma daneze për kontrollin e fakteve “tjekdet.dk” ka konfirmuar se ky postim është mashtrues. Sipas tjekdet.dk, mashtruesit përpiqen të tërheqin përdoruesit drejt faqeve të internetit që nuk kanë lidhje me automjetet, ku pjesëmarrësit mund të përfundojnë duke dhënë të dhëna personale për qëllime të pastra mashtruese. (këtu)
Është hasur një mesazh ku pretendohet se personi i cili e ka pranuar atë, ka fituar një makinë “Volkswagen Tiguan” të vitit 2025, për çka i kërkohet të regjistrohet duke vendosur të dhënat përmes një linku brenda 24 orëve. Autor i këtij mesazhi është një faqe në Facebook me emrin “Mega Mall”. Hibrid.info ka gjetur se mesazhi është mashtrim. Faqja që e ka shpërndarë mesazhin ka përdorur një domain falas, nuk ka kontakt të verifikuar, kërkon të dhëna personale dhe të kartës së kreditit nën pretekstin e “verifikimit”, si dhe lidhet me raste të mëparshme mashtrimesh. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Më 26 gusht, llogaria në Telegram në gjuhën serbe БУНТ је стање духа ♱⃓ ka publikuar një postim me pretendimin se, sipas disa informacioneve që ata kanë marrë, shqiptarët po planifikojnë heqjen e monumentit të “Car Lazarit” në Mitrovicën e Kosovës. Pra, pas kërkimeve në sferën digjitale informative, del se ky pretendim nuk është përhapur vetëm në gjuhën serbe, por është publikuar edhe në gjuhën shqipe. Deri më tani, nuk ka asnjë konfirmim nga institucionet e Kosovës, nga autoritetet lokale në Mitrovicë apo nga media se ekziston një plan për heqjen e monumentit të “Car Lazarit”. (këtu)