Kufijtë e gazetarisë me PR-in e politikën vendosen tek dallimet në qëllimin/misionin shoqëror. Derisa gazetaria ka qëllime të raportimit të së vërtetës, përmes informimit, analizimit, komentimit, etj., si dhe verifikimit e mbikëqyrjes, PR-i qëllimin kryesor e ka saktësisht të kundërt e gazetarisë, sepse zyrtarët, spin-doktorët e influencuesit qëllimin kryesor e kanë bindjen. Ndërsa politika, si një natyrë tjetër e veprimtarisë shoqërore, ka qëllimin dominimin përmes fuqisë së vendimmarrjes.
Alban ZENELI
Gazetaria është publikimi i të dhënave që dikush tjetër nuk dëshiron të bëhen publike, kishte thënë Orwell. Megjithatë, përtej këtij përkufizimi ortodoks për funksionin e gazetarisë në shoqëri, ajo ka edhe disa funksione të tjera, siç është artikulimi i problemeve e nevojave shoqërore, vendosja e agjendës, verifikimi, mbikëqyrja e pushteteve, etj. Në fakt me ndryshimet teknologjike, format e të bërit gazetari janë ndryshuar, struktura e përmbajtjes, format e mbledhjes së të dhënave dhe plasimit të tyre në publik, megjithatë, nuk ka ndryshuar qëllimi.
Përkundër kësaj, disa kufij shumë të rëndësishëm e definojnë këtë ndërmarrje fisnike në shoqëri, sidomos tash, kur publikues të ndryshëm të përmbajtjes janë të barabartë me mediat dhe gazetarët në mundësinë e publikimit dhe shpërndarjes.
Në këto ndryshime, një grup i profesorëve austriak, kryesor nga Uta Russmann, në hulumtimin e tyre gjejnë që termi “gazetar” sot, është shumë më i gjerë se çfarë ishte 15 vite më parë. Megjithatë, në studimin e tyre vënë theksin e gazetarisë si profesion, në dallim me Marrëdhëniet me Publikun (MP) dhe “advertajzingut”, duke e bërë të qartë këto dy të fundit karakterizohen nga mungesa e transparencës dhe “udhëhiqen nga interesi”, pra jo nga interesi publik. Russmann dhe të tjerët vërejnë që praktikat e përmbajtjeve promocionale që ngjasojnë me shkrimet e gazetarëve e që botohen në platformat e njëjta, duke thënë që këto praktika e turbullojnë edhe më tutje kufirin e gazetarisë me MP-në.
“Këto praktika i turbullojnë kufijtë midis PR-it, reklamimit dhe gazetarisë duke përdorur teknika të ngjashme në të njëjtën platformë, duke e bërë të vështirë për marrësit të identifikojnë qëllimin promovues që qëndron pas përmbajtjes”, gjejnë Russmann dhe autorët e tjerë të punimit.
Në një botë të digjitalizuar, ku ndërveprimi shoqëror online është jashtëzakonisht i madh, e ku kufijtë, përkundër gërryerjes, mbahen të qartë ndërmjet gazetarisë, PR-it dhe politikës. Duke diskutuar këtë çështjet, autorët e librit, Kufinjtë e Gazetarisë, të redaktorëve Carlson dhe Lewis, bëjnë të qartë që normat profesionale të gazetarisë e bëjnë të qartë “demarkimin” e kufijve me profesionet tjera.
Këta kufij konsistojnë në, paanshmërinë ndaj palëve për të cilat raportet, verifikimi para botimit, balancimi i përmbajtjes duke përfshirë palët e problemit që trajton (nuk nënkupton atë që njihet si ‘balanc i rremë’), integriteti i informacionit që bazohet së pari në parimin e plotësisë së informacionit, mospromovimin e një veprimtarie shoqërore, nëse promovim nuk është i bazuar në fakte dhe nuk i shërben të mirës publike.
Duke ndjekë këto parime dhe gjykime të tjera të bazuara në standarde etike e profesionale, gazetari ka qëllim/mision publikimin e të vërtetës. Normalisht, bashkë me të drejtën që të analizojë, komentojë, përshkruajë, stilizojë, satirizojë e parodizojë secilin zhvillim shoqëror, por duke e bërë të qartë për publikun e tij që po publikon këto lloj përmbajtje që synojnë dhënien e mendimit, jo informimin. Kaq, këtu është kufiri.
Në anën tjetër, zyrtari i PR-it, spin-doctori, influenceri (ndikuesi), etj., kanë qëllime të tjera në shoqëri, nisur nga brendimi dhe shitja e produktit, shërbimit apo ideve, që në rrënjë ka bindjen.
Derisa një zyrtar i PR-it shërbimet i ofron në prapaskenë, me qëllim që të përmirësojë paraqitjen publike, një influencer e bënë këtë hapur, duke krijuar përmbajtje në shërbim të përmirësimit të imazhit të kompanisë, kryesisht në media sociale. Ndërsa spin doktori ka qëllim kryesor shndërrimin e një situate të pafavorshme në situatë të favorshme për një kompani duke tërhequr vëmendjen drejt ‘skandaleve të parëndësishme’. Kaq, pra këto veprimtari synojnë bindjen.
Politika si veprimtari shoqërore konsiston në ‘artin e së mundshmes’, që lidhet me politikbërjen. Por në esencë flitet për pushtetin-fuqinë e vendimmarrjes në shoqëri. Shpeshherë kjo gjë bëhet duke mos zgjedhur mjete e duke mos pas një etikë në ato vendimmarrje.
Si përfundim, kufijtë e gazetarisë me PR-in e politikën vendosen tek dallimet në qëllimin/misionin shoqëror. Pra, ashtu siç shpjegohet edhe tek libri “Zhanret e gazetarisë”, i autorit Bajram Kosumi, qëllimi i përmbajtjes është njëri nga elementët dallues, ndërkohë që struktura që ishte evidence dalluese dikur, tashmë nuk ekziston. Derisa gazetaria ka qëllime të raportimit të së vërtetës, përmes informimit, analizimit, komentimit, etj., si dhe verifikimit e mbikëqyrjes, PR-i qëllimin kryesor e ka saktësisht të kundërt e gazetarisë, sepse zyrtarët, spin-doktorët e influencuesit qëllimin kryesor e kanë bindjen. Ndërsa politika, si një natyrë tjetër e veprimtarisë shoqërore, ka qëllimin dominimin përmes fuqisë së vendimmarrjes.
(Alban Zeneli është ligjërues në Departamentin e Gazetarisë, Fakulteti i Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ai është edhe autor i shumë publikimeve shkencore në revista prestigjioze botërore. Zeneli është opinionist i rregullt në hibrid.info).