Shkroi: Fatbardh Dema
Në epokën e informacionit të menjëhershëm, shpejtësia për ta publikuar një lajm shpesh vjen para verifikimit të fakteve. Gara për të qenë i pari në raportim, qoftë në portale mediatike apo media sociale, rrit rrezikun që informacioni i pasaktë të shpërndahet me shpejtësi, gjë që çon në dezinformim.
Një rast i tillë ndodhi të enjten mbrëma. Portali informativ “gazetademos.com” në faqen zyrtare në Facebook, ka publikuar një video-material me përshkrimin “Gjuajtje me armë zjarri në Prishtinë, njësitet speciale të Policisë së Kosovës e ato të Emergjencës janë në vendngjarje”. (shih këtu)

Postimi me këtë pretendim fillimisht u publikua në ora 21:58, ndërsa afër një orë më vonë (22:49) këtij postimi iu ndryshua përshkrimi në “Arrestohet një person në Prishtinë që ishte i dënuar për posedim të narkotikëve, gjatë aksionit 28-vjeçari i dyshuar e hedh drogën nga ballkoni i banesës”. (shih fotografinë më poshtë)

Megjithatë, lajmi me pretendimin se kishte gjuajtje me armë zjarri në Prishtinë, u shpërnda më pas nga disa portale tjera, por që këtë herë ato kanë përdorur fjalën “raportohet”. (shih këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu)
Për ta vërtetuar më shumë faktin se të enjten nuk kishte gjuajtje me armë zjarri në Prishtinë, në raportin 24 orësh të lëshuar nga Policia e Kosovës, sqarohet se bëhej fjalë për arrestimin e një të dyshuari, i cili kishte urdhër arrest nga gjykata për rastin “POSEDIM I SUBSTANCAVE NARKOTIKE”. (shih fotografinë më poshtë)

Çka thonë studimet për këtë fenomen?
Sipas studimit të publikuar në revistën shkencore ndërkombëtare e fushës së psikologjisë “Acta Psychologica”, ndarja e informacionit pa verifikim paraprak amplifikon dezinformimin dhe ndikon drejtpërdrejt në formimin e perceptimeve të gabuara publike — veçanërisht në situata të tensionuara apo të ndjeshme për sigurinë publike. (shih këtu)
Ky rast ilustron një fenomen të njohur në komunikimin digjital, publikimin e informacioneve të pakonfirmuara bazuar në dëshmitarë të rastit, zëra online ose perceptime vizuale, në vend të verifikimit me burime zyrtare.