Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë periudhës 8–14 dhjetor 2025, peizazhi mediatik dhe rrjetet sociale në Kosovë u karakterizuan nga dominimi i lajmeve të rreme, të cilat përbënin boshtin kryesor të keqinformimit në këtë periudhë.
Lajmet e rreme u publikuan kryesisht në rrjetet sociale Facebook dhe TikTok, nga faqe dhe llogari jozyrtare si “Mekuli Press”, “60sekonda”, “albinicilini” dhe “transparmentmedia1”. Tematikisht, këto lajme të rreme u fokusuan në dy drejtime kryesore: deklarata të fabrikuara që i atribuohen figurave të huaja politike lidhur me zhvillimet në Kosovë, si dhe sondazhe të rreme për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat nuk mbështeteshin në asnjë burim kredibil dhe synonin të ndikonin apo manipulonin opinionin publik përmes përmbajtjeve virale.
Përmbajtjet mashtruese u publikuan në Facebook, TikTok dhe Instagram nga faqe dhe llogari të ndryshme jozyrtare, si “Tana t’zezat”, “Skenderaj Press”, “UÇK – Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, “Rruga Kombetare”, “Luan Pavata”, “Ibrahim-Miran Kelmendi”, “reporterirks”, “al_press.online”, “Lajmi i Fundit” dhe “Lajme Nga Bota”. Tematikisht, këto raste kishin në fokus manipulimin vizual përmes imazheve të gjeneruara me inteligjencë artificiale, ku Albin Kurti paraqitej rrejshëm në shoqëri të politikanëve serbë ose në ambiente të NATO-s, me qëllim krijimin e perceptimeve të rreme dhe ndikimin në opinionin publik përmes përmbajtjeve vizuale mashtruese.
Përmbajtja e paverifikuar u publikua kryesisht nga media online dhe faqe në Facebook në Kosovë, përfshirë “klankosova.tv”, “ekonomiaonline.com”, “gazeta10.com”, “lajmi.net”, “paparaci.com”, “gazetametro.net”, “demokracia.com”, “orainfo.com”, “jepize.com”, “radiostargjilan.com”, si dhe faqet “Sinjali”, “Jepi zë”, “Bota Sot E Re” dhe “Fokus +”. Tematikisht, këto publikime trajtonin pretendimin për rënien e Kosovës në renditjen e lirisë së mediave, duke e paraqitur atë si zhvillim aktual, ndonëse renditja ishte publikuar më herët nga organizata “Reporterët Pakufij”, çka e bën përmbajtjen keqinterpretuese për shkak të mungesës së kontekstit kohor.
Dezinformata u publikua në Facebook nga faqja “Forcat e Kosovës”, përmes një video-materiali që shfaq pamje të një personi duke folur në gjuhën serbe dhe stërvitje të forcave të armatosura serbe. Tematikisht, përmbajtja synonte të krijonte alarm dhe frikë duke pretenduar rrejshëm se bëhej fjalë për një “komandant” të xhandarmërisë serbe që paralajmëronte pushtimin e Kosovës, ndonëse verifikimi tregoi se personi në video ishte gazetar i TV Pink dhe se deklarata e tij nuk kishte asnjë lidhje me Kosovën.
Mashtrim
Janë publikuar fotografi në të cilat Albin Kurti, kryeministri në detyrë i Kosovës, shfaqet në prani të politikanëve serbë. Në një imazh ai shfaqet përballë Vojsllav Koshtunicës, ish-kryeministrit të Serbisë. Në një tjetër ai shfaqet në prani të Aleksandar Vuçiqit, presidentit të Serbisë dhe politikanit serb, Vojsllav Sheshel. Ndërsa në fotografinë e fundit ai shfaqet pranë Milan Radojçiq, ish-nënkryetarit të Listës Serbe. Këto postime janë publikuar të shtunën (6 dhjetor) në Facebook nga faqet “Tana t’zezat” (këtu dhe këtu), “Skenderaj Press”, “UÇK – Ushtria Çlirimtare e Kosovës” dhe nga llogaritë me emrat “Rruga Kombetare”, “Luan Pavata” dhe “Ibrahim-Miran Kelmendi”. Gjithashtu fotografitë janë publikuar në TikTok nga llogaria me emrin “reporterirks” dhe në Instagram nga llogaria me emrin “al_press.online” (këtu dhe këtu). Fotografitë janë të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale (IA). (këtu)
Publikohet një imazh ku shihet Albin Kurti, kryeministri në detyrë në ambientet e selisë së NATO-s, bashkë me persona të veshur me uniforma ushtarake, të cilët duket se janë zyrtarë ushtarakë të NATO-s. Kjo përmbajtje është publikuar të hënën (8 dhjetor) në Facebook nga faqja me emrin “Lajmi i Fundit” dhe të martën (9 dhjetor) nga llogaria me emrin “Lajme Nga Bota”. Hibrid.info gjeti se këto imazhe janë gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA). (këtu)
Lajm i rremë
Të dielën (7 dhjetor) u publikua një përmbajtje në Facebook nga faqja “Mekuli Press” me pretendimin se Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka thënë se “Qeveria e Kosovës po përballet me kundërshtarët që paguhen nga Vuçiqi”. I njëjti pretendim më pas u publikua edhe nga faqja tjetër në Facebook “60sekonda”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se Millanoviq nuk ka dhënë një deklaratë të tillë. Po ashtu, ky pretendim qarkullon në Facebook që nga viti 2023. (këtu)
Llogaria me emrin “albinicilini” në TikTok ka publikuar tri përmbajtje që paraqiten si sondazhe zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Verifikimi i Hibrid.info ka treguar se këto sondazhe janë tërësisht të rreme: nuk gjenden në asnjë burim kredibil dhe mungojnë të gjitha të dhënat bazike të një sondazhi. Publikimet kanë marrë mijëra shikime e komente, duke nxitur debat të pabazuar. (këtu)
Llogaria “transparmentmedia1” në TikTok ka publikuar një imazh nëpërmjet të cilit ka pretenduar rrejshëm se bëhet fjalë për sondazh për zgjedhjet parlamentare, të realizuar nga “kompania prestigjioze amerikane UGBA”. Hibrid.info ka verifikuar se një akronim i tillë nuk ekziston për kompani që merren me matje të opinionit publik dhe se asnjë matje për zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk është publikuar në ndonjë burim kredibil të informacionit. Sondazhe të rreme po qarkullojnë shpesh para zgjedhjeve për të manipuluar opinionin publik. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Publikohet një artikull që pretendon se Kosova ka rënie sa i përket lirisë së mediave, duke u renditur e 99-ta. Kjo pozitë bën që Kosova të jetë më së keqi nga vendet e Ballkanit. Ky pretendim është publikuar të hënën (8 dhjetor) nga mediat si “klankosova.tv”, “ekonomiaonline.com”, “gazeta10.com”, “lajmi.net”, “paparaci.com”, “gazetametro.net”, “demokracia.com”, “orainfo.com”, “jepize.com”, “radiostargjilan.com” dhe në faqet në Facebook si “Sinjali”, “Jepi zë”, “Bota Sot E Re” dhe “Fokus +”. Hibrid.info ka gjetur se renditja e vendeve sa i përket lirisë së mediave ishte publikuar më herët (2 maj) nga organizata “Reporterët Pakufij”. Kjo rënditje është publikuar nga këto media dhe faqe të hënën (8 dhjetor) si aktuale. (këtu)
Dezinformatë
Një video-material është publikuar në Facebook nga faqja “Forcat e Kosovës”, në të cilin shfaqen pamje të një personi duke folur në gjuhën serbe, si dhe pjesëtarë të forcave të armatosura serbe duke kryer stërvitje. Përmes këtij video-materiali, faqja e lartcekur pretendon se personi që flet në video ka deklaruar se “ushtarët nuk janë duke ushtruar kot, por kan qëllim pushtimin e Kosovës”. Ndërsa protagonistit të kësaj videoje i referohet si “një ‘komandant’ i xhandarmërisë serbe”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se personi që flet në video është gazetar i kronikës së zezë në median në gjuhën serbe “TV Pink”, Mladen Mijatoviq. Hibrid.info ka përkthyer deklarimin e gazetarit Mijatoviq, e që u vërtetua se në asnjë rast ai nuk ka përmendur Kosovën, siç pretendohet rrejshëm nga faqja “Forcat e Kosovës”. (këtu)