Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një imazh në të cilin shihet opinionisti Halil Matoshi, me mbishkrimin që pretendon se ai ka deklaruar se “Takimi i Vjosa Osmanit me Trump nuk është asgjë veçse një takim i thjeshtë”.
Kjo përmbajtje është publikuar të enjten (22 janar) në Facebook, nga një faqe me emrin “Shqip-AI”.
E vërteta?
Hibrid.info gjeti se Matoshi nuk ka bërë deklaratë të tillë.

Mbishkrimi i postimit:
“LAJM | Matoshi: Takimi i Osmanit me Trump ishte i thjeshtë
Analisti politik Halil Matoshi ka komentuar takimin e presidentes Vjosa Osmani me presidentin amerikan Donald Trump, duke e cilësuar atë si një takim të zakonshëm, pa ndonjë peshë të veçantë politike.
“Takimi i Vjosa Osmanit me Trump nuk është asgjë përveçse një takim i thjeshtë”, ka deklaruar Matoshi, duke shtuar se takime të tilla nuk duhet të paraqiten si arritje madhore diplomatike.
Deklarata e tij ka nxitur reagime dhe diskutime në rrjete sociale, ku qytetarë dhe analistë kanë ndarë mendime të ndryshme për rëndësinë e këtij takimi dhe rolin e diplomacisë kosovare.”
Kjo përmbajtje ka marrë mbi 200 pëlqime dhe mbi 600 komente. Përmbajtja e shumë prej komenteve sugjeron se audienca ka mundësi që përmbajtjen ta perceptojë si të besueshme.
Faqja që ka publikuar postimin ka mbi 344 mijë ndjekës (shih këtu). Nga të dhënat që ka paraqitur vetë faqja, aty pretendohet se ajo funksionon si një portal (shih këtu).
Por, faqja në fjalë nuk posedon uebfaqe dhe se e njëjta nuk figuron si pjesë e Këshillit të Mediave të Shkruara (KMShK), aty ku anëtarësohen mediat e shkruara (shih këtu).
Hibrid.info ka kërkuar me anë të “Google”, me fjalët që paraqesin mbishkrimin në imazh. Rezultatet nga kërkimi nuk shfaqën burime të besueshme që do ta konfirmonin deklaratën e pretenduar (shih këtu).
Gjithashtu, pas kontrollimit në llogarinë në Facebook të Matoshit, nuk u gjet asnjë postim që do ta vërtetonte se ai e ka thënë atë që pretendohet (shih këtu).
Hibrid.info hulumtoi në kanalin në Youtube të televizionit “Kanal 10”, aty ku zakonisht Matoshi ftohet si panelist në emisionet e debateve politike. Ai ishte i pranishëm në emisionin “Adresa”, i cili u transmetua dhe u publikua të enjten (22 janar) në kanalin e këtij mediumi (shih këtu).
Pas kontrollit të videos, në emisionin ku ishte pranishëm Matoshi, Hibrid.info gjeti se ai e ka komentuar takimin e Osmanit me Trump. Sipas një videoje të shkëputur nga ky emision, vërtetohet se Matoshi e ka vlerësuar “si inkurajues” këtë takim (shih këtu).
Presidentja Vjosa Osmani përfaqësoi Kosovën në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes për Gazën, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Gjatë kësaj ceremonie të zhvilluar të enjten (22 janar), presidentja Osmani, nënshkroi Kartën e Bordit të Paqes si anëtare themeluese dhe pati rastin të takohet me Donald Trump, presidentin e ShBA-së (shih këtu).
Deklarata e Matoshit e transkriptuar:
“Unë e pash sonte takimin goxha inkurajues të presidentes me presidentin Trump, për arsye të thjeshtë se një vend i vogël megjithatë ma në fund po i njihet një kontribut me kriju paqe në botë, sepse na kemi kalu nëpër UNMIK-a nëpër KFOR-a.
Ti ma në fund je faktor i politikës ndërkombëtare, sipas meje, dhe kjo është inkurajuese, është potez i shkëlqyeshëm”
Analiza:
Pretendimi se opinionisti Halil Matoshi ka deklaruar se takimi i presidentes Vjosa Osmani me presidentin amerikan Donald Trump ishte “takim i thjeshtë” nuk është i saktë.
Verifikimi i kryer nga hibrid.info tregon se kjo deklaratë nuk është bërë nga Matoshi dhe se, në një paraqitje televizive, ai e ka vlerësuar takimin si “inkurajues”, çka bie ndesh me përmbajtjen e shpërndarë në Facebook.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.