Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë periudhës 2–7 shkurt, nga monitorimi i keqinformimit në media dhe media sociale rezulton se kanë dominuar dezinformatat dhe përmbajtjet e paverifikuara si kategoritë kryesore të përmbajtjeve keqinformuese.
Gjatë periudhës së monitorimit, disa dezinformata janë publikuar kryesisht në Facebook dhe në media online, duke trajtuar tema të ndryshme që lidhen me sigurinë, zhvillimet rajonale dhe politikën në Kosovë. Një nga pretendimet e rreme ishte se Irani kishte publikuar një hartë me bazat amerikane që do të goditeshin, përfshirë kampin Bondsteel në Ferizaj, ndërsa verifikimi tregoi se bëhej fjalë për një material analitik të vitit 2023 nga një platformë amerikane e inteligjencës gjeopolitike. Në një rast tjetër, përmes fotografive të shpërndara në Facebook u pretendua rrejshëm se në Maqedoninë e Veriut kishte kolona veturash dhe mungesë derivatesh, por imazhet rezultuan të vjetra dhe nga vende të tjera. Po ashtu, në media dhe në Facebook u keqinterpretua një deklaratë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke pretenduar se ai kishte thënë se do të fitonte 80 deputetë në zgjedhje të reja, ndërkohë që numri 80 ishte përmendur në kontekstin e kuorumit prej dy të tretave të deputetëve për zgjedhjen e presidentit.
Gjatë periudhës së monitorimit janë identifikuar edhe përmbajtje të paverifikuara, të publikuara kryesisht në media online dhe në Facebook, të cilat lidhen me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme. Në disa raste janë shpërndarë video të vjetra duke u paraqitur si pamje nga sulme të fundit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Një video e publikuar nga “TopChannel” pretendonte se tregonte një ndërtesë që digjet në Dubai pas një sulmi me dron iranian, por pamjet rezultuan të jenë nga viti 2015 në Sharjah. Një tjetër video e shpërndarë në Facebook me pretendimin se “Irani godet bazën ushtarake amerikane” rezultoi të jetë nga korriku 2024 dhe paraqet sulmet izraelite në portin Al Hudaydah në Jemen. Po ashtu, mediumi britanik “The Mirror” publikoi pretendimin se britanikët janë këshilluar të mos udhëtojnë në 76 vende, përfshirë Kosovën, për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme; megjithatë, paralajmërimi për Kosovën lidhet me situatën e sigurisë në komunat veriore dhe është përditësuar që në dhjetor 2025, pa lidhje me zhvillimet e fundit. Ky pretendim u transmetua më pas edhe nga disa media vendore dhe faqe në Facebook.
Në këtë periudhë janë identifikuar edhe raste të mashtrimit dhe përmbajtjeve të paverifikuara, të publikuara në media online dhe në rrjete sociale, kryesisht të lidhura me zhvillimet e konfliktit në Lindjen e Mesme. Në disa artikuj dhe postime në Facebook është shpërndarë një imazh që pretendohej se paraqiste trupin e liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, nën rrënoja pas sulmeve nga SHBA dhe Izraeli, por verifikimi tregoi se imazhi ishte i gjeneruar me inteligjencë artificiale. Po ashtu, në Facebook janë publikuar video që pretendonin se shfaqnin një sulm me raketa nga Irani në Tel Aviv, ndërsa analizat treguan se pamjet janë krijuar me inteligjencë artificiale. Një tjetër pretendim i rremë në rrjete sociale paraqiste imazhe të arrestimit të ushtarëve amerikanë nga forcat iraniane, të cilat gjithashtu rezultuan të jenë të gjeneruara me inteligjencë artificiale dhe nuk pasqyrojnë ndonjë ngjarje reale.
Po ashtu janë identifikuar edhe raste të lajmeve të rreme, të publikuara kryesisht në rrjete sociale si Facebook dhe Instagram. Një prej tyre ishte pretendimi se çmimi i naftës mund të rritet në më shumë se 4 euro për litër, i publikuar nga faqet “Kosova Report” dhe “Zëri i Izraelit në Kosovë”, por verifikimi tregoi se ky informacion nuk është raportuar nga asnjë media kredibile vendore apo ndërkombëtare. Po ashtu, në rrjete sociale qarkulloi një përmbajtje që pretendonte se ish-gjenerali amerikan Austin Miller kishte bërë një deklaratë për ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Pas verifikimit të fakteve rezultoi se deklarata është e rreme, pasi nuk ekziston asnjë dëshmi që ajo është bërë apo publikuar nga Miller dhe nuk është raportuar nga asnjë burim i besueshëm mediatik.
Mashtrim/Përmbajtje e paverifikuar
Nëpërmjet artikujve është pretenduar për një imazh që shfaq trupin e liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, nën rrënoja pas sulmeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Izraeli. Publikimi u bë në disa media në gjuhën shqipe më 1 mars, në faqet e tyre në Facebook, por edhe nga faqe të tjera në median sociale. Imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale, që konfirmohet nga mjetet e detektimit si “Hivemoderation” dhe nga vula “SynthID” e “Google”. (këtu)
Mashtrim
Është publikuar një video ku shihet një zonë urbane me ndërtesa, ndërsa në qiell duken gjurmë projektilesh dhe tym nga një shpërthim në qytet. Përmbajtja është gjetur e publikuar në Facebook të martën (3 mars) në faqet me emrat “InfoShqip.com” dhe “in7.tv”, me mbishkrimin që pretendon se bëhet fjalë për moment një sulmi me raketa nga Irani në Tel Aviv, qytetin izraelit. Hibrid.info gjeti se këto përmbajtje janë të gjeneruara me inteligjencë artificiale (IA). (këtu)
Në rrjete sociale janë publikuar imazhe me pretendimin se paraqesin arrestimin e ushtarëve amerikanë nga forcat iraniane. Megjithatë, verifikimi i tyre përmes mjeteve të specializuara për identifikimin e përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale tregon se ato janë krijuar me inteligjencë artificiale dhe nuk përfaqësojnë një ngjarje reale. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Një video e publikuar nga “TopChannel” më 1 mars pretendon për një ndërtesë në Dubai që digjet pas sulmit nga një dron iranian si hakmarrje për sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit. Megjithatë, videoja daton nga 1 tetori 2015 në një rezidencë në Rrugën King Faisal, Sharjah, Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe nuk lidhet me sulmet e fundit SHBA-Izrael ndaj Iranit. (këtu)
Në Facebook është publikuar një video me titullin “Irani godet bazën ushtarake amerikane!”. Videoja e publikuar nga faqja “Lajm.mk” më 1 mars shfaq momente nga një zjarr afër disa objekteve. Pamjet me këtë pretendim nuk lidhen me zhvillimet e fundit mes SHBA-së dhe Iranit, por janë nga korriku 2024 dhe tregojnë sulmet e Izraelit në portin Al Hudaydah në Jemen. Ajo verifikohet përmes kërkimit me imazhe. (këtu)
Mediumi britanik “The Mirror” ka pretenduar se Zyra e Jashtme, e Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCDO) ka këshilluar britanikët të mos udhëtojnë në 76 vende si pasojë e konfliktit të nisur më 28 shkurt në Lindjen e Mesme. Në mesin e këtyre vendeve përmendet edhe Kosova. Megjithatë, sipas hulumtimit të hibrid.info, paralajmërimi për Kosovën nuk lidhet me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme. Udhëzimi i FCDO-së për Kosovën është përditësuar më 19 dhjetor 2025 dhe ka të bëjë vetëm me komunat në veri të vendit. Ky paralajmërim nuk është ndryshuar pas nisjes së konfliktit. Pavarësisht kësaj, pretendimi i “The Mirror” është transmetuar nga mediat vendore si “Indeksonline.net”, “Botasot” dhe faqja e “TV Arbëria” në Facebook, duke e paraqitur Kosovën si pjesë të vendeve të prekura nga konflikti në Lindjen e Mesme. (këtu)
Dezinformatë/Clickbait
Imazhi i publikuar ku shihet kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, me një mbishkrim që pretendon se ka deklaruar: “Pas Iranit radhën e ka Turqia për kohë të shkurtër”, nuk është i vërtetë. Artikulli i bashkangjitur postimit nuk përmban citim të drejtpërdrejtë dhe as video që do të përputhej me pretendimin e imazhit. Teksti flet vetëm për analiza të mediave dhe disa zyrtarëve izraelitë. Gjithashtu, burimet kredibile nuk konfirmojnë se Netanyahu ka bërë ndonjë deklaratë të tillë. (këtu)
Dezinformatë
Në disa postime në Facebook u pretendua se Iran ka publikuar një hartë me bazat amerikane që do të goditen, përfshirë edhe kampin Bondsteel në Ferizaj. Verifikimi i fakteve tregoi se materiali është i vitit 2023 dhe buron nga një platformë amerikane e inteligjencës gjeopolitike, jo nga Irani. Harta ishte pjesë e një analize mbi raketën iraniane Khorramshahr dhe nuk përbën njoftim zyrtar për sulme. (këtu)
Përmes dy fotografi të publikuara në Facebook është pretenduar rrejshëm se paraqesin dëshmi të kolonave të veturave dhe mungesës së derivateve në Maqedoni të Veriut. Verifikimi tregon se ato janë imazhe të vjetra: njëra nga viti 2022 në Maqedoni të Veriut, ndërsa tjetra nga Rumania. Nuk ka raportime që pompat në Shkup kanë mbetur pa derivate apo për panik të tillë. (këtu)
Nëpërmjet publikimeve në media dhe në Facebook është pretenduar se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nëse ka zgjedhje të reja parlamentare, ai do t’i marrë 80 deputetë. Pretendimi se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nëse ka zgjedhje të reja parlamentare do t’i marrë 80 deputetë, është i pasaktë. Në konferencën për shtyp ai përmendi numrin 80 duke iu referuar kuorumit prej dy të tretave të deputetëve që nevojitet për zgjedhjen e presidentit, jo si parashikim për rezultat zgjedhor. Disa media e interpretuan pasaktë këtë deklaratë. (këtu)
Lajm i rremë
Pretendimi se çmimi për një litër naftë mund të rritet në më shumë se 4 euro, u publikua të hënën (2 mars) nga faqet “Kosova Report” dhe “Zëri i Izraelit në Kosovë” në Facebook. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim nuk qëndron. I njëjti nuk është gjetur i publikuar në asnjë media kredibile vendore apo ndërkombëtare. (këtu)
Në mediat sociale Facebook e Instagram po qarkullon një përmbajtje që pretendon se ish-gjenerali amerikan Austin Miller ka bërë një deklaratë për ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Pas verifikimit të fakteve, rezultoi se kjo deklaratë është e rreme. Nuk ekziston asnjë dëshmi që ajo të jetë bërë apo publikuar nga Miller, pasi nuk gjendet në asnjë media kredibile vendore apo ndërkombëtare. Kërkimet në internet (Google), si në shqip ashtu edhe në anglisht, nuk shfaqin asnjë raportim të besueshëm për një deklaratë të tillë. (këtu)