Publikohet një imazh që ka mbishkrimin “Rritën pagat, përfitojnë këta qytetarë nga Kosova”.
Kjo përmbajtje është publikuar të martën (21 prill) në Facebook në faqen e mediumit “Kosovapost.net” dhe në faqen me emrin “Post Lajmee”.
Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Në këtë përmbajtje nuk sqarohet se ata që do të përfitojnë nga kjo rritje e pagës, janë qytetarët nga Kosova, të cilët jetojnë në Zvicër.


Pra, siç vërehet nga përmbajtjet e publikuara, në imazhin e postuar nga “Kosovapost.net” paraqitet Hotel Grand në Prishtinë, ndërsa imazhi i “Post Lajmee” shfaq një kartëmonedhë të valutës Euro, e cila është valutë zyrtare edhe në Kosovë.
Postimeve u janë bashkangjitur vegëza, të cilat pas klikimit shfaqin artikujt me titull identik “Rritën pagat, përfitojnë këta qytetarë nga Kosova” (shih këtu dhe këtu).
Përveç titullit, edhe përmbajtja e artikujve është e njëjtë. Teksti fillon me fjalinë: “Pagat në Zvicër kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025, duke bërë që një pjesë më e madhe e të ardhurave të mbetet në dispozicion të qytetarëve.”
Në vijim thuhet: “Sipas të dhënave të Federal Statistical Office (FSO), pagat nominale janë rritur mesatarisht me 1.8%, ndërsa pagat reale me 1.6%, nga kjo përfitojnë edhe qytetarët nga Kosova që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, përcjell albinfo.ch.”
Këtu sqarohet se përfitues janë edhe emigrantët kosovarë në Zvicër, ndërsa burimi i informacionit është raportimi i mediumit albinfo.ch, që vepron në diasporë.
Pra, nga kjo kuptohet se vendndodhja dhe konteksti i ngjarjes nuk bëhen të qarta në titull, imazh apo mbishkrim. Ato sqarohen vetëm pas hapjes së vegëzës dhe leximit të artikullit të plotë.
Publikimi i kësaj përmbajtjeje në këtë formë mund të sjellë keqinterpretim, pasi përmes titullit dhe imazheve krijohet përshtypja se rritja e pagave lidhet me qytetarët në Kosovë, ndërkohë që në realitet bëhet fjalë për zhvillime në Zvicër që prekin vetëm një pjesë të qytetarëve nga Kosova që jetojnë atje.
Imazhi i përmbajtjes së artikullit:

Hibrid.info gjeti artikullin origjinal të publikuar të martën (21 prill) në uebfaqen e “albinfo.ch”, me titullin “Zvicër: Rriten pagat dhe fuqia blerëse për të dytin vit radhazi” (shih këtu).
Raportimi i “albinfo.ch” është bazuar në të dhënat e publikuara nga Zyra Federale e Statistikave apo në anglisht Federal Statistical Office (FSO), institucion që publikon statistika në Zvicër (shih këtu).
Analiza:
Është publikuar një përmbajtje në rrjetet sociale me mbishkrimin “Rritën pagat, përfitojnë këta qytetarë nga Kosova”, e shoqëruar me imazhe dhe vegëza që çojnë në artikuj me të njëjtin titull.
Megjithatë, nga verifikimi rezulton se përmbajtja është e paqartë dhe çorientuese. Titulli, mbishkrimi dhe imazhet nuk e sqarojnë se rritja e pagave i referohet Zvicrës dhe emigrantëve kosovarë atje. Ky kontekst bëhet i qartë vetëm pas klikimit të vegëzës dhe leximit të artikullit.
Po ashtu, artikulli burimor nga albinfo.ch konfirmon se të dhënat vijnë nga Federal Statistical Office dhe lidhen me rritjen e pagave në Zvicër, jo me Kosovën.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.