Publikohet një imazh që ka mbishkrimin “Zbulohet deputeti që ia shkroi fjalimin Fatos Gecit, ai është Ilir Kërçeli”.
Ky imazh është publikuar të enjten (23 prill) në Facebook nga faqja me emrin “Gazeta Kosova+”, ndërsa ky mbishkrimi është publikuar si artikull në faqen “Rajoni02”.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Ajo e paraqet si fakt të konfirmuar një pretendim që vjen nga një deklaratë personale e Nehat Geci.

Faqja “Gazeta Kosova+” ka mbi 12 mijë ndjekës, ndërsa “Rajoni02” ka mbi 34 mijë ndjekës.
Hibrid.info kontrolloi artikullin e “Rajoni02”. Nga përmbajtja kuptohet se kemi të bëjmë me një pretendim, që bazohet nga një postim i publikuar në Facebook nga një llogari që ka emrin “Nehat Geci”.
Në postim shkruan se një fjalim i mbajtur nga deputeti “Fatos Geci”, është shkruar nga Ilir Kërçeli, deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Postimi përmban edhe imazhin e deputetit Kërçeli.

Artikulli në tërësi:
“Nehat Geci ka bërë një deklaratë publike përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka ngritur pretendime lidhur me një fjalim të mbajtur në Kuvend.
Sipas tij, gjatë një bisede telefonike me Fatos Geci, ky i fundit i ka thënë se fjalimi që ka mbajtur në Kuvend nuk është hartuar prej tij.
“Gjatë një bisede telefonike me Fatosin, ai më tregoi personalisht se fjalimin që ka mbajtur në Kuvend ia ka shkruar deputeti i VV-së, Ilir Kërçeli, të cilin unë në fakt nuk e njoh fare”, ka shkruar Geci.
Ai ka shtuar se në momentin e kësaj bisede ndodhej në një kafiteri në Skenderaj, së bashku me dy nipërit e tij, Artonin dhe Festimin, të cilët sipas tij janë dëshmitarë të kësaj bisede.
“Kjo është e vërteta e kësaj historie. Këtë bisedë e kanë kuptuar edhe Artoni dhe Festimi”, thuhet më tej në postimin e tij.
Pas kësaj, Geci thekson se ka bërë një hulumtim të shkurtër për të mësuar më shumë rreth deputetit në fjalë dhe se ka gjetur edhe një fotografi të tij.”
Hibrid.info ka hulumtuar me anë të “Google”, më shumë për këtë çështje, duke kërkuar me fjalët “nehat geci” (shih këtu). Rezultatet kanë shfaqur artikuj të mediave kredibile, ku sqarohet se Nehat Geci, që është xhaxhai i deputetit Fatos Geci, në publikimin e tij, u është referuar një fjalimi të deputetit Geci në Kuvend, ku ai në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit më 21.04.2026, pasi përshëndeti dënimin ndaj Naim Murselit me burgim të përjetshëm, tha se i uron të njëjtin fat edhe ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Gjykatën Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit (shih këtu, këtu dhe këtu).
Megjithatë rezultatet e këtij kërkimi kanë shfaqur edhe artikuj tjerë të mediave, ku janë raportuar deklaratat e deputetëve Fatos Geci dhe Ilir Kërçeli, të cilët kanë mohuar këtë pretendim (shih këtu dhe këtu).
Hibrid.info ka kontrolluar në llogaritë e të dy deputetëve në Facebook. Në llogarinë e Gecit u gjet një status ku ai merrte përgjegjësinë për shkrimin e fjalimit të tij në kuvend, ndërsa deputeti Kërçeli me anë të një video-materiali ka mohuar pretendimin, duke deklaruar se uron lirimin e krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), të cilët po gjykohen në Hagë.
Kjo do të thotë se përmbajtja e trajtuar është bazuar vetëm në deklaratën personale të Nehat Geci në Facebook, pa konfirmim nga palët e përmendura (Fatos Geci dhe Ilir Kërçeli).
Analiza:
Pretendimi në titullin “Zbulohet deputeti që ia shkroi fjalimin Fatos Gecit, ai është Ilir Kërçeli”, nuk mund të merret si fakt i konfirmuar.
Në deklaratat publike deputetët Fatos Geci dhe Ilir Kërçeli e kanë mohuar këtë pretendim.
Ndërsa, titulli e paraqet këtë si një fakt të kryer, edhe pse në përmbajtje bëhet e qartë se kemi të bëjmë vetëm me një pretendim të bërë nga Nehat Geci përmes një postimi në Facebook, i cili i referohet një bisede private me Fatos Gecin.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Raportim i njëanshëm”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Raportim i njëanshëm” merr ai përmbajtjet informative cili vërehet qartë se bënë favorizim të fakteve, qëndrime dhe përfundime që përputhen me një narrativë të veçantë, shpesh duke mos respektuar rregullin e kontaktit me palën tjetër kur bëhet fjalë për pretendime që janë të dëmshme për reputacionin e dikujt ose të portretizuar nga akterë të caktuar me një qasje negative. Një nga format e raportimit të njëanshëm është paraqitja selektive e fakteve, ku theksohen fakte që mbështesin një tezë të caktuar, ndërsa faktet që nuk e konfirmojnë atë janë lënë pas dore.