Të fundit | Televizioni slloven nuk raportoi se Martin Berishaj është shtetas i Serbisë Të fundit | PDK s’ka paraqitur ndonjë qëndrim të ri për koalicion me LVV-në Të fundit | Manipulimet e bazuara në të vërteta Të fundit | Arrestimet për dyshime për krime lufte paraqiten pa prova si ndëshkim ndaj… Të fundit | Rishikimi i javës: Teori konspirative nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Se… Të fundit | Keqinformatat për protestat në Shqipëri, të ndërlidhura dhe të shpërndara n… Të fundit | Pretendim i rremë se Mihali ka paralajmëruar protesta ndaj SHBA-së nëse ins… Të fundit | Narrativat paszgjedhore serbe mbi zgjedhjet e qershorit: Fitorja e Listës S… Të fundit | Narrativat serbe në përvjetorin e Rezolutës 1244 Të fundit | Pretendim i pabazë se arrestimi i drejtorëve të shkollave serbe në Kamenicë…
[ ARTIKULLI ]

Publikohet artikull i njëanshëm, rikthehet një rast i vjetër në kontekst zgjedhor

HIBRID

Shkroi: Etrit Rexhepi

Nëpërmjet një artikulli është rikthyer një çështje e një viti më herët, në lidhje me punësimin e djalit të policit të vrarë në Banjskë, Afrim Bunjaku, në një ndërmarrje lokale në Vushtrri. Ngjarja është rikthyer në një kontekst të ri, që ndërlidh rastin me zgjedhjet lokale në Komunën e Vushtrrisë.

“Ish-ushtari i UÇK-së, Ferit Idrizi, punësoi djalin e heroit Afrim Bunjaku – Kurti e Meholli e ‘harruan’ gjakun e lirisë!” mban titullin artikulli i publikuar të mërkurën (22 tetor) nga portali “gazetakosova.net”.


Përse trajtohet ky artikull?

Teksti qartazi favorizon në përmbajtje dhe në titull kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizin, dhe diskrediton kundërkandidatin e tij në balotazh për kryetar të kësaj komune, Sylejman Mehollin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), dhe kreun e kësaj partie, Albin Kurti, njëherësh tash kryeministër në detyrë.

Teksti përdor gjuhë emocionale dhe lavdëruese për Idrizin, si:

“… dëshmon respekt të vërtetë për sakrificën kombëtare”

“…edhe një herë ka dëshmuar se veprat flasin më shumë se fjalët”

“Viti i kaluar shënoi një akt të ndjeshëm njerëzor dhe institucional, Idrizi punësoi djalin e heroit Afrim Bunjaku”

Artikulli përdor gjuhë negative dhe diskredituese për Mehollin dhe Kurtin, si:

“Qeveria Kurti dhe kandidati Meholli bien në fjalë boshe e akuza politike”

“Ndërkohë, asnjë familjar i Bunjakut nuk është punësuar nga institucionet qendrore të udhëhequra nga Qeveria e Albin Kurtit. Kjo mospërfillje ndaj familjeve të heronjve është bërë tashmë një model i heshtur qeverisës, ku fjalët patriotike zëvendësojnë mungesën e veprave”

“Në vend që të flasë për ide, zhvillim dhe programe për qytetarët, kandidati i Vetëvendosjes ka zgjedhur rrugën e manipulimeve politike, për ta baltosur një njeri që ka dëshmuar me vepra se është në shërbim të të gjithëve, pa dallim etnie apo bindjeje”


Dezinformimi:

Artikulli në përmbajtje pretendon se familjet e ish-policëve Afrim Bunjaku dhe Enver Zymeri nuk kanë marrë asnjë mbështetje konkrete nga Qeveria.

Në fakt, jo vetëm familja e Afrim Bunjakut, por as ajo e Enver Zymberit apo të tjera familje kombëtare të Kosovës nuk kanë marrë asnjë mbështetje konkrete nga ekzekutivi qendror. Ky fakt është tregues i qartë i hendekut të madh mes retorikës nacionaliste të pushtetit aktual dhe veprimeve reale në terren.

Faktet:

Më 27 korrik 2011, Qeveria e asaj kohe, e udhëhequr nga Hashim Thaçi, pati ndarë 25 mijë euro për familjen e policit të rënë në detyrë, Enver Zymeri. (shih këtu)

Më 27 shtator 2023, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, i apostrofuar në artikull, pati ndarë 50 mijë euro për mbështetje financiare për familjen e rreshterit Afrim Bunjaku. (shih këtu)

Më 10 tetor 2025, Qeveria në detyrë miratoi ndarjen e 50 mijë eurove për familjen e Bunjakut për ndërtimin e një hapësire pritjeje e cila do të shërbejë për të gjithë qytetarët, në shenjë respekti dhe nderimi për jetën dhe veprën e tij. (shih këtu)


Po ashtu në artikull përmendet se Meholli ka gabuar emrin dhe mbiemrin e heronjve. “Në anën tjetër, gjatë fushatës zgjedhore, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Vushtrrisë, Sylejman Meholli, tregoi mungesë serioziteti dhe respekti ndaj figurave më të larta të sakrificës kombëtare, duke ia gabuar publikisht emrin dhe mbiemrin heronjve Afrim Bunjaku dhe Enver Zymberi. Një veprim i tillë nuk është thjesht lapsus — është shenjë e papërgatitjes, mungesës së ndjeshmërisë dhe njohjes minimale të historisë së re të vendit që ai synon ta udhëheqë.

Hibrid.info ka verifikuar dhe ka gjetur se Meholli në një intervistë në KTV, të transmetuar më 21 tetor, ka gabuar duke thënë Zymberi. Ndërkaq në shkrimin në Facebook, duke ndarë një pjesë të deklaratës, Meholli ka shkruar në mënyrë korrekte mbiemrin e policit të vrarë.

Çështja e mbiemrit të policit të vrarë më 2011 ishte e diskutuar dhe kishte nxitur raportime të kohëpaskohshme në të kaluarën. Hibrid.info pati trajtuar raportimet më 2023 për këtë çështje. Nga faktet e kontrolluara dhe të verifikuara, pati rezultuar se mbiemri i policit ishte Zymeri, ashtu siç e konfirmojnë edhe familjarët e të ndjerit dhe jo Zymberi siç pretendohej në raste të ndryshme.


Tutje në artikull, akuzat e Mehollit se Idrizi “bashkëpunon me Listën Serbe” cilësohen si absurde, manipulime politike e përpjekje për ta baltosur Idrizin.

Por së fundmi, Meholli ka kaluar në akuza absurde, duke sulmuar kryetarin Idrizi për “bashkëpunim me Listën Serbe”. “Qyteti i Hasan Prishtinës, Afrim Bunjakut dhe Enver Zymerit, dy heronjve të sovranitetit, nuk meriton kryetar që bashkëpunon me Listën Serbe që është shkaktare e vrasjeve të këtyre dy policëve”, ka thënë Meholli.


Rikthimi i lajmit të vjetër

Lajmi për punësimin e djalit të Afrim Bunjakut në ndërmarrjen lokale “Përparimi” në Vushtrri ishte publikuar më 23 maj 2024 nga agjenci e media të ndryshme. (Shih këtu)

Rikthimi i raportimit për punësimin e djalit të Afrim Bunjakut, ndërlidhur me periudhën e zgjedhjeve, është publikuar edhe në media të tjera. (shih këtu dhe këtu)

Në disa raste është përdorur titulli “Djali i heroit Afrim Bunjaku ishte punësuar nga Ferit Idrizi, ndonëse asnjë nga familjarët e tij nuk janë punësuar nga Qeveria Kurti”, duke lënë të nënkuptohet se punësimi ka ndodhur së fundmi. (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu)

Në një rast është përdorur edhe titulli “Ferit Idrizi punëson djalin e heroit Afrim Bunjaku”.


Si duhet të bëhet balancimi i burimeve në artikuj, kur apostrofohen emra?

Bazat e komunikimit masiv” nga Lindita Aliu Tahiri:

A është e mundshme paanësia dhe a pasqyrohet realiteti?

Paanësia si parim i gazetarisë profesionale është vështirë për t’u vlerësuar, sepse thjesht vështirë që mund të thuhet diçka pa pasur asnjë qëndrim. Përgjithësisht, me paanësi nënkuptohet drejtpeshim i burimeve dhe i zgjedhjeve, reflektim i vështrimeve të ndryshme, dhe prezantim i të paktën dy palëve me gjykime të ndryshme. Shmangia e vlerësimeve gjykuese, e gjuhës emocionale, e opinioneve personale po kështu mundëson neutralitet, dhe prandaj gazetarët duhet të arrijnë një pozicion të vetë-reflektimit dhe vetëdijesimit duke u distancuar nga prodhimi i vet mediatik.

Artikulli nuk ka përmendur se ka kërkuar koment nga Meholli, Kurti apo përfaqësues të Qeverisë për pretendimet në artikull.


Rreth rezultatit të zgjedhjeve në Vushtrri:

Më 12 tetor, Ferit Idrizi i PDK-së, që po synon mandatin e dytë në krye të Vushtrrisë, sipas rezultateve të deritashme në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka marrë 45.24 për qind të votave në garën për kryetar. Sylejman Meholli i VV-së doli i dyti me 30.81 për qind. Të dy pritet të përballen në raundin e dytë, më 9 nëntor. (shih këtu)


Analiza

Artikulli i publikuar nga “gazetakosova.net” me titull: “Ish-ushtari i UÇK-së, Ferit Idrizi, punësoi djalin e heroit Afrim Bunjaku – Kurti e Meholli e ‘harruan’ gjakun e lirisë!” është i njëanshëm dhe favorizon kandidatin e PDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi, përballë kundërkandidatet të tij Sylejman Meholli të VV-së.

Në përmbajtje artikulli i referohet Idrizit me gjuhë emocionale dhe lavdëruese, ndërsa Mehollit dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me gjuhë diskredituese.

Po ashtu përmban dezinformim, pasi Qeveria e Kosovës ka mbështetur financiarisht familjen e policit Afrim Bunjaku, dhe jo siç pretendohet në artikull se nuk ka pasur “mbështetje konkrete nga ekzekutivi qendror”.

Për më shumë, informata për punësimin e djalit të Afrim Bunjakut është e një viti më herët dhe është rikthyer në kohën e zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Në artikull ka mungesë balance të burimeve. Aty nuk thuhet se është kërkuar ndonjë koment nga palët e apostrofuara.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë publikim si “raportim të njëanshëm”.

Arsyetimi

Vlerësim si “Raportim i njëanshëm” merr ajo përmbajtje informative e cila vërehet qartë se bën favorizim të fakteve, qëndrime dhe përfundime që përputhen me një narrativë të veçantë, shpesh duke mos respektuar rregullin e kontaktit me palën tjetër kur bëhet fjalë për pretendime që janë të dëmshme për reputacionin e dikujt ose të portretizuar nga akterë të caktuar me një qasje negative. Një nga format e raportimit të njëanshëm është paraqitja selektive e fakteve, ku theksohen fakte që mbështesin një tezë të caktuar, ndërsa faktet që nuk e konfirmojnë atë janë lënë pas dore.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere