Më 25 prill, gazeta Demos publikoi një artikull me titull: “Ekskluzive: PAMJE | Glauk Konjufca takohet me Hoxhajn e PDK-së në një kafe në Prishtinë, pak orë pasi Kurti bëri ofertë për President”.

Në foton ilustruese të artikullit paraqitet një imazh ku shihen kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe ish-ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj duke pirë kafe.
Çka u vërejt në artikull
Në ballinën e artikullit, fotografia e përdorur është e krijuar me inteligjencë artificiale (IA). Megjithatë, në postimin në facebook ajo prezantohet në mënyrë që krijon përshtypjen e një pamjeje reale të një takimi të ndodhur.
Brenda artikullit, pas klikimit, paraqitet një fotografi tjetër nga takimi i pretenduar, ndërsa imazhi i ballinës mbetet ai i gjeneruar me IA dhe është shënuar vetëm si “fotografi ilustruese”.
Ndërsa, disa media të tjera, përfshirë DTV, e kanë ripublikuar vetëm imazhin e gjeneruar me inteligjencë artificiale, pa sqaruar qartë se bëhet fjalë për fotografi ilustruese dhe pa e shoqëruar me fotografi reale nga takimi.

Po ashtu, mjetet për verifikimin e përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale si “Hivemoderation”, sugjerojnë se fotografia e përdorur në ballinë është krijuar 100% me IA. Elementet vizuale të saj përputhen me karakteristikat tipike të imazheve të sintetizuara, përfshirë detaje jo natyrale dhe strukturë të përgjithshme të gjeneruar.

Analiza:
Pretendimi se fotografia në ballinë përfaqëson një pamje reale të takimit Konjufca -Hoxhaj është i pasaktë.
Imazhi është i gjeneruar me inteligjencë artificiale dhe është përdorur në mënyrë ilustruese, por pa theksim të mjaftueshëm të këtij fakti në disa publikime dhe ripublikime mediatike.
Mungesa e qartësimit të origjinës së imazhit mund të kontribuojë në dezinformim vizual, veçanërisht kur përmbajtjet e tilla lidhen me zhvillime politike të ndjeshme.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.