[email protected]
Titull i pasaktë, shuma e mbitërheqjeve i përfshin edhe bizneset
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Nëpërmjet një titulli është pretenduar se mbi gjysmë miliard euro ka mbërritur shuma e mbitërheqjeve bankare në bankat e Kosovës në vitin 2024.

Rekord borxhi në banka, mbi gjysmë miliardi euro mbitërheqje nga qytetarët”, mban titullin artikulli i publikuar të shtunën (18 janar) nga agjencia “kosovapress.com”.

Cila është e vërteta?

Pas kontrollimit të vetë artikullit, del se shifra vlen për mbitërheqjet që përfshijnë edhe shumën e mbitërhequr nga bizneset dhe jo vetëm nga qytetarët.

Në hyrje të artikullit sqarohet se mbitërheqjet bankare (overdraft) në vlerë prej mbi 527 milionë eurosh janë të qytetarëve dhe bizneseve gjatë vitit 2024. Artikulli ka marrë për bazë një përgjigje të cituar të Bankës Qendrore të Kosovës.

Pjesë nga artikulli:

Banka Qendrore e Kosovës bënë të ditur për KosovaPress se nga janari deri në muajin tetor të vitit 2024, vlera e overdrafteve në Kosovë arrin shumën mbi 527 milionë euro. Derisa në periudhën e njëjtë të vitit 2023 ishte afro 460 milionë euro.

“Overdraftet janë të prezantuara si gjendje në fund të periudhës (outstanding) vlera e të cilave deri në tetor 2024 ka arritur në 527.3 milionë euro, ndërsa deri në tetor 2023 kjo vlerë ishte 459.7 milionë euro. Norma e interesit është në nivele të ngjashme, rreth 6.7% mesatare”, thuhet në një përgjigje me shkrim të BQK-së.

Hibrid.info ka verifikuar të dhënat dhe ka gjetur përmes dokumenteve të publikuara në ueb-faqen e BQK-së se vlera e përgjithshme e mbitërheqjeve në periudhën janar-tetor 2024 ka qenë 527.3 milionë euro (480.3 milionë euro nga korporatat jofinanciare dhe 47.1 milionë euro nga ekonomitë familjare). Shih dokumentin – tabelat 14.2 deri 14.2.2)

Hibrid.info ka kontrolluar edhe “Buletinin Mujor Statistikor” të fundit, të publikuar në uebfaqen e Bankës Qendrore të Kosovës. Aty të dhënat e fundit janë të muajit nëntor 2024 (shih dokumentin). Sipas tabelës 14.2. “Kreditë e reja të KTD-ve (Korporata Tjera Depozituese) – kreditë, mbitërheqjet dhe linjat kreditore” – në sektorin e mbitërheqjeve, në fund të nëntorit ka qenë shuma 529.8 milionë euro si vlerë e përgjithshme, ndërsa në dy tabelat pasuese shifrat ndahen sipas mbitërheqjeve për korporatat jofinanciare (482.1 milionë euro) dhe ekonomitë familjare (47.6 milionë euro).

Tabela me vlera të përgjithshme:

Tabela që paraqet mbitërheqjet për ekonomitë familjare:

Sipas dokumentit “Metodika e Statistikave Monetare dhe Financiare” të BQK-së, korporatat jofinanciare përfshijnë njësitë institucionale – personat juridikë me aktivitet parësor të prodhimit të mallrave dhe/ose ofrimin e shërbimeve jofinanciare të destinuara për treg. Ato ndahen në nënsektorët publikë dhe jopublikë.

Ekonomia familjare në kuadër të regjistrimit të popullsisë nënkupton individin, bashkësinë familjare ose një bashkësi tjetër personash (individësh), të cilët jetojnë së bashku dhe janë të vendosur plotësisht ose pjesërisht në një njësi banesore, si dhe furnizohen me gjëra ushqimore dhe gjëra të tjera esenciale për jetesë. Anëtarët e këtij grupi mund të bashkojnë të ardhurat e tyre në një masë më të madhe ose më të vogël.

Pra, mbitërheqjet në vlerë prej mbi gjysmë miliardi euro përfshijnë korporatat jofinanciare dhe ekonomitë familjare dhe jo vetëm ekonomitë familjare (qytetarët).


Analiza:

Titulli “Rekord borxhi në banka, mbi gjysmë miliardi euro mbitërheqje nga qytetarët”, i publikuar më 18 janar nga “kosovapress.com” nuk është i saktë.

Pas verifikimit të fakteve, del se shifrat e cekura në tekst janë të sakta, por se ato përfshijnë edhe bizneset dhe jo vetëm qytetarët, qysh pretendohet në titull.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »