Gjatë periudhës 25–30 maj, monitorimi i mediave dhe platformave sociale ka evidentuar dominim të lajmeve të rreme, të shpërndara kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe faqeve të dyshimta në internet.
Gjatë periudhës së monitoruar, janë identifikuar disa lajme të rreme të publikuara kryesisht në Facebook, si dhe në platforma të tjera sociale si TikTok dhe grupe të ndryshme online. Një pjesë e dezinformatave ka ardhur nga faqja “PEJA News”, e cila ka pretenduar në mënyrë të pasaktë se pagesa për lehona në Finlandë është 560 euro në muaj, duke e krahasuar me 500 euro në Kosovë. Verifikimet bazuar në të dhënat zyrtare të institucioneve finlandeze kanë treguar se kjo pagesë nuk është fikse, por llogaritet sipas të ardhurave dhe sistemeve tatimore, duke e bërë pretendimin të pavërtetë. Po ashtu, janë identifikuar disa publikime me sondazhe të rreme politike. Në një rast, është pretenduar ekzistenca e një instituti francez “CMC” që ka publikuar matje të opinionit për zgjedhjet parlamentare, megjithëse nuk ekziston një institucion i tillë kredibil. Në raste të tjera, janë shpërndarë grafikë dhe imazhe të sondazheve të dyshuara, ku janë paraqitur rezultate të manipuluara për partitë kryesore politike në Kosovë, shpesh pa burime të verifikueshme dhe me elemente që sugjerojnë përdorimin e inteligjencës artificiale. Gjithashtu, janë evidentuar edhe publikime në grupe të mbyllura dhe faqe anonime që paraqesin “matje” të opinionit publik me rezultate të ndryshme dhe të pasakta, shpesh në kundërshtim me të dhënat reale zgjedhore dhe pa metodologji të qartë. Këto përmbajtje kanë ndjekur qëllime të dukshme për të ndikuar perceptimin politik të publikut dhe për të krijuar narrativë të rreme mbi mbështetjen e partive politike.
Për manipulimin e fakteve, përmbajtjet janë publikuar kryesisht në Facebook dhe kanë trajtuar tema politike dhe figura publike. Rastet e identifikuara kanë përfshirë përdorimin e videove dhe fotografive reale të nxjerra jashtë kontekstit, të shoqëruara me pretendime të pasakta ose mbishkrime manipuluese. Një nga temat ka qenë paraqitja e rreme e kryeministrit Albin Kurti gjatë një ceremonie zyrtare në Shkup, ku është pretenduar gabimisht se po nderonte himnin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa në fakt bëhej fjalë për himnin e Bashkimit Evropian. Një tjetër rast ka përfshirë pretendimin se Bekim Jashari do ta mbështeste Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit, duke përdorur një fotografi nga një aktivitet përkujtimor pa lidhje me ndonjë deklarim politik. Këto raste tregojnë përdorimin e materialeve autentike vizuale për të krijuar interpretime të rreme dhe për të ndikuar perceptimin publik rreth zhvillimeve politike.
Lajm i rremë
Faqja “PEJA News”, përmes një postimi të publikuar më 24 maj, ka pretenduar se pagesa për lehona në Finlandë është 560 euro në muaj (pas tatimit), krahasuar me 500 euro në Kosovë (pa tatim). Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, duke u bazuar në të dhënat zyrtare të institucionit shtetëror të sigurimeve sociale në Finlandë “kela.fi”, pagesa në këtë shtet llogaritet sipas të ardhurave dhe tatohet ndryshe, prandaj në asnjë rast nuk del një shumë fikse prej 560 eurosh në muaj, siç u pretendua. (këtu)
Nëpërmjet një publikimi në Facebook është pretenduar për publikimin e një sondazhi politik për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Publikimi i llogarisë “Duli Sadiku” pretendon se sondazhi është bërë publik nga “instituti francez CMC”. Në imazh shfaqen akronimet e pesë partive shqiptare dhe fotografitë e udhëheqësve të katër partive më të mëdha. Nuk ekziston institut kredibil francez me këtë emër e që merret me sondazhe apo matje të opinionit publik. Për më shumë publikimi nuk ka ofruar asnjë detaj që përmbush kriteret për sondazh dhe imazhi është vlerësuar si përmbajtje e gjeneruar me inteligjencë artificiale. (këtu)
Llogaria “Gjergj Dedaj” në Facebook publikoi më 9 maj një grafikë në të cilën shfaqen akronimet e katër partive më të mëdha shqiptare në zgjedhjet e fundit. Sipas grafikut, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) del më e madhja me 36 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 29%, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 26% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 9%. E kërkimi me fotografi në “Google” ka çuar në disa publikime të tjera me të njëjtin imazh. (këtu)
Llogaria “lajme.politika.sh” në TikTok ka publikuar një imazh i cili pretendon se bëhet fjalë për matje të opinionit publik në pyetjen “Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin të dielën e ardhshme, për cilën parti politike do të votoinit?” Në imazh shfaqet renditja e katër partive më të mëdha, me PDK-në si e para me 38.4 për qind, LVV-në si e dyta me 35.7%, LDK-në si e treta me 17.6% dhe AAK-në si e katërta me 6.3%. Aty është theksuar se PSD nuk e kalon pragun dhe se në matje ka 2.0%. Pos gabimeve drejtshkrime, tek rezultatet e sondazhit shfaqen datat 1-10 qershor si data për kryerjen e anketimit. E publikimi u bë më 25 maj. (këtu)
Në grupin “Lëvizja VETËVENDOSJE Velbert/Düsseldorf 🇦🇱🇩🇪” llogaria “Vesel Berisha” ka publikuar një grafikon që ngjan në paraqitje të matjeve të opinionit publik. Sipas publikimit, LVV i ka 69%, LDK 13, DPK 14 dhe AAK 4. Në matjet e pretenduara mostra mbërrin në 100 për qind me jo më shumë se pesë subjekte, ndonëse në zgjedhjet e 7 qershorit fletëvotimi përmban 21 subjekte politike. Në zgjedhjet e fundit (28 dhjetor) katër partitë më të mëdha bashkë morën pak mbi 90 për qind dhe gati 10 për qind u ndanë te partitë tjera, kryesisht të komuniteteve. (këtu)
Manipulim i fakteve
Një video-material i shpërndarë në Facebook pretendon se shfaq kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke nderuar himnin shtetëror të Maqedonisë së Veriut gjatë një ceremonie zyrtare. Pas verifikimit të kryer nga Hibrid.info, rezultoi se pretendimi i paraqitur në mbishkrimin e videos nuk është i saktë. Hulumtimi vërtetoi se muzika që dëgjohet në sfond nuk është himni i Maqedonisë së Veriut, por himni i Bashkimit Evropian. Videoja lidhet me kongresin e koalicionit VLEN në Shkup, ku kryeministri Kurti ishte i pranishëm dhe ku ishte intonuar vetëm himni i BE-së. (këtu)
Një përmbajtje e publikuar në Facebook që pretendon se Bekim Jashari do ta përkrahë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit është e pasaktë Fotografia e përdorur për paraqitjen e pretendimit lidhet me një aktivitet përkujtimor, ku Jashari ka marrë pjesë dhe është parë pranë kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, pa ndonjë deklarim politik. Kontrolli në rrjete sociale dhe kërkimet në Google nuk kanë gjetur asnjë fakt që e konfirmon mbështetjen e pretenduar. (këtu)