Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 4 qershor 2026, në fshatin Uglar – Graçanicë, është arrestuar një person i dyshuar për veprën penale “dhënie ose marrje ryshfeti në lidhje me votimin”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka pretenduar se arrestimi i anëtarit të Listës Serbe, Aleksandar Trajkoviq në fshatin Uglar përbën një veprim politik të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, me qëllim që, sipas tij, të ndihmohet Nenad Rashiq në garën zgjedhore. Në deklaratën e tij, ai e ka cilësuar ndalimin si “presion ndaj serbëve në Kosovë” dhe si pjesë të një fushate të frikësimit gjatë procesit zgjedhor, duke akuzuar institucionet në Prishtinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë politike.

Çfarë dihet për rastin?
Sipas Policisë së Kosovës, më 4 qershor 2026, në Uglar – Graçanicë, është arrestuar një person i dyshuar për veprën penale “dhënie ose marrje ryshfeti në lidhje me votimin”. Hetimet kanë nisur pas një informate operative, ku dyshohet se i arrestuari ka ftuar qytetarë në një lokal për t’i udhëzuar se si të votojnë një subjekt politik, ndërsa në këmbim të votës u janë premtuar përfitime sociale nga Serbia.

Gjatë kontrollit të lokalit dhe banesës së të dyshuarit janë sekuestruar prova materiale që lidhen me dyshimet për veprën penale, ndërsa personi është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.
Në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës nuk përmendet asnjë motiv politik i institucioneve të Kosovës, as ndonjë lidhje e rastit me favorizim të ndonjë partie apo kandidati në garën zgjedhore. Rasti trajtohet si hetim penal për dyshime të korrupsionit zgjedhor dhe manipulim të votës.
Pretendimi i Petkoviq se arrestimi është “veprim politik i Kurtit për të ndihmuar Nenad Rashiq” nuk mbështetet në asnjë të dhënë të konfirmuar nga institucionet e rendit. Përkundrazi, informacionet zyrtare flasin për një procedurë hetimore të bazuar në dyshime për vepër penale që lidhet drejtpërdrejt me procesin zgjedhor dhe jo për një vendim politik të qeverisë apo ndërhyrje të saj në favor të ndonjë kandidati.
Analiza:
Deri më tani, të dhënat zyrtare tregojnë se rasti i arrestimit në Uglar po trajtohet si dyshim për korrupsion zgjedhor dhe manipulim të votës, ndërsa nuk ekzistojnë prova të publikuara që e lidhin atë me motivim politik të Qeverisë së Kosovës.
Në këtë kuadër, deklaratat e Petkoviq për një “veprim politik të orkestruar” mbeten të pakonfirmuara dhe nuk përputhen me informacionet e institucioneve zyrtare.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.