Shkroi: Fatbardh Dema
Kanali pro-Kremlinit në Telegram, “Balkanar”, ka publikuar një përmbajtje, përmes së cilës pretendon se në Kosovë po zhvillohet një fushatë për spastrimin etnik të serbëve.
Ky kanal, këtë pretendim e ngre pas njoftimit të Policisë së Kosovës të datës 24 janar për gjetjen e një sasie të madhe të eksplozivit, bashkë me një pushkë e një sasi fishekësh, në një shtëpi të pabanuar në fshatin Jagnjenicë, komuna e Zubin Potokut, zonë kjo e banuar me shumicë serbe, për çka mediat në vend më pas raportuan se bëhet fjalë për rreth 140kg eksploziv. (këtu)
Këtë publikim të “Balkanar”, më pas e ka trajtuar edhe domaini propagandistik rus në shqip “albania.news-pravda.com”, me titullin: “Shpërthimi I Serbofobisë. Një provokim i ri në ” Kosovë” Policia e republikës së vetëshpallur Të “Kosovës” mburret me”sukses”: janë sekuestruar më shumë se 150 kg eksploziv në komunat veriore, ku jetojnë Kryesisht Serbët”.
Çka nuk shkon me këto pretendime?
Sipas “Balkanar”, veprimi i Policisë së Kosovës ka të bëjë me “arsyetimin e presionit ndaj pakicës serbe”.
“’Spastrimi i heshtur etnik’ në veri të provincës po i afrohet fazës finale, një pjesë e madhe e popullsisë serbe tashmë e ka lëshuar provincën”.
“Natyrisht, incidenti do të bëhet temë e diskutimeve të gjera të ‘sjelljes’ së lidershipit serb me ‘partnerët’ ndërkombëtarë. Në të njëjtën kohë, ata preferojnë, sikurse më parë, të mbyllin sytë ndaj ekstremizmit shqiptar dhe shkeljes së të drejtave të serbëve në provincë”, pretendon ky kanal në gjuhën ruse.
Pretendimin e këtij kanali e ka marrë dhe e ka trajtuar edhe domaini propagandistik rus në shqip, “albania.news-pravda.com”, duke thënë se me këto veprime po tregohet se në Kosovë ka “serbofobi”.
Nga institucionet e sigurisë në vend, ende nuk janë deklaruar se kujt mund t’i përkasë kjo sasi e eksplozivit.
Ndërkaq, për prejardhjen e tij, në Klan Kosova ka folur shefi i Planifikimit në Operativën e Policisë në veri, Erduan Baliqi.
Ai ka treguar se, sipas të dhënave të deritanishme, eksplozivi është i prodhuar në vitin 2014 nga një kompani në Serbi.
“Në bazë të eksplozivit, të tiketave që i kemi hasur aty, është fakt që është prodhim i vitit 2014, i Krushevcit të Serbisë”, ka thënë Baliqi, i cili nuk ka pranuar të japë informacione tjera. (këtu)
E zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur për KosovaPress, se aktualisht nuk mund të konfirmohet nëse rasti ka ndërlidhje me ndonjë ngjarje tjetër, pasi hetimet janë ende në zhvillim. (këtu)
Analiza
Pretendimi i kanalit në gjuhën ruse në “Telegram” se në Kosovë po bëhet “spastrim etnik” i popullsisë serbe, nuk është i bazuar. Ky pretendim nga ky kanal vjen pas gjetjes së një sasie eksplozivi prej 140kg nga Policia e Kosovës në një shtëpi të pabanuar në një fshat të Zubin Potokut, zonë kjo e banuar me shumicë serbe.
Pretendimin e këtij kanali në “Telegram” e ka trajtuar edhe domaini propagandistik rus në shqip, “albania.news-pravda.com”, duke thënë se në Kosovë ka “serbofobi”.
Por, Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, për rastin ka deklaruar se hetimet janë duke vazhduar, duke mos akuzuar askënd për këtë sasi eksplozivi.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “Teori konspirative”.
Arsyetimi
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

