[email protected]
Albin Kurti i bashkohet listës së zyrtarëve publikë që nuk mbajtën premtimin rreth përfundimit të autostradës Prishtinë – Gjilan
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Ndërtimi i autostradës Prishtinë – Gjilan kishte nisur në vitin 2018. Tashmë kur kemi hyrë në vitin 2024, e punimet në këtë projekt ende nuk kanë përfunduar.

Hapjen e kësaj autostrade brenda vitit të kaluar, e kishte premtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Hibrid.info ka hulumtuar rrjedhën e zhvillimit të këtij projekti, që nga premtimet fillestare për nisjen e tij, fillimin e këtij projekti e deri te zotimet për përfundimin e kësaj autostrade.


Analiza:

Hulumtimet e hibrid.info na qojnë deri te zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2014, kur ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi kishte premtuar ndërtimin e autostradës Prishtinë – Bresalcë – Gjilan – Konçul (shih këtu).

Ish-kryeministri Thaçi ishte deklaruar se në lidhje me këtë çështje, vendimi tashmë ishte marrë.

Megjithëse, nga këto zgjedhje, Thaçi nuk kishte dalë si kryeministër, partia që ai e udhëhiqte u ishte bashkuar në koalicionin qeverisës Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila e kishte emëruar kryetarin e saj, Isa Mustafën si shef të ekzekutivit.

Edhe Mustafa në fjalimin si i nominuar për kryeministër, në Kuvendin e Kosovës, ishte shprehur se projektimi i autostradës Prishtinë – Gjilan, do të jetë në mesin e projekteve kryesore në infrastrukturë, gjatë mandatit qeverisës (shih këtu).


Hibrid.info ka gjetur se zotimin e kryeministrit Mustafa e kishte vënë në punë ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i cili kishte thënë se në vitin 2015 do të prezantohet projekti ideor i autostradës Prishtinë-Gjilan (këtu), gjë e cila edhe u arrit më 28 dhjetor të po këtij viti (shih këtu).

Zyrtarët e ministrisë të cilën e udhëhiqte Zharku, kishin dhënë edhe afat për kohën kur pritej të niste ndërtimi i autostradës. Hibrid.info ka kuptuar përmes një artikulli të “Koha.net”, se ndërtimi i autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, ishte premtuar të nisej në gusht të vitit 2017 (shih këtu).


Ky artikull ishte publikuar më 6 maj, katër ditë para mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Mustafa, votimi i së cilit e kishte quar vendin në zgjedhje të parakohshme më 18 qershor të vitit 2017.

Gjë e cila nënkupton se fati i këtij projekti do të mbetej në duart e qeverisë që do të dilte si rezultat i këtyre zgjedhjeve të parakohshme.

Nga artikujt e hasur në hulumtimin e mëtutjeshëm të hibrid.info, vërtetohet se ndërtimi autostradës Prishtinë – Gjilan ishte premtuar edhe nga qeveria e Ramush Haradinajt.

Ministri dhe zv-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe Rexhep Kadriu nga kjo qeveri e kishin konfirmuar fillimin e projektit (shih këtu dhe këtu). Madje zv-ministri Kadriu u zotua se projekti do të niste në mars të 2018-ës (këtu).


Autostrada nisi ndërtimin, jo në mars por një muaj më vonë (këtu). Ndërsa me anë të një artikulli të “EkonomiaOnline”, hibrid.info ka vërtetuar se ministri Lekaj kishte deklaruar se autostrada Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë do të përfundojë në afat të caktuar (këtu).

Në të njëjtin artikull shpjegohet se kontrata për përfundimin e projektit, është 30 mujore.


Por edhe qeveria Haradinaj nuk e përfundoi mandatin e plotë. Në vitin 2019 u organizuar zgjedhjet e parakohshme, më 6 tetor, pas dorëheqjes së kreut të AAK-së nga detyra e kryeministrit. Zgjedhjet sollën në qeverisje të vendit, koalicionin ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një postim të datës 7 shkurt 2020, në Facebook, të verifikuar nga hibrid.info, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit nga ky koalicion, Lumir Abdixhiku, kishte premtuar se autostrada e Anamoravës do të bëhet brenda këtij mandati qeverisës (këtu), ndërsa 2 javë më vonë i njëjti ministër po në Facebook, kishte dhënë njoftimin për anulimin e tenderit 110 milionësh të shpallur pa miratim buxhetor në kohën e tranzicionit qeveritar (këtu).

Këto planifikime nuk shkuan siç u mendua, pasi që rrugëtimi i Abdixhikut në krye të ministrisë së Infrastrukturës u ndërpre pas votimit të mocionit të mosbesimit të qeverisë Kurti nga kuvendi i Kosovës (këtu).

Vendin e Abdixhikut në krye të kësaj ministrie, për një periudhë po ashtu jo të gjatë, e kishte zënë Arban Abrashi. Edhe ky si paraardhësit e tij në krye të këtij dikasteri, kishte dhënë deklarata publike sa i përket vazhdimit të ndërtimit të autostradës, të cilat po ashtu janë gjetur nga hibrid.info (shih këtu dhe këtu).

Nga periudha e qeverisjes së koalicionit LDK – LVV deri në fillim të vitit 2021, vendi u ballafaqua me ndërrime të tre qeverive dhe pandeminë e virusit Covid-19, sfida të cilat vlerësohet se patën rol në zvarritjen e zhvillimit të punimeve të kësaj autostrade.


Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt 2021 dhe pas rrëzimit të qeverisë së Avdullah Hotit, kryeministër u emërua për herë të dytë, Albin Kurti.

Hibrid.info ka hulumtuar dhe vërtetuar se në plan-programin qeverisës për 2021 – 2025, të qeverisë Kurti, ishte përfshirë edhe ndërtimi i autostradës Prishtinë – Gjilan (shih këtu).

Pjesë nga plan – programi qeverisës i vitit 2021-2025:

Infrastrukturë rrugore të integruar

Krijimi i sistemit të integruar për transportin rrugor mundëson lidhje më të mirë dhe më të shpejtë mes rajoneve brenda vendit dhe jashtë saj. Për të arritur këtë, do të përfundojmë projektet ekzistuese infrastrukturore, si ndërtimin e segmentit të autostradës Besi-Merdare dhe autostradës Prishtinë – Gjilan, zgjerimi i rrjetit ekzistues rrugor Prishtinë-Mitrovicë dhe autoudhën Kijev-Zahaq, do të zbatojmë projektet e reja si zgjerimi i rrugëve nacionale Istog- Pejë- Deçan – Gjakovë – Prizren, përfshirë rrugët qarkore, rehabilitimin e rrugëve kombëtare Qafë Duhël – ShtimeFerizaj, që lidhet me autostradën Prishtinë – Shkup, si dhe ndërtimi i rrugëve kufitare Deçan-Plavë, Prizren-Tetovë dhe Gjilan – Kumanovë. Po ashtu, vëmendje të veçantë do t’i kushtojmë rehabilitimit të rrjetit ekzistues si dhe ndërtimit të rrugëve të reja, si dhe ndërtimit të unazës së jashtme të Prishtinës.


Ndërsa disa deklarata publike të zv-ministrit të ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi, po ashtu të gjetura nga hibrid.info, është menduar se autostrada që e lidhë Gjilanin me Prishtinën do të përfundojë në vitin 2023 (shih këtu dhe këtu).


Përfundimin e projektit brenda vitit të kaluar e kishe nënkuptuar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili në një postim në Facebook (21 korrik) ishte shprehur se autostrada Prishtinë – Gjilan do të hapej në vitin 2023 (shih këtu).

Hibrid.info ka arritur të gjejë, se në këtë postim, të cilës i është bashkangjitur edhe një video – material ku shfaqen pamje nga vizita e kryeministrit Kurti në punimet e autostradës, kreu i qeverisë i ka uruar qytetarët gjilanasë, për përfundimin e punimeve të projektit.


Bazuar në faktin që pas kërkimit të hibrid.info në ueb-faqen e Ministrisë së Infrastrukturës, në lidhje me autostradën e Gjilanit, nuk është gjetur asnjë njoftim për përfundimin e saj (këtu), hibrid.info vlerëson se zotimi i kryeministrit Kurti për hapjen e autostradës brenda vitit 2023, nuk është mbajtur.


Përfundimi:

Kryeministri Albin Kurti ishte shprehur se autostrada Prishtinë – Gjilan do të përfundonte dhe do të inaugurohej brenda vitit 2023.

Pas verifikimit nga hibrid.info, është vërtetuar se nuk ka njoftim zyrtar se hapja e kësaj autostrade ka ndodhur në vitin 2023.

Bazuar në metodologjinë e punës mbi përmbushjen apo mbajtjen e premtimeve, hibrid.info e vlerëson deklarimin e kryeministrit Kurti, si premtim jo të mbajtur.


Vlerësimi:

Përmbushja apo mbajtja e premtimeve, kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katër-vjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.

Vlerësimi në këtë kategori bëhet – mbajte e premtimit (nëse ai mbahet), mbajte e pjesshme e premtimit dhe premtim jo i mbajtur (nëse ai nuk mbahet)

Share With Others

Translate »