[email protected]
Media serbe pretendon rrejshëm se Xhaka ka lindur në Serbi
shape
shape
shape

Artikulli me përmbajtje keqinformuese nga mediumi Kurir.rs u korrigjua pas trajtimit nga hibrid.info (shih artikullin e korrigjuar këtu)


Mediumi serb “Kurir.rs” ka publikuar një artikull lidhur me reagimin e futbollistit Granit Xhaka, i cili kishte komentuar rreth shortit të Kampionatit Botëror.

Xhaka në profilin e tij në Instagram kishte postuar duke komentuar grupin G në Kampionatin Botëror të Futbollit, në kuadër të cilit, ndër të tjera gjenden edhe kombëtarja e Zvicrës, në të cilën ai bënë pjesë, si dhe ajo e Serbisë.

Xhaka në këtë postim (këtu) kishte shkruar “Not that bad” (jo aq keq) duke lënë të kuptohet se përfaqësuesi zviceran ka vlerësuar në tërësi këtë grup (shih këtu).

“Kurir.rs” në këtë artikull të publikuar për reagimin e Xhakës, ka pretenduar se futbollisti është i lindur në Podujevë, duke e quajtur atë si vendbanim në Serbi.

Por, në fakt theksi i këtij kontrolli të fakteve nuk do të vihet në çështjen nëse Podujeva ishte në kuadër të Serbisë apo jo, por në faktin që Xhaka nuk është i lindur në këtë qytet.


Pjesë nga artikulli i publikuar nga “Kurir.rs”, i përkthyer në gjuhën shqipe:

Përfaqësuesi i Zvicrës, Granit Xhaka ka komentuar grupin në Botëror, ku bëjnë pjesë Serbia, Brazili dhe Kameruni.

Ka shkruar futbollisti i Arsenalit në Instagram.

– Jo aq keq.

Xhaka ka lindur në Serbi në Podujevë, por ka shkuar herët në Zvicër me prindërit e tij dhe ka luajtur për kombëtaren atje.


Vegëza e artikullit të publikuar në “Kurir.rs”:

https://www.kurir.rs/sport/fudbal/3904769/granit-dzaka-dvoglavi-orao-mundijal-katar-2022-svetsko-prvenstvo?fbclid=IwAR3dVKtJL3gAz2dZKfDIK7JUcw_lqMpgr5_rPSj1NM-tH_3JZA_VAdcqXzw


Pas hulumtimit të kryer, hibrid.info ka gjetur se Granit Xhaka nuk ka lindur në Podujevë, siç pretendon ky medium serb, por në Basel të Zvicrës.

Një fakt i tillë mund të shihet në uebfaqen zyrtare të ekipit anglez Arsenal, pjesë e së cilit është edhe Xhaka. (shih këtu)

Gjithashtu, edhe në uebfaqen që merret me vlerën e lojtarëve “Transfermarkt.com”, bëhet e ditur se Xhaka është i lindur në Basel. (shih këtu)


Analiza:

Mediumi serb “Kurir.rs” ka publikuar një artikull rreth futbollistit me prejardhje nga Kosova, Granit Xhaka, ku ka pretenduar se ai është i lindur në qytetin Podujevë, siç shkruan, të Serbisë.

Ky medium shihet se e ka ngatërruar këtë të dhënë. Me sa duket, autori i artikullit ka dashur që vendlindjen e Granit Xhakës ta ndërlidh me të prindërve të tij, sipas asaj që shkruhet në profilin e lojtarit në Wikipedia (këtu). Mirëpo, për dallim me prindërit që, sipas këtij burimi kanë lindur në Podujevë, vetë Granit Xhaka, sipas të gjitha burimeve kredibile, rezulton të ketë lindur në Basel të Zvicrës.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e ka vlerësuar këtë artikull si “dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others